OKB dhe BE: UNMIK 1/5 e përgjegjësive në institucionet kosovare
Pas 15 qershorit, kur pritet të hyjë në fuqi Kushtetuta e Kosovës, shumica e përgjegjësive të UNMIK-ut duhet të kalojnë tek institucionet e Kosovës. Kështu kanë deklaruar Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun dhe shefi i diplomacisë evropiane, Havier Solana, gjatë takimit të tyre që u mbajt në Stokholm. Deri më 15 qershor Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, mund të japë një pasqyrë të qartë për misionin e UNMIK-ut në Kosovë. Sekretari Ban Ki Mun ka biseduar me shefin e diplomacisë europiane Havier Solana për gjetjen e modaliteteve për funksionimin e dy misioneve ndërkombëtare në Kosovë: UNMIK-ut dhe EULEX-it. Ata janë pajtuar që misioni i UNMIK-ut duhet të transferojë një pjesë të konsiderueshme të kompetencave tek qeveria dhe Kuvendi, deri më 15 qershor, kur hyn në fuqi Kushtetuta e Kosovës. Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës ndërkohë janë shprehur se mirëpresin vetëm misionin e BE-së, ashtu siç është parashikuar në pakon Ahtisari. Presidenti Fatmir Sejdiu ka deklaruar se mandati i UNMIK-ut duhet të përfundojë por për këtë pret qartësimin e shpejtë nga OKB-ja dhe BE-ja. Përfundimin e mandatin e UNMIK-ut në Kosovë e kanë kërkuar edhe opozita dhe analistë të ndryshëm. Shefi i UNMIK-ut Joakim Ryker ka shprehur dëshirën që EULEX-i të jetë nën mandatin e OKB-së.
Janez Jansha: “NATO-ja edhe 5 vjet në Kosovë”
Bashkimi Europian pret që NATO-ja të qëndrojë në Kosovë edhe gjatë pesë vjetëve të ardhshme krah misionit policor të Bashkimit Europian, që pritet të vendoset në muajt e ardhshëm. “Me siguri do të ketë reduktim gradual të trupave, por NATO-ja do të mbetet në Kosovë gjatë tre, katër ose pesë vjetëve të ardhshëm”,-tha Kryeministri i Sllovenisë Janez Jansha, vendi i të cilit kryeson me Bashkimin Europian. Në një intervistë për televizionin France 24, Kryeministri slloven shfaqi mendimin se misioni i EULEX-it do të vendoset në Kosovë gjatë këtij viti. “Mendoj se të gjithë e shohin se ky është një proces që nuk mund të ketë kthim prapa”,-u shpreh Jansha.
31 Maj 2008