Bum vjedhjesh në kryeqytet, gjashtë në pranga
Bum vjedhjesh gjatë dy ditëve të fundit në kryeqytet, policia vë në pranga disa nga autorët, pjesa më e madhe të rinj. Operacioni për kapjen e tyre është zhvilluar në 24 orët e fundit nga uniformat blu të Tiranës. Një fakt i tillë konfirmohet nga burime zyrtare të policisë së kryeqytetit, të cilat bëjnë të ditur se janë vënë në pranga gjashtë persona. Policia e kryeqytetit ka bërë të ditur se, gjatë orëve të natës dhe mëngjesit të djeshëm kanë bërë disa arrestime në lidhje me vjedhje të ndryshme të ndodhura në Tiranë. Sipas burimeve zyrtare, dy ditë më parë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 Tiranë, kanë bërë arrestimin në flagrancë të tre shtetasve, të dyshuar për konsumim të veprës penale të “vjedhjes”, përkatësisht të të rinjve Mariglen Sinani, 26 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Tiranë, Elton Pepa, 24 vjeç, lindur në Ulëz dhe banues në Babrru Tiranë dhe Mark Tanushi, 44 vjeç, lindur dhe banues në Babrru, Tiranë, i dënuar më parë për rrahje. Policia tha përmes një komunikimi zyrtar se arrestimi i tyre u krye pasi dyshohet se në Malin me Gropa, kanë tentuar të vjedhin lëndë djegëse të llojit naftë, në antenat e vendosura për një kompani. Gjatë arrestimit u kryen veprimet hetimore dhe procedurale, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy mjete, të cilat shërbenin për transportimin e naftës, si dhe u sekuestruan 3 bidonë 30 litra, të mbushura me naftë. Gjithashtu po në kryeqytet, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 Tiranë kryen ndalimin e shtetasit M. M., 16 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Ndalimi i tij u krye sepse mesditën e dy ditëve më parë dyshohet se në rrugën “Sali Nivica”, i ka vjedhur me dhunë një burri shumën e parave prej 163 eurosh, si dhe 15 mijë lekë. Edhe nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Numër 2 Tiranë, u krye arrestimi në flagrancë i shtetasit E. M., 35 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë dhe G. M., 36 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Arrestimi i tyre u krye sepse dje në rrugën “Komuna e Parisit”, pranë kompleksit sportiv “Dinamo”, janë kapur në flagrancë duke vjedhur një sasi materiale ndërtimi, 11 kuti pllaka majolike italiane, në banesën në ndërtim në pronësi të një qytetari. Policia tha se për të gjithë të arrestuarit janë kryer veprimet procedurale, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan materialet e vjedhura dhe dosja me materialet i ka kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të “vjedhjes në bashkëpunim”.