Besnik Bare ngarkohet të trashë zërin kundër Europës
Opozita, tjetër fyerje ndërkombëtarëve, paralajmëron shpërfilljen e thirrjes së tyre për dialog. Besnik Bare, pasi ka fyer një nga personalitetet e KE-së, tha dje se opozita do sfidojë rekomandimet e perëndimorëve
Gjuha e vulgaritetit, ka marrë tashmë dhenë në ngrehinën e selisë rozë, teksa duke mos ditur asnjë “vrimë” prej ku mund të dalin nga qorrsokaku ku kanë hyrë, sulmojnë jo vetëm qeverinë dhe institucionet e saj, por edhe përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar. Tendencat për masivizimin e qëndrimit gafo-man lidhur me zgjedhjet e vitit të kaluar dhe kërkesat e përditshme për hapjen e kutive të votimit, kanë marrë disa herë shuplakë nga kancelaritë perëndimore, por kjo u ka shërbyer këtyre, për t’u vënë nën shigjetën e fyerjeve dhe sharjeve më të pazakonta.
Pak ditë pas deklaratës se Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Mevlut çavushoglu, se është i papjekur dhe se s’ka informacion, deputeti socialist Besnik Bare, tha dje se opozita nuk pyet për deklaratat e ndërkombëtarëve, por është e vendosur të mos heqë dorë nga kërkesat për hapjen e kutive të votimit. Në këtë sens, Bare, i cili si çdo herë luan rolin e ushtarit të bindshëm pas prologut të Edvinit se “të drejtë kemi ne dhe ata (ndërkombëtarët) s’marrin vesh e janë injorantë”. Edhe dje, Besnik Bare përsëriti të njëjtin qëndrim: “opozita s’heq dorë nga kërkesa e saj legjitime për hapjen e kutive të votimit”.
Më e pazakonta në këtë mes është se socialistët fyejnë dhe përdorin sharje nga më të rëndat për personalitetet e shquara të politikës ndërkombëtare, duke i quajtur ata injorantë, ndërsa mbrojnë veten si intelektualë, pavarësisht se 2/3 e deputetëve të opozitës në vend të zgjuarsisë dhe intelektit, disponojnë tagrin e milionerëve, duke nënkuptuar kështu vdekjen e opinionit të lirë dhe dialogut politik brenda opozitës.