Superdelegatët të zgjedhin mes Obamës dhe Klintonit
Udhëheqësit më të lartë demokratë të Kongresit kanë shprehur gatishmërinë për ti dhënë fund garës presidenciale për emërimin e partisë, mes Senatorëve Barak Obama dhe Hillari Klinton. Kjo sipas tyre do të arrihet duke u kërkuar personalisht superdelegatëve që të shprehnin mbështetjen për njërin nga kandidatët. Ky veprim do të shmangte zgjatjen e garës së emërimit të partisë deri në kuvendin e gushtit gjë që mund të dëmtonte shanset e partisë në zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit.
Senatori Obama kryeson me numrin e superelegatëve dhe delegatëve.
KROACI
Gjenerali Rrahim Ademi shpallet i pafajshëm
Gjenerali i ushtrisë kroate me origjinë shqiptare, Rrahim Ademi, është liruar nga të gjitha akuzat, ndërsa gjenerali tjetër Mirko Noraç është dënuar me shtatë vjet heqje lirie. Pas procesit njëvjeçar një gjykatë e Zagrebit ka marrë aktgjykimin se Ademi nuk është fajtor për krime lufte mbi civilët serbë dhe të zënët robë në rajonin Megjaçki Xhep në shtator të vitit 1993, ndërsa gjeneralin tjetër kroat Mirko Noraç e dënoi në bazë të dy pikave të akuzës për pesë vjet, përkatësisht me dënimin shtatë vjet. Të dy gjeneralët ngarkoheshin për përgjegjësi komanduese.
SREBENICË
Gjenden 20 mbetje skeletore në varrezën masive
Ekipi i ekspertëve të Komisionit Federal për kërkimin e të pagjeturve ka filluar mbledhjen e mbetjeve skeletore nga varreza masive Pusmuliqi afër Srebrenicës. Në këtë varr janë gjetur 20 mbetje skeletore edhe pse besohet se në këtë varrezë mund të gjenden edhe dhjetëra trupa të tjerë të cilët kanë vdekur si pasojë e dhunës së ushtruar mbi ta. Besohet se në varrezën masive gjenden trupat e boshnjakëve nga Srebrenica, të cilët janë vrarë gjatë masakrës që tmerroi botën në vitin 1995.
FRANCË
Partneriteti BE-Rusi deri në fund të 2008-s
Franca shpreson se Bashkimi Europian mund të arrijë marrëveshje me Rusinë për një partneritet të ri deri në fund të vitit 2008.
Kryeministri francez, Fransua Fijo, i bëri këto komente pas bisedimeve me kryeministrin rus, Vladimir Putin në Paris. I pyetur për gjendjen e të drejtave të njeriut në Rusi, Putin tha se roli i tij si kryeministër ka të bëjë me çështjet ekonomike, ndërsa të drejtat e njeriut janë çështje e presidentit Dimitrij Medvedev. Kryeministri i sapozgjedhur Putin u takua edhe me presidentin e Francës, Nikolas Sarkozi.
31 Maj 2008