Rupel: “Tërësia e Kosovës, vijë që s’mund të kalohet”
Tërësia territoriale e Kosovës është vija mbi të cilën nuk mund të kalohet. Kështu ka deklaruar ministri i Jashtëm i Sllovenisë, Dimitrij Rupel, në takimin me sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Ban Ki Mun. Rupel dhe Ban Ki Mun kanë biseduar për detyrat që i presin Kombet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian para dhe pas hyrjes në fuqi të kushtetutës së Kosovës në 15 qershor. Gjatë takimit në Stokholm, Rupel ka theksuar angazhimet e kryesuesit të BE-së për stabilitetin në rajon. “BE-ja është e obliguar me vendimet dhe qëndrimet që janë miratuar në dhjetor, 2007, si dhe me politikën, e cila shumë herë është konfirmuar. Këto janë vijat mbi të cilat nuk mund të kalohet, dhe mes tyre është edhe tërësia territoriale e Kosovës”,-është shprehur Rupel.
Liberia njohu pavarësinë e Kosovës
Liberia njohu pavarësinë e Kosovës duke e çuar numrin e shteteve që kanë njohur pavarësinë e shtetit të ri në 42. Me vendimin e marrë Liberia iu bashkua shteteve të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës të cilët njohjen pavarësinë e Kosovës. Vendet që kanë njohur pavarësinë e Kosovës janë Mbretëria e Bashkuar, Franca, SHBA, Turqia, Shqipëria, Afganistani, Kostarika, Australia, Senegali, Letonia, Gjermania, Estonia, Italia, Danimarka, Luksemburgu, Peru, Belgjika,Polonia, Zvicra, Austria, Irlanda, Suedia, Holanda, Islanda, Sllovenia, Finlanda, Japonia, Kanadaja, Monakoja, Hungaria, Kroacia, Bullgaria, Lihtenshtajni, Koreja Jugore, Norvegjia, Republika e Ishujve Marshall, Republika e Naurusë, Burkina Faso, Lituania, San Marino, Republika e Çekisë dhe Republika e Liberisë.
31 Maj 2008