Besnik Fuçia i PD-së, kryetar i Komunës së Kasharit
TIRANË - Kryetari i Komunës së Kasharit do të jetë Besnik Fuçia, përfaqësues i Partisë Demokratike. Pas përfundimit dy ditë më parë të zgjedhjeve vendore në Komunën e Kasharit, Komisioni Qendror Zgjedhor shpalli dje rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve. Ky komision deklaroi fitues kandidatin e PD-së, Besnik Fuçia. Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Çlirim Gjata, pas përfundimit të procesit zgjedhor, ku janë regjistruar 13, 371 zgjedhës dhe nga të cilët kanë marrë pjesë 7,150 votues, pohoi se rezultatet e arritura janë: Besnik Fuçia, kandidati i PD, me 2,765 vota, ose me 40.69 për qind të votave; Alfred Bakalli, i LSI-së, PDS-së, AD-së me 1,619 vota, ose 23.82 për qind; Rustem Murati, kandidat i pavarur, me 1,267 vota, ose 18.64 për qind, dhe kandidati i PS-së, Sinan Egra me 1,145 vota, ose 16.85 për qind. Gjatë konferencës së tij për shtyp, kreu i KQZ-së, Çlirim Gjata, vlerësoi ecurinë e procesit zgjedhor si të rregullt dhe transparent. Zgjedhjet e pjesshme për Komunën Kashar u shoqëruan të dielën pa asnjë incident të rëndë, përpos disa kundërshtive lidhur me shpërndarjen e certifikatave në mënyrë të kundraligjshme. Megjithatë, partitë politike nuk shënuan asnjë ankesë zyrtare pranë KQZ-së.