Kartat e identitetit, kontrata kalon me debate
Miratohet mes debatesh, ratifikimi i kontratës koncesionare për shpërndarjen e kartave të identitetit
TIRANË- Pas një debati të gjatë mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës, që kishin në thelb pikërisht pajisjen e shtetasve me karta identiteti në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, Kuvendi miratoi mbrëmë vonë projektligjin “Për ratifikimin e kontratës koncesionare “Për prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit dhe të pasaportave elektronike” ndërmjet Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë dhe Grupimit të “Sagem Securite” e Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve” me 87 votat pro të mazhorancës 7 kundër ndërsa grupi parlamentar i PS-së abstenoi. Në emër të grupit parlamentar të PS-së, deputeti Kastriot Islami ka dhënë edhe arsyet e një qëndrimi të tillë. “Ne e kemi të vështirë që të votonim kundër këtij projekti edhe për faktin se ky projekt drejtohet nga dy kompani serioze, si “Sagem” dhe “Fondi Amerikan i Ndërmarrjeve”, por nga ana tjetër e kemi po aq të vështirë për të votuar pro nisur nga fakti që nuk është transparente e gjithë procedura, për të ardhur deri tek kjo kontratë, e cila nga pikëpamja legale mund të jetë korrekte, por mungojnë të gjitha informacionet dhe e gjithë transparenca për të kuptuar këtë proces deri tek përcaktimi i kësaj kontrate”,- tha Islami. Deputeti socialist e argumentoi votën abstenuese të grupit parlamentar edhe me garancinë për të pajisur me kartë çdo zgjedhës dhe vetëm çdo zgjedhës. Islami garantoi se, PS mbetet e angazhuar për të ndjekur me vëmendje të gjithë procesin e prodhimit të kartave dhe në mënyrë të veçantë, pajisjen e të gjithë zgjedhësve brenda afatit kushtetues dhe mbi këtë bazë, deputeti socialist dha edhe disa sugjerime. “Do të sugjeronin që të kishte mundësi të nxiteshin, përveçse të detyroheshin, zgjedhësit për një periudhe gjashtëmujore që qëllon me periudhën Janar-Qershor. Po kështu të shikohej mundësia e pajisjes me karta të identitetit të njerëzve në nevojë pa pagesë dhe njëkohësisht, qeveria duhet në mënyrë specifike të shikojë të gjithë mundësitë e zgjidhjes të pajisjes me karta të të gjithë emigrantëve”,- tha Islami. Deputeti socialist vuri në dukje se koha për konsultim ka qenë minimale dhe në njëfarë mënyre ka penguar të gjithë studimet dhe analizat e këtij dokumenti.
Nishani
Kontrata koncesionare, përmes ratifikimit nga Kuvendi, mundëson lehtësitë fiskale në shmangien e detyrimeve doganore për pajisjet; heqjen e TVSH-së, si dhe zëvendësimin e pasaportave ekzistuese me ato biometrike pas një afati dyvjeçar, nga data e lëshimit të pasaportës së parë. Kjo ishte përgjigja që dha ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, teksa iu përgjigj pyetjeve të deputetëve të PS-së në sallë, gjatë shqyrtimit të projektligjit “Për ratifikimin e kontratës koncesionare “Për prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit dhe të pasaportave elektronike”. Duke iu përgjigjur shqetësimit të deputetit të PS-së, Kastriot Islami, Nishani u shpreh se numri i saktë i votuesve nuk mund të jepet për sa kohë nuk ka përfunduar certifikimi i hedhjes së të dhënave në gjithë territorin e Shqipërisë. Lidhur me kapacitetin e prodhimit të kartave të identitetit, ministri Nishani theksoi se, "mund të prodhohen deri në 15 mijë karta në ditë, pra, në rast se punohet me kapacitet të plotë, prodhohen 450 mijë karta në muaj”. Një shifër kjo që në fakt të bën të dyshosh se sa një proces i tillë mund të arrijë që për 7-8 muaj këto karta të shpërndahen. Sa i përket nxitjes së popullatës, për të aplikuar për marrjen e këtyre dokumenteve, një tjetër shqetësim i ngritur ky nga opozita, Nishani tha se Ministria e Brendshme po harton një sërë aktesh nënligjore që do t'i paraqiten qeverisë për miratim. Ministri i Brendshëm konfirmoi edhe njëherë se çmimi për letërnjoftim është 9 Euro. Ndërsa zv-ministri i Brendshëm, Ferdinand Pone, pikërisht për këtë çështje i është përgjigjur dje në Komisionin e Ligjeve, shqetësimit të ngritur nga anëtari i Komisionit të Ligjeve, deputeti i PBDNJ-së, Spiro Peçi, sipas të cilit, rezulton se kontrata zgjat plot 5 vjet, me të drejtë rinegociimi, ç’ka çon në dyshimet nëse për një vit kjo firmë do të mundësojë pikërisht pajisjen më karta identiteti. Nga ana e tij, zv-ministri i Brendshëm deklaroi se faza e pajisjes për herë të parë e shtetasve shqiptarë me kartë identiteti duhet të mbyllet maksimumi 12 muaj nga data e fillimit të kontratës, data e miratimit dhe hyrjes në fuqi të Vendimit të Këshillit të Ministrave, që ka hyrë në fuqi nga dje.