E Diel, 1 Nëntor 2026

Edvini dhe Dash Peza, ortakë edhe në grabitjen e Shtëpisë së Pushimit të Punëtorëve në Dhërmi

Dyshja që po shënon historinë e re të PS po tenton të mbyllë një pazar korruptiv me njërën nga sindikatat pa personalitet të Shqipërisë, për tjetërsimin e pronës, në njërën nga zonat më të rëndësishme turistike të vendit. Babëzia e pronave po mbërrin në një fazë kulminante, meqenëse analistët presin shkërmoqjen e shpejtë të kartelit që ka marrë nën kontroll të majtën

Marrja peng e disa krerëve të sindikatave dhe suporti apo keqpërdorimi i tyre nga Edi Rama, mësohet se bëhet për interesa të ngushta, në qendër të së cilës, është dëshira e kryesocialistit, për të bërë të tijën, njërën pas tjetrës, disa prej pasurive që ende juridikisht i posedojnë sindikatat. Ndërsa pazaret kanë nisur prej kohësh, mes Edi Ramës dhe krerëve të sindikatave, drejtues e sindikalistë të tjerë, të papërfshirë në këto afera, denoncojnë faktin, se pjesë e këtyre pazareve, është shtëpia e pushimit të punëtorëve në Dhërmi, e cila është një prej të shumtave që pret të ndërrojë “pronar” dhe nga pronësi e sindikatave, të kalojë në pronësi të “ortakëve” Edi Rama dhe Dash Peza.
Pas identifikimit të pronave të sindikatave në të gjitha qarqet nga ana e qeverisë disa ditë më parë, mësohet se këto prona sindikalistët e papërgjegjshëm ua kanë kaluar bizneseve të ndryshme në formën e shitjes ose dhënies me qira. Përpos kësaj, mësohet se rreshtimi i disa sindikatave, në mënyrë aktive, përkrah protestave “për kutitë” të organizuara nga Edi Rama, kanë si “pikën e lidhjes”, pikërisht këto prona.
Ndërsa nga ana e tyre, drejtuesit e sindikatave, kanë nevojë për një suport politik, që të mos shpronësohen nga pronat që i përdorin për pazare dhe interesa të ngushta, nga ana tjetër edhe Edi Rama, si “klient” i këtyre pazareve, “i ka vënë syrin” të paktën njërës prej pronave të sindikatave. Në këto kushte dhe “marrëdhënie” interesash të ngushta, reciprokisht drejtuesve të sindikatave, nuk u kushton asgjë në qoftë se përfaqësohen në protestat e PS-së vetëm me krerët e tyre, ndërsa edhe Edi Ramës, akoma më shumë, nuk i kushton asgjë ti faktorizojë politikisht drejtuesit e sindikatave, sigurisht në këmbim të një “shpërblimi” me një pasuri prej dhjetërave të tilla, që disponojnë sindikatat.
Pazaret e ngushta mes Edi Ramës dhe krerëve të sindikatave, denoncohen nga pjesa tjetër e drejtuesve apo anëtarësisë së sindikalistëve.
Denoncimi më i fundit, ka të bëjë me faktin se prej kohësh, Edi Rama, ka hyrë në “pazar” me krerët e sindikatave, për të privatizuar, së bashku me ortakun e tij Dash Peza, Shtëpinë e Pushimit të punëtorëve, një godina e re në Dhërmi.
Të njëjtat burime saktësojnë se Shtëpia e Pushimit të punëtorëve në Dhërmi, prej vitesh është jashtë funksionit, por gjithsesi, një pronë që u është njohur sindikatave. Lënia jashtë funksionit e kësaj godine, i ka shërbyer qëllimit të mbrapshtë, të uljes së vlerës së Shtëpisë së Pushimit të punëtorëve në Dhërmi, në rast të një privatizimi të mundshëm, sikurse tregojnë pazaret e fundit të kryesindikalistëve me kreysocialistin.
Disa ditë më parë Këshilli i Ministrave miratoi një raport të paraqitur nga ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, mbi “identifikimin e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme të sindikatave”. Në bazë të këtij raporti, mësohet se në pronësi të sindikatave janë rreth 120 pasuri, kryesisht të paluajtshme. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre pronave, mësohet se nuk kanë dokumentacion të rregullt ligjor. Kjo pasaktësi dokumentacioni, mësohet se vërehet në rreth 45 prona të sindikatave. Një nga 45 pronat, që nuk ka dokumentacionin e duhur ligjor, është edhe Shtëpia e Pushimit të punëtorëve në Dhërmi. Duke shfrytëzuar këtë pasaktësi, krerët e sindikatave dhe kreu i PS-së, mësohet se janë duke përfituar, për “ligjërimin” e privatizimit të kësaj prone.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›