Kujdesi qe duhet te tregoni per lekuren ne kete stine
Shmangia ndaj dritës së diellit nuk është ide e mire, pasi dielli duhet të përdoret me inteligjencë. Për një kohë të gjatë na është thënë të ruhemi nga rrezet e diellit dhe të mbrojmë veten nga ndikimi që dielli ka në lëkurë, por e vërteta ndoshta nuk është as e thjeshtë e as e hidhur. Drita e diellit ka edhe përfitime edhe efekte dëmtuese që vijnë nga ekspozimi i tepruar. Në suplementin esotëm të gazetës “Albania” ju do të njiheni pikërisht me të gjitha rreziqet që na kanosen nga dielli, dëmtimet që pëson lëkura prej tij, si të mbrohemi sa më mirë nga rrezet e dëmshme të tij, maskat për trajtimin e fytyrës etj. Ndërkohë që për të gjitha pyetjet ose shqetësimit që ju keni mund të na shkrunai në adresën tonë të e_mailit:albania.shëndetësia@gamil.com. Specialsitja Mimoza Petani do t’ju përgjigjet për çdo problem. Efektet e dritës së diellit shkaktohen falë rrezeve ultraviolet. Këto rreze të thjeshta përgjithësisht ndahen në tre lloje në përputhje me gjatësinë e valës-UVA (me gjatësinë më të madhe të valës dhe energjinë më të pakët në secilën njësi drite), UVB me një gjatësie vale më të shkurtër) dhe UVC (me një gjatësie vale akoma më të shkurtër por me një energji shumë të lartë).
Përfitimet e rrezeve të diellit
Nëse ekspozimi në diell është i ekuilibruar atëherë përfitimet tejkalojnë rreziqet. Mbi të gjitha drita e diellit ka një efekt pozitiv për shëndetin mendor dhe mirëqënien e trupit, kjo për shkak të dritës së dukshme që lëshohet si dhe të efektit të ngrohjes. Rrezet UVA në dritën e diellit stimulojnë prodhimin e vitaminës D në lëkurë. Kjo vitaminë është e rëndësishme për formimin normal, rritjen dhe rigjenerimin e kockave. Nivelet e ulëta të vitaminës D në trupin e njeriut bëjnë që kockat të humbin kalciumin dhe për pasojë të dobësohen e të hollohen. Kërkimet më të fundit zbulojnë se shumë njerëz nuk e marrin në nivele të mjaftueshme këtë vitaminë.
Kërkimet më të reja gjithashtu sugjerojnë se një sasi me pak ekstreme e dritës së diellit nuk përbën mundësi për shfaqjen e kancerit të lëkurës. Përkundrazi, në sasi më pak ekstreme ekspozimi në diell duket se ndihmon në parandalimin e kancereve të tipeve të ndryshme, sidomos ne parandalimin e kancerit të gjoksit, të shtyllës kurrizore dhe të prostatës. Përfitimi që shumë njerëz dinë se kanë kur bëjnë banjo dielli është efekti i nxirjes. Kjo shkaktohet nga rrezet UVA, të cilat stimulojnë qelizat melaninë-formuese në lëkurë të prodhojnë pigmentin ngjyrë kafe të melaninës. Një sasi e lartë melanine mbron lëkurën nga dëmtimet që shkaktojnë rrezet e diellit duke krijuar mundësinë që të merrni më shumë rreze dielli para se të fillojnë efektet e dëmshme. Rrezet e diellit gjithashtu stimulojnë trashjen e shtresës së parë të lëkurës dhe kjo gjë e bën lëkurën më të fortë përballë dëmtimit të mundshëm. Për aq kohë sa kjo trashje nuk kalon në ekstrem mbetet një efekt pozitiv në vetvete.
Rreziqet nga rrezet e diellit
Rreziku më i dukshëm që vjen nga ekspozimi i tepërt në diell është efekti i djegies që shkaktohet nga rrezet UVB. Ky efekt realizohet kryesisht për shkak të qelizave imunitare që ndodhen në lëkurë dhe që lëshojnë histaminën. Histamina nga ana e vet bën që enët e gjakut të zgjerohen duke u shfaqur edhe simptoma të tjera të inflamacionit akut. Disa qeliza mund të dëmtohen kaq shumë nga ekspozimi i tepërt në diell saqë në një farë pikë arrijnë vdekjen, duke bërë që shtresa e sipërme e lëkurës të bjerë. Ekspozimi i ekzagjeruar në diell mund të shkaktojë shfaqjen e pikave të zeza apo kafe. Për më tepër mund të shkaktohet edhe një tip kanceri i quajtur kanceri i qelizave të lëkurës. Të gjitha këto efekte shkaktohen si pasojë e rrezeve UVA dhe UVB. Ky lloj kanceri ka pamjen e njollave të vogla kafe apo të pikave kafe dhe është e vështirë t’i dallosh nga pikat kafe të thjeshta. Sidoqoftë ky lloj kanceri është pakëz malinj dhe në shumicën e rasteve arrin të kthehet në problem kozmetike. Megjithatë rrezet UVA dhe UVB nga ekspozimi i zgjatur në diell mund të shkaktojnë gjithashtu edhe melanomën malinje. Ky kancer konsiston në faktin që qelizat melanocite transformohen në qeliza kancerogjene. Melanoma malinje shpesh zhvillohet nga shenjat e lindjes. Ky kancer mund të qëndrojë i vogël për një kohë shumë të gjatë, por gjithashtu mund të zhvillohet dhe të përhapet me shpejtësi duke u transformuar në një sëmundje të rrezikshme. Në fazat e tij fillestare, kanceri duket si nje nishan me ngjyrë që në lindje, por me formë të çrregullt dhe me ngjyrim jo normal. Njerëzit që ekspozohen shumë në diell dhe që shpesh kanë marrë djegie nga dielli që në moshë të njomë ndodhen përballë një rreziku të veçantë për melanomën malinje. Tradicionalisht kanceri i lëkurës mendohej se shkaktohej nga rrezet UVB por kërkimet më të reja sugjerojnë se i gjithë spektri ultraviolet merr pjesë në shkaktimin e kancerit. Për pasojë duke përdorur solariumin me rreze ultraviolet UVA përsëri nuk ka siguri nga rreziku i kancerit. Një ekspozim i tepruar dhe për një kohë të gjatë rrit shpejtësinë e plakjes së lëkurës dhe shkakton ndryshime të përhershme në lëkurë, falë efekteve të rrezeve UVB. Rrudhat shumëfishohen dhe agravohen. Gjithashtu, enët e gjakut në lëkurë kanë tendencën të zgjerohen përgjithmonë dhe disa pjesë të lëkurës fitojnë një trashësi aspak normale dhe të çrregullt; në disa vende lëkura është shumë e holle dhe në vende të tjera shumë e trashë. Për shkak të enëve të zgjeruara të gjakut lëkura mbetet përgjithmonë e kuqe. Rrezet UVC filtrohen në shtresën e ozonit që në nivelet e sipërme të atmosferës. Por në ditët e sotme ozoni është dobësuar në zona të ndryshme dhe në stinë të ndryshme. Prandaj këto rreze janë nga më të rrezikshmet dhe me lehtësi shkaktojnë kancer si dhe tipe të tjera të dëmtimeve në lëkurë.
Shmangia e rreziqeve dhe përfitimi
Mënyra më e mirë për të realizuar një ekspozim të mjaftueshëm, për të përfituar prej tij si dhe për të mos i vuajtur kaq shumë dëmet që shkaktojnë rrezet e diellit është që ëe ekspozosh lëkurën në diell për një kohë të caktuar dhe pastaj ta mbulosh trupin me rroba. Koha për ekspozimin lakuriq ndryshon në mënyrë të konsiderueshme. Një person me lëkurë me ngjyrë mund të qëndrojë më shumë në diell sesa një person me lëkurë të bardhë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për një person që e ka lëkurën të trashë. Ndërkohë duke qëndruar sistematikisht në diell gradualisht do të ngjyroset lëkura dhe do të bëhet më rezistente ndaj rrezeve të diellit, më tolerante. Nëse merr rreze dielli për herë të parë dhe nuk je mësuar me diellin, rreth 10-15 minuta mund të jenë të mjaftueshme.
Sidoqoftë, shpesh dëshironi të ekspozoni lëkurën tuaj në rrezet e diellit më gjatë sesa lëkura e pambrojtur mund të tolerojë, dhe në këtë rast duhet të përdorni krem tropikal kundër diellit për mbrojtje nga rrezet. Kremi i diellit siguron mbrojtje të konsiderueshme nga niveli 3 deri në nivelin 30. Faktori mbrojtje supozohet të tregojë sesa kohë mund të rrini në diell me kremin dhe pa kremin në lëkurë. Bëhuni të kujdesshëm, pasi faktori mbrojtës mund të jetë realisht më pak sesa ai që është shkruar mbi produkt.
Një balsam me faktor 20 jo gjithmonë e ka këtë faktor. Nëse ti e di se mund të tolerosh gjysmë ore ekspozim pa mbrojtje mos mendo se vërtetë mund të tolerosh 10 orë ekspozim me një balsam të faktorit 20 që ke përdorur. Balsami duhet të vendoset disa herë gjatë kohës kur ekspozoheni në diell. Kjo është e vërtetë sidomos kur notoni, megjithatë balsami nuk duhet të jetë shumë i vjetër në kohë. Fytyra është ajo pjesë e trupit që ka shumë rëndësi të mbrohet nga dielli duke qenë se nuk mbulohet me rroba dhe logjikisht merr ekspozimin më të gjatë në diell.
Disa lloje ushqimesh duket se e bëjnë lëkurën më të ashpër përballë ndikimit nga rrezet e diellit prandaj është e mençur të konsumohet më shumë peshk dhe të përdoret më shumë vaj ulliri në dietë. Duhet gjithashtu, të mësoni të rejat për shtresën e ozonit kështu që gjithmonë të mundeni të mbroni lëkurën në stinet kohore kur shtresa e ozonit është e holluar.
Faqja 14
6 faktorët që dëmtojnë lëkurën, si ti shmangim
Lëkura jonë është gjithmonë e rrezikuar nga agjentët e dëmshëm atmosferikë, temperaturat e ulëta apo ato të larta, edhe nën veprimin e rrezeve ultraviolet, smogu, cigarja apo dhe ndotës të tjerë të gjendur në ambientet që na rrethojnë. Ekspertët e bukurisë dhe të dermatologjisë shpjegojnë mënyrat se si mund të veprojmë për t’u mbrojtur prej tyre, në mënyrë që ta ruajmë sa më të pastër e të bukur lëkurën tonë. Prandaj duhet të zotërojmë armët me të cilat të balancojmë sa më shumë të mundemi efektet negative të këtyre dëmtuesve.
1-Temperaturat e ulëta dhe efekti i tyre
Dimri është shumë i përshtatshëm për të fjetur, po kështu ndodh edhe me lëkurën tonë. Në temperaturat e ulëta metabolizmi i qelizave ngadalësohet dhe lëkura rinovohet më me vështirësi. Jo vetëm kaq, i ftohti tenton të dobësojë filmin hidrolipidik (barriera e mbrojtjes natyrale) dhe vepron në shtrëngimin e kapilarëve. Në këtë mënyrë në fytyrë do të qarkullojë më pak gjak për qelizat. Ndërsa në verë ndodh e kundërta me organizmin nga temperaturat e larta.
2-Gjenet dhe plakja
Disa gjene kanë aftësinë që ta mbajnë lëkurën të lirë dhe kompakte më gjatë se zakonisht. Plakja kronologjike në krahasim me atë të shkaktuar nga rrezet e diellit, është e lidhur me faktorët biologjik gjenetik të AND-së tonë, të cilat japin instruksione për të ndërtuar organizmin tonë. Për të evidentuar shenjat e kohës që kalon, është mirë që t’i sigurojmë epidermës një hidratim deri në 30-35 vjeç.
3-Stresi “dëmton” lëkurën
Në momentin që kalon një periudhë të vështirë nuk është aspak çudi që lëkura të fillojë të humbasë shkëlqimin dhe butësinë e saj. Truri reagon dhe stresi prodhon disa substanca të quajtura neurotransmetues, të cilat shtrëngojnë enët e gjakut duke shkaktuar një ngadalësim të qarkullimit. Epiderma në këtë kohë bëhet opake dhe rrudhëzat rreth syve, buzëve dhe gojës theksohen më tepër duke e bërë lëkurën tuaj që të ngjajë më e plakur. E nëse stresit i shtohet edhe një ambient i ndotur qyteti, plakja është padyshim e parakohshme.
4-Duhani dhe nikotina
Të gjithë e dimë se cigarja e rëndon pamjen e lëkurës, duke krijuar rrudha rreth syve, buzëve dhe gojës që krijohen mbas dhjetë vjet pirje e rregullt cigaresh. Nikotina krijon një lloj tape që pengon oksigjenin të hyjë në inde, dhe pa oksigjen qelizat mbeten të uritura dhe nuk arrijnë që të jenë të shëndetshme. Në këtë mënyrë lëkura humbet shkëlqimin, epiderma thahet dhe irritohet plotësisht. Përveç kësaj nikotina prish mikroqarkullimin duke penguar prodhimin e kolagenit dhe të fibrave elastike, prandaj lëkura humbet elasticitetin dhe plaket më shpejt.
5-Dielli dhe rrezet ultravjollcë
Qëndrimi i gjatë në diell dobëson dhe shkatërron lëkurën duke shfaqur njolla, zona super të ndjeshme, mungesë toni. Arsyeja është një përbërës i rrezeve të diellit, rrezet ultraviolet të cilat reagojnë mbi fibrat elastike duke provokuar degjenerimin. Këto tip rrezesh interferojnë në mekanizmin e prodhimit të kolagenit dhe të elastinës, dy fibrat që ndërtojnë dermën. Një ekspozim i tepërt në diell, provokon një dobësim të kësaj strukture që tenton të humbasë elasticitetin dhe butësinë.
6-Smogu dhe ajri i ndotur
Jetesa në një qytet të madh të bën që çdo ditë të jesh e detyruar të bësh llogaritë me ndotjen. Ajri që të rrethon dëmton shtresën mbrojtëse të lëkurës dhe në të njëjtën kohë depozitohen mikrograme dhe substanca toksike në formë pluhurash metalikë të padukshëm. Në këtë fushë beteje padyshim që fytyra është ajo që ekspozohet më tepër: ndotet dhe merr një ngjyrë gri në kaf. Pa llogaritur këtu rreziqet e zhvillimit të alergjisë. Në epidermat më të ndjeshme, akumulimi i substancave të jashtme mund të shkaktojë irritime të bezdisshme antiestetike.
Faktorët që ndikojnë në dëmtimin e lëkurës
Temperaturat e ulëta ngadalësojnë metabolizmin e qelizave
Plakja vjen nga faktorë biologjikë gjenetikë, pra ADN.
Nga stresi shtrëngohen enët e gjakut dhe ngadalësohetqarkullimi
Nikotina pengon furnizimin e indeve me oksigjen
Rrezet ultraviolet dobësojnë strukturën e dermës dhe e bëjnë atë të humbasë elasticitetin dhe butësinë
Smogu depërton në indet e lëkurës duke penguar ajrosjen e saj
Rreziqet nga temperaturat e larta
Dehdratimi
Një nga rreziqet më të mëdha të temperaturave të larta është dehidratimi i trupit. Me këtë kuptojmë humbjen e ujit nga trupi dhe bashkë me të kripëra të domosdoshme të gjakut si potasiumi dhe sodiumi të cilat luajnë një rol jetësor në funksionimin e organeve të tilla si veshkat, truri dhe zemra. Kjo mund të çojë në konfuzion, letargji, probleme të frymëmarrjes dhe të ritmit të zemrës.
Hemoragjia cerebrale
Në kushtet normale djersa që nxjerrim gjatë motit të nxehtë na mban të freskët kur ajo avullohet nga sipërfaqja e lekurës. Megjithatë, në ditët jashtëzakonisht të nxehta, ose kur e ushtrojmë trupin më shumë se ç’duhet, ky sistem mund të mos funskionojë dhe temperaturat e trupit mund të rriten në nivele shumë të rrezikshme. Kjo çon në hemorgji cerebrale. Gjithashtu mund të shkaktojë dhimbje koke, marrje mendsh, ngërç të muskujve, por mund të ketë dhe rrezik për jetën. Kjo mund të jetë veçanërisht e rrezikshme kur simptomat shfaqen shumë shpejt, nëse ne nuk u kushtojmë vëmendje shënjave më të hershme, dhe me shumë pak paralajmërim.
Djegia e lekurës nga dielli
Lëkura e nxirë mund të duket e bukur, por megjithatë kjo është një shenjë e dëmtimit të lëkurës. Dhe djegia e lëkurës jo vetëm që shkakton dhimbje. Ajo mund ta përshpejtojë procesin e plakjes dhe të shtojë rrezikun e kancerit të lëukurës, ku përfishet edhe forma mbase dhe vdekjeprurëse, melanoma.
Mënyra më e mirë e shmangies së këtyre problemeve
Konsumimi i bollshëm i lëngjeve
Ndërsa trupi humb më shumë lëngje se zakonisht, ka shumë rëndësi që të pihet më shumë ujë apo lengje të tjera.
Mënyra më e mirë është konsumimi i ujit, duke e pirë atë ngadalë dhe jo me një frymë. Në një ditë të zakonshme, një person me peshë 58 kg duhet të pijë rreth tetë gota uji.
Në mot shumë të nxehtë konsumimi i ujit duhet rritur. Megjithatë pirja e tepërt e ujit mund të ketë problemet e veta. Mbase mund të mendoni që një birrë me krikëll mund të jetë pikërisht ajo që ka këshilluar mjeku, por në fakt birra si pije alkolike e dehidron trupin prandaj duhet konsumuar në sasira shumë të vogla.
Ndryshoni dietën
Shmangni ushqimin shumë të nxehtë. Mundohuni të gjeni ilaçe suplementare kripe për të zëvëndësuar mineralet që humbin si rezultat i avullimit të djersës. Megjithatë shumë ushqime kanë sasira më të mëdha të kripës prandaj kjo mund të mos jetë e domosdoshme.
Shmangiuni diellit
Vendi më i mirë në një ditë të nxehtë është hija. Po qe se dëshironi të bëni banjo dielli, atëhere sigurohuni që ta beni këtë për periudha të shkurtra dhe përdorni locionet kundër djegies me faktor mbrojtës të paktën 15. Po filluat të mos ndjeheni mirë menjëherë gjeni një vend në hije.
Rrezet e diellit janë më të rrezikshme gjatë orëve 11.00-13.00.
Tregohuni të arsyeshëm me ushtrimet fizike
Mos bëni ushtrime të rënda gjatë periudhave më të nxehta të ditës. Bëni vrap herët në mëngjes ose me vonë, në perëndim të diellit. Filloni ushtrimet ngadalë dhe përshtateni ritmin e jetës me motin e nxehtë. Po e ndjetë se iu merret fryma ose po ju rreh me shpejtësi zemra, ndaloni çfarë jeni duke bërë dhe përpiquni të freskoni trupin, për shembull, duke bërë një dush të freskët. Bëni pushim po e ndjetë se iu merren mendtë, apo sikur iu bie të fikët.
Mbani trupin të freskët
Vishni rroba të lehta dhe që rrinë lirshëm. Prodhimet prej pambuku janë shumë të mira për të thithur djersën.
Rrobat e rënda dhe të errëta thithin nxehtësinë, por kini parasysh se disa materiale nuk janë pengesë e mjaftueshme për rrezet e rrezikshme ultraviolet. Do të ishte ide e mirë që të mbani kapele dielli me strehë. Mbani syze dielli për të mbrojtur sytë.
Kujdes i veçantë për ata që janë më në rrezik
Ata që janë më në rrezik nga të nxehtit e tepërt janë fëmijët nën katër vjeç dhe moshat mbi 65 vjeç, sepse trupat e tyre iu përshtaten më ngadalë ndryshimeve të temperaturave, njerëzit mbipeshë sepse trupat e tyre kanë tendencë të mbajnë më shumë nxehtësinë, dhe të sëmurët.
Veçanërisht foshnjat janë më të ndjeshëm ndaj të nxehtit ngaqë gjendrat e djersës tek ata nuk janë të zhvilluara si duhet. Ka shumë rëndësi që foshnjat të mos mbulohen me batanije apo vishen me rroba të rënda kur bën nxehtë. Në të njejtën kohë ka shumë rëndësi që ato mos mbahen jashtë dhe t’u ekspozohen rrezeve të diellit kur bën shumë nxehtë.
Faqja 15
Në qoftë se i shlyejmë rrudhat, i shlyejmë vitet
Rrudhat e para të thella, lëkura e lëshuar, shikimi në pasqyrë nën ndriçim të dobët neoni, një mëngjes do të ballafaqohemi me faktin se më nuk jemi të reja. Edhe pse vitet kalojnë ngadalë, të kuptuarit se nga mosha e re kemi kaluar në moshë të mesme apo “të artë”, përherë vjen vetëtimthi. Mirëpo, ndihma sot mund të ofrohet më shumë se kurrë! Arritjet shkencore, të cilat nga fusha e mjekësisë dhe e farmakologjisë u shkrinë në industri kozmetike, i ofrojnë gruas së sotme, por edhe mashkullit, më shumë mundësi që të ruajë lëkurën të bukur dhe të shëndoshë, se sa që në kohën e tyre kanë pasur prindërit tanë.
Mplakja e lëkurës mund të ngadalësohet me kurim të vazhdueshëm në shtëpi dhe nëpërmjet vizitave periodike salloneve të kozmetikës, ku me trajtime speciale të kohëpaskohshme, të cilat personi nuk mund t’i bëjë vetë, si për shembull, përmirësimi i qarkullimit të limfës, metodat e ndryshme të mikroliftingut, veprojnë më mënyrë stimuluese në funksionimin e lëkurës. Kurimi i tillë, në të vërtetë, kërkon kohë shumë më të madhe dhe para të konsiderueshme, mirëpo kënaqësia për rezultatet e arritura shpaguajnë mundin e bërë dhe mjetet e shpenzuara.
Përse mplaket lëkura
Gjatë ndryshimeve në sekretimin e hormoneve, shtresa bazore në epidermë nuk krijon qeliza të mjaftueshme të reja, gjë që ndikon në procesin e përtëritjes së qelizave në sipërfaqen e lëkurës. Ndryshimet në indin lidhor të dermës zvogëlon aftësinë e lidhjes së lagështisë, për këtë shkak lëkura thahet dhe humb tendosjen. Kolagjeni, proteina, që janë të dobishme për strukturën e lëkurës, gjithashtu, degjenerojnë. Meqë shtresat e brendshme për shkak të humbjes së lagështisë tendosen, epiderma lëshohet, andaj shkaktohen rrudhat. Njëkohësisht gjëndrat yndyrore, të sqetullave dhe gjëndrat aromatike, të cilat lëkurën e bëjnë të lagësht dhe e zbusin, veprojnë gjithnjë e më pak.
Si të mbrojmë lëkurën
Mplakja e lëkurës mund të ngadalësohet me kurim të drejtë, i cili do të neutralizojë veprimin e dëmshëm të faktorëve të jashtëm dhe do të parandalojë funksionet natyrore të saj. Kjo mund të arrihet me zgjedhjen e drejtë të prodhimeve kozmetike, të cilat zhdukin radikalet e lira, përshpejtojnë përtëritjen e qelizave dhe rrisin aftësinë e lëkurës që të mbajë lagështinë (nëpërmjet prodhimit më të madh të kolagjenit shkrirës). “Të jesh e bukur, nuk do të thotë të jesh edhe e re”- me këtë sllogan firma kozmetike "Clinique" filloi dikur promovimin vjetor të saj. Tregu, në të vërtetë, çdo e dyta grua më e moshur se 50 vjeç, dëshiron që rregullisht të kurohet. Meqë kërkesat për cilësi dhe efikasitet të këtyre prodhimeve sot janë shumë të mëdha, është e sigurt se në të ardhmen cilësia e tyre gjithnjë e më shumë do t’u ofrohet farmakologëve.
E bukur në moshë të pjekurisë
Ndërmjet moshës 40 dhe 50 vjeç lëkura gradualisht humb elasticitetin, rrudhat bëhen më të thella, posaçërisht ato përreth syve. Rrudhat e syve janë më të errëta, ndërsa fillojnë të paraqiten edhe njolla pigmenti. Për shkak të ndryshimit të shpërndarjes së indit yndyror në shtresën e brendshme të lëkurës, faqet mund të lëshohen pak, ndërsa buzët bëhen më të holla. Pas menopauzës lëkura përtëritet më ngadalë, për shkak të prodhimit të vogël të hormoneve të estrogjenit. Zvogëlohet aftësia e lidhjes së lagështisë në qelizat e epidermës, aktiviteti i gjëndrave yndyrore ngadalësohet, rritet shtresa e qelizave të vdekura në sipërfaqe. Sasia e kolagjenit shkrirës, karakteristike për lëkurën e moshave të reja, zvogëlohet esencialisht. Për shkak të sasisë së vogël të estrogjenit, ngadalësohet edhe qarkullimi. Kjo vepron dëmshëm në ndryshimin e materieve në qeliza, sepse ato ushqehen nëpërmjet gjakut, ndërsa me të eliminojnë edhe produktet e dëmshme. Prandaj, rrudhat rreth syve, gojës dhe në faqe bëhen shumë më të dukshme.
Si të kurohen
Formulat e sotme të prodhimeve anti age (anti rrudhë) e mbajnë vitale lëkurën. Prioritet, gjithsesi, është plotësimi i lagështisë. Kjo domethënë se duhen shfrytëzuar prodhimet speciale me përbërje aktive. Eliminimi i qelizave të vdekura nga sipërfaqja e lëkurës me krem special, i cili përmban thartinë alfa-hidrokside, esencialisht do ta freskojë atë. Shtresa e qelizave të vdekura lëkurës i jep pamje të lodhur dhe ngjyrë jo të shëndoshë, ndërsa materiet ushqyese nga kremi i shtrenjtë nuk mund të veprojnë mirë. Kjo më së miri arrihet nëpërmjet peelingut kimik, i cili në formë të koncentrimit të butë mund të shfrytëzohet në çfarëdolloj kurimi. Koncentrimi më i tepërt, me efektin e shtuar të eliminimit intensiv të qelizave të vdekura, bën të shfrytëzohet vetëm në sallonet e kozmetikës dhe në ambulancat dermatologjike. Gjithashtu, duhet shmangur ekspozimit të drejtpërdrejtë rrezeve të diellit.
Nxitja e vazhdueshme e krijimit të melaninës me kohë mund të rezultojë në pigmentim, që duken sikur njolla pigmenti. Shumica këto njolla i quajnë “pikla të pleqërisë”, edhe pse ato, për shkak të shtimit të rrezeve UV, gjithnjë e më shpesh paraqiten edhe te personat e moshës së re. Prandaj, me rastin e zgjedhjes së kremit ditor, duhet kushtuar kujdes faktorit përkatës mbrojtës. Gjatë muajve të dimrit, varësisht nga ndjeshmëria e lëkurës, rekomandohen kremmra me faktor mbrojtës (SPF) jo shumë të lartë, ndërsa gjatë muajve të verës SPF duhet të jetë e lartë. Është shumë me rëndësi edhe “ushqimi” i lëkurës gjatë pushimit të natës, kur është koha më e përshtatshme për përtëritjen e qelizave.
Çfarë i nevojitet lëkurës për çdo ditë
Pastrim i rregullt dhe i themeltë në mëngjes dhe në mbrëmje me qumësht apo me krem për pastrim me bazë vaji
Ujë të bollshëm për freskim pas pastrimit me qumësht apo me krem (i cili pastrohet me ujë)
Lëng i butë me ekstrakte bimësh apo tonik special për të stabilizuar mbrojtjen natyrale të gungave të lëkurës
Krem special apo gel për rajonin rreth syve
Krem për eliminimin e qelizave të vdekura nga sipërfaqja e lëkurës
Krem për përdorim gjatë natës, i pasur me materie ushqyese, vitamina dhe antioksidanse
Produktet bimore janë tepër të efektshme për të evituar problemet elëkurës në çdo moshë
Këshilla estetike për çdo moshë
20-vjeçaret
Është mosha kur nis të përdoret pudra dhe fondotinta, e kur tashmë duhet të nisë koha të kujdesen edhe për lëkurën. Nuk duhet të përdoren sapunë tepër agresivë për pastrimin e lëkurës dhe duhet të shmangen gjithë pastruesit me bazë uji si: shkuma, sapuni dhe xheli. Do të jetë më mirë nëse do të përdoren produkte me bazë vaji, që janë të pasur me substanca yndyrnash. Për të hequr tualetin merrni një shuk pambuku të lagur me ujë mineral dhe hidhni në të pak vaj pastrues.
30-vjeçaret
Duke filluar nga mosha 30 vjeç, lëkura fillon të humbasë disi aftësitë e saj për t’u rigjeneruar, prandaj hapi i parë që duhet bërë është të nisni të përdorni një krem që ju ndihmon për hidratimin e lëkurës. Përveç kësaj, duhet të tregohen të kujdesshme edhe për ushqimin që përdorin, sepse produktet ushqimore me bazë acide të yndyrash ndihmojnë për ruajtjen e ekuilibrit hidrolipidik të lëkurës.
40-vjeçaret
Në këtë moshë lëkura është shumë më pak tonike dhe rrudhat fillojnë të duken më shumë. Lëkura bëhet më e brishtë dhe e hollë, rrudhet dhe skuqet lehtësisht. Në këto raste këshillohen liftinge, për të hequr qelizat e vdekura dhe për t’i dhënë fytyrës shkëlqim, si dhe të përdoret një hidratues me përmbajtje filtrash kundër rrezeve të dëmshme të diellit.
50-vjeçaret
Kalimi i kohës sjell ndryshime rrënjësore në strukturën e lëkurës. Kështu, dendësia e lëkurës hollohet, konturet humbasin kompaktësinë, rrudhat bëhen më të theksuara dhe qelizat e kanë shumë të vështirë për t’u rigjeneruar. Për këtë arsye këshillohen kremrat hidratues. Por këshillohen dhe disa “ushtrime” të përditshme, për të ruajtur elasticitetin e muskulaturës së fytyrës dhe për të nxitur aftësinë e qelizave për të përthithur më mirë principet hidratuese të produkteve që përdorni.
Faqja 16
Maskat e fytyrës, cilat duhet të zgjidhni
Sipas llojit të lëkurës dhe problemit që keni, zgjidhni maskën e duhur, e cila do t’ju dhurojë, pikërisht atë që keni nevojë, me qëllim që fytyra juaj të shkëlqejë përsëri, plot shëndet dhe freski. Fytyra duhet të pastrohet me kujdes dy herë në ditë: në mëngjes dhe në darkë. Dhe për çdo herë nuk duhet të mungojë kremi i ditës apo i natës. Ky është rregulli që parashtrohet në estetikë, ku për maskat e fytyrës jepen këshilla të posaçme. E gjithë procedura e përdorimit të maskës bazohet në tre elemente: dëshirë, durim dhe kohë në dispozicion. Ndaj kur të vendosni të përdorni maskën që i kombinon llojit të lëkurës suaj, zgjidhni një ditë të lirë, pa shumë detyrime, me qëllim që të ndiqni me kujdes të gjithë procedurën. Por edhe nëse koha është shumë e kufizuar për ju, vendosni maskë qoftë edhe një herë në javë.
Zgjidhni maskën që iu kombinon
Për të zgjedhur maskën e përshtatshme, domethënë atë që i përgjigjet me saktësi nevojave të lëkurës suaj, mendoni se çfarë kërkoni në atë moment: hidratim, shkëlqim, ushqim, tendosje, ajrosje etj. Ka shumë mundësi që të keni nevojë edhe për dy apo më shumë maska, nëse lëkura juaj është e përzier ose paraqet nevojat të ndryshme në zona të ndryshme, si për shembull: e yndyrshme në ballë, hundë dhe mjekër dhe e thatë në pjesën tjetër të fytyrës. Gjithashtu, madhësia e problemit përcakton se sa herë duhet të përdorni maskë. Zakonisht, mjafton një herë në javë, por nëse lëkura juaj është shumë e thatë, atëherë do të keni nevojë për më shumë herë. Mos harroni gjithashtu, se nevojat e lëkurës varen edhe nga stina, niveli i hormoneve dhe gjendja psikologjike.
Nevojat tuaja
Nëse keni lëkurë të thatë
Maskat më të përshtatshme janë ato hidratante. Përpiquni që lëkura juaj të jetë e lagësht me qëllim që maska të aktivizohet lehtë dhe shumë shpejt. Vendosni në të gjithë fytyrën (përveç syve dhe buzëve) një shtresë të trashë. E lini të veprojë për sa kohë që këshillojnë përgatitësit e saj. Mos e shpërlani, por me një pambuk hiqni me kujdes atë pjesë që lëkura nuk arriti ta thithte. Nëse dëshironi të trefishoni rezultatin, përdorni, menjëherë më pas, një krem ushqyes.
Nëse lëkura është e yndyrshme
Maskat më ideale për këto raste janë pastrueset. I përdorni ato rregullisht dhe mos harroni të bëni piling me një produkt të butë, gati 2 herë në javë. Shmangiuni zonës së ndjeshme të syve dhe mos e lini maskën që të veprojë më pak ose më shumë se sa rekomandojnë përgatitësit e saj. Nëse e hiqni më shpejt se ç’duhet, nuk do të jetë thithur dhe poret nuk do të jenë pastruar deri në thellësi, ndërkaq është e padobishme që ta mbani më shumë orë pasi nuk do të keni rezultat më të mirë.
Nëse keni lëkurë të ndjeshme
Një pastrim i thjeshtë me ujë të destiluar, përpara se të vendosni maskën, forcon veprimin kurues. Pastroni lëkurën me pambuk ose shami letre, pa e fërkuar fort. Vendosni maskën dhe shtrihuni në kanape, duke u qetësuar për sa kohë që ajo vepron. I mbuloni sytë me pambuk të lyer me kamomil dhe shijoheni këtë moment shlodhësh që nuk shkon më shumë se 10 minuta.
Nëse lëkura juaj është e lodhur
Pavarësisht nga lloji i saj, ka momente që lëkura duket e lodhur, pa shkëlqim sikur të mos ketë jetë në të. Në këto raste një maske rigjeneruese me xhel Aloe vera dhe vitaminat A, C, E do të ndihmonte që të vinte në vete dhe të fitonte shkëlqimin e mëparshëm, sikurse edhe do të luftonte rrudhat dhe do të tendoste lëkurën.
Një maskë për çdo rast
Hidratantet
Janë të pështatshme për lëkurat e thata dhe shumë të thata, të cilat ose paraqesin mungesë lagështie të përhereshme ose vuajnë herë pas here nga thatësia. Të pasura me Aloe vera, proteina qumështore, banane, mjaltë dhe vitaminë E, maskat hidratante ushqejnë lëkurën e uritur me lagështirë, duke lehtësuar funksionin e qelizave dhe frymëmarrjen e lëkurës.
Kurueset
Përmbajnë kamomil dhe përbërje të tjera që “qetësojnë” lëkurën e irrituar, duke ndihmuar në funksionimin më të mirë të lëkurës. Gjithashtu, përdoren edhe për lëkura me puçrra.
Tendosëset
Janë të mira për lëkura më të pjekura, që kanë filluar të paraqesin shenja rënieje. Ato ndihmojnë në tendosjen e lëkurës dhe zhdukjen e gjurmëve të viteve mbi fytyrë (në shumicën e rasteve vetëm përkohësisht).
Për pastrim në thellësi
Këto maska përdoren për lëkurat e yndyrshme (zakonisht për moshat e reja). Arrijnë të pastrojnë poret si dhe të pengojnë shfaqjen e puçrrave dhe shenjave të zeza. Zakonisht, maskat e pastrimit janë të pasura me vitamina, por përmbajnë edhe argjil (me ngjyrën e zakonshme të gjelbërt).
Për shkëlqim dhe rigjenerim
Këto maska kanë në përbërje vitaminë C dhe duke bërë një pastrim të lehtë të lëkurës, arrijnë të largojnë qelizat e vdekura dhe i japin asaj shkëlqimin e nevojshëm. Mund t’i përdorni pak para se të vendosni makiazhin.
Maskat-ekspres
Veprojnë në kohë rekord (vetëm 5 minuta) dhe i japin lëkurës freski e shkëlqim. Por ato janë të rezultatshme kryesisht në fytyra që nuk paraqesin probleme.
Si vendoset maska
Pak para se të vendosni çfarëdolloj maske, duhet ta pastroni lëkurën me shumë kujdes (në fytyrë dhe qafë).
Vendosni një shtresë të trashë në fytyrë e qafë dhe zbatoni me saktësi udhëzimet që japin përgatitësit. Ndonëse, maskat-ekspres kërkojnë pak kohë (vetëm 5 minuta), shumica e maskave të tjera duhet të qëndrojnë mbi lëkurë më shumë se 10 minuta.
Në asnjë rast maska nuk duhet përhapur në zonën e syve dhe në buzë, përveç se në rastet kur produkti këshillohet edhe për këto zona.
Maska hiqet nga lëkura, duke përdorur pambuk dhe më pas ujë të bollshëm. Zakonisht menjëherë më pas përdoret krem i posaçëm.
Përdorni maska që kombinojnë me llojin e lëkurës suaj.
Shmangiuni maskave me fruta, nëse keni lëkurë të ndjeshme.
Preferoni ta vendosni maskën menjëherë sapo keni bërë një banjo të ngrohtë, kur poret janë ende të hapura dhe i japin mundësi maskës të veprojë më mirë.
Mos preferoni maska që paralelisht pastrojnë në thellësi, nëse keni puçrra.
Mos harroni se maskat janë të nevojshme, por ato nuk mund të zëvendësojnë përdorimin e produkteve të tjera kozmetike për fytyrën.
17
Mbrojtja e lëkurës
Antioksiduesit, agjentë mbrojtës të lëkurës
Vitrinat e dyqaneve janë plot me produkte për lëkurën dhe shumë prej tyre premtojnë heqjen e rrudhave, disa zbutjen e lëkurës e të tjera janë kundër acarimit dhe infektimit. Këto rezultate vijnë si efekt i antioksiduesve. Antioksiduesit janë agjentë që e mbrojnë lëkurën nga dëmtimi që mund të shkaktohet nga reaksionet kimike mbi fytyrë. Ka disa faktorë të ndryshëm si irritimi, tharja nga të ftohtit, dielli i forte dhe smogu që krijonë radikale të lira. Këto radikale mund të japin kontribut në procesin e shkatërrimit të qelizave të reja dhe të shëndetshme të lëkurës. Antioksiduesit si për shembull vitamina C dhe E i luftojnë këto radikale të lira dhe prandaj kompanitë e mëdha të produkteve kozmetike po mundohen dita-ditës që të gjejnë mënyrat më efektive për të shpërndarë ato mbi lëkurë.
Vitaminat C dhe E parandalojnë plakjen
Deri pesë vite më parë dermatologët nuk besonin se lëkura mund t’i përthithte vitaminat nëse ato aplikoheshin në sipërfaqe. Por sot shume prej kompanive kozmetike po eksperimentojnë për të bërë të mundur që vitaminat të japin efekt në zonat në të cilat aplikohen. Shkencëtarët thonë se konsumimi i vitaminave C dhe E në sasitë e duhura ndihmon shumë në parandalimin e plakjes së qelizave të lëkurës. Për t’u kujdesur për lëkurën e fytyrës duhet të konsumoni vitaminë C dhe E çdo ditë, ose fruta që i kanë këto vitamina; si dhe të keni kujdes kur të zgjidhni kremrat që reklamohen nëpër dyqane. Shihni për kremra që bllokojnë rrezet e dëmshme të diellit, dhe që përmbajnë vitaminat C dhe E, si dhe acidet Alfa-Hidroksike.
Acidet Alfa largojnë qelizat e vdekura
Një faktor mbrojtës për lëkurën dhe rigjallërimin e saj janë Acidet Alfa-Hidroksike. Këto acide vijnë nga ushqime natyrale si qumështi, portokalli, limoni, sheqeri etj. Por ato mund edhe të prodhohen kimikisht. Dermatologët janë të sigurt se këto acide zbusin lëkurën dhe ndihmojnë në procesin e largimit të qelizave të vdekura, duke sjellë në pah qelizat e reja dhe të shëndetshme. Në të njëjtën kohë këto acide kurojnë dëmtimin e lëkurës nga rrezet e diellit. Përdoruesit e Acidit Alfa-Hidroksik për një kohë të gjatë dhe në mënyrë sistematike kanë treguar shenja përmirësimi në zbutjen e lëkurës, rrallimin e rrudhave dhe largimin e qelizave të shtresës se vdekur sipërfaqësore të lëkurës.
Edhe lëkura e meshkujve ka nevojë për kujdes
Lëkura e mashkullit nuk është aspak e ndryshme nga ajo e femrës, përveç zonës ku ata rruhen. Ka meshkuj me lëkura të yndyrshme, të thata dhe kombinime të këtyre. Shumë prej tyre as që nuk e dinë se në ç’kategori hyjnë dhe nëse do të interesoheshin për lëkurën e tyre do t’u dukej si shenjë homoseksualiteti. Ka shumë produkte për meshkuj, të cilat prodhohen nga firma të njohura ose jo. Është mirë që edhe meshkujt të kujdesen për lëkurën e tyre, e jo vetëm të mjaftohen me pastrimin e saj me ujë e sapun. Në farmaci dhe qendra kozmetike gjenden pastrues dhe kremra, të cilat ndihmojnë për një pamje më të shëndetshme të lëkurës. Produktet mashkullore në përgjithësi kanë aromën karakteristike të parfumeve gjithashtu mashkullore, kështu që përbën problem prania e një locioni mbi lëkurën tuaj.
Dush me mjaltë
Mënyra më e mirë për t’u relaksuar pas një ditë të lodhshme pune dhe për të eliminuar çdo tension, fshihet pas një banje relaksuese. Për këtë, mjafton të përzieni tre lugë kanellë, dy me mjaltë e tri pika esencë livandoje. Pasi t’i përzieni mirë, fërkoni trupin me masën për të paktën 5 minuta. Mos harroni që trupin duhet ta shpëlani me ujë të vakët, në mënyrë që maska të mos fshihet totalisht. Do të shihni se përveçse do të keni një lëkurë të lëmuar, do t’ju ndihmojë të çlodheni.
Masazh vaniljeje
Për të hidratuar e për të ushqyer lëkurën tuaj, nuk ka gjë më të mirë se vaji. Natyralisht, nuk mund ta përdorni ashtu si është. Përzieni gjysmë filxhani vaj luledielli me gjysmë luge kanellë pluhur e gjysmë luge esktrakti vaniljeje. Lërini për gati 12 orë, në mënyrë që vaji të përthithë plotësisht dy aromat, më pas filtronjini dhe më pas hidheni në një shishe të qelqtë me mbyllje hermetike. Nëse doni të ketë aromë më të fortë, fusni në shishe pak kanellë. Do të shihni se lëkura e trupit do të jetë më e butë, e tonifikuar dhe e shëndetshme.
Njollat në lëkurë
Trajtimi i njollave bëhet me preparate, të cilat duhet të përdoren në darkë pas trajtimit të fytyrës me late dhe tonik. Këto medikamente mund të jenë në forma të ndryshme, si ampulë, serum, xhel dhe krem. Përdorimi i tyre duhet të aplikohet me shumë kujdes, duke iu përshtatur tipit të lëkurës, (e thatë, normale dhe yndyrshme). Personave me lëkurë normale apo të yndyrshme iu përshtatet më mirë ampula dhe xheli, pasi aplikimi i kremit është më i lehtë, por shumë më i vështirë për t’u përthithur. Ndërsa tek fytyrat e thata është më specifik përdorimi i kremit, ndërkohë që në raste emergjente serumi dhe ampulat japin një efekt më të shpejtë dhe anë të rekomandueshme. Ajo që nuk duhet të harrohet asnjëherë është fakti që fillimisht duhet t’i aplikojmë kremrat në pjesën e njollave, dhe vetëm në momentin që preparatet kanë bërë efektin zbardhës, mund t’i përdorim në të gjithë fytyrën për të krijuar njëtrajtshmëri. Në rastin e lëkurave të nxira në mënyrë të njëtrajtshme nga rrezatimi diellor, mund ta aplikojmë në të gjithë fytyrën. Ndërsa në moshat mbi 30 vjeç, krahas trajtimit të njollave duhet të realizohet edhe përdorimi i skrupit ose i ekspoliantit, i cili shërben për pastrimin e poreve në thellësi, si dhe për shkëputjen e qelizave të vdekura. Afati kohor i përdorimit të këtyre substancave zbardhuese nga njollat është i pa përcaktuar, por mund të aplikohen deri në momentin e zhdukjes së tyre totale.
Shkaku i daljes së njollave në fytyrë, ka origjina të ndryshme
Ekspozimi në diell i fytyrës në mënyrë të pa mbrojtur
ndryshimet hormonale
Përdorimi i mjeteve mbrojtëse nga shtatzënia, si pilulat orale etj
Ushqimi pa vitamina si dhe i pa kontrolluar
Dobësimi i menjëhershëm
Përdorimi i produkteve kozmetike të pa përshtatshme
Radikalet e lira
Sipas studimeve të fundit estetike, një shkak shumë domethënës për shfaqjen e njollave është edhe shkëputja e radikaleve të lira, të cilat në sezonin e nxehtë këto janë në sasi të madhe, ku edhe stresi është një shkatërrues tjetër. Radikalet e lira e bëjnë sulmin në fytyrë, nëpërmjet uljes së rezistencës së lëkurës si dhe humbjen e elasticitetit, dhe në këtë lloj mënyre ata shfaqin plakjen e parakohshme. Por estetistja thekson si shkaktar të rënies së shkëlqimit dhe mungesën e gjumit.
Zgjedhja e kremit për njolla
Ajo çka është më kryesorja, të gjitha preparatet, të cilat janë të këshillueshme për eliminimin e njollave duhet të kenë në përbërjen e tyre acid koik, retinal, retinal acid glikolik si dhe vitaminat C dhe E. Sezoni i vjeshtës është quajtur prej vitesh sipas specialistëve si stina ideale për të fituar atë çfarë dielli na ka marrë në shkëlqimin e fytyrës. Pasi intensiteti i rrezatimit diellor bie dhe si rrjedhim efekti i produkteve për eliminimin e shenjave është në maksimum në këtë periudhë. Ajo ç’ka duhet të ngulitet mirë tek të gjithë femrat, është fakti se mbrojtja nga rrezet e diellit duhet të vazhdojë gjatë gjithë vitit.
Faqja 18
Maska nga kuzhina për fytyrën
Lëkura përbëhet nga tri shtresa: Epiderma, Derma dhe Ipoderma shtresa nënlëkurore e emërtuar ndryshe subkutane.
Epiderma
Është shtresa e jashtme e lëkurës (ajo që shihet dhe preket). Vetë epiderma përbëhet nga 4 shtresa. Llojet e ndryshme të qelizave të lëkurës formohen në shtresën më të brendëshme të epidermës (shtresa germinative) dhe dalin në shtresën më të sipërfaqshme (shtresa korneale). Gjatë këtij procesi, qelizat e gjalla shndërrohen në të vdekura. Qelizat e vdekura në sipërfaqe bien vazhdimisht duke i lënë vendin qelizave të reja që vijnë nga poshtë. Shtresa korneale e epidermës është shtresa e parë mbrojtëse e organizmit.
Derma
Përbën bazën e lekurës. Ajo përmban enë gjaku dhe limfatike, gjëndra djerse, folikula qimesh, gjëndra sebace dhe mbaresa nervore. Të gjitha këto lidhen së bashku nga kolagjeni dhe fibrat e elastinës të cilat i japin lëkurës forcën dhe fleksibilitetin.
Ipoderma
Shtresa nënlëkurore (subkutane): Është një shtresë dhjamore që jo gjithmonë konsiderohet pjesë e lëkurës. Gjithsesi mirqënia e saj ndikon drejtpersedrejti në mirqënien e dermës dhe të epidermës.
Tipat e lëkurës:
Në përgjithsësi ato janë: normale, e yndyrshme, e thatë dhe e kombinuar. Ato përcaktohen në vartësi të nivelit të yndyrës dhe thatësise. Zakonisht tipi i lëkurës varet nga madhësia e poreve.
Lëkura normale: Ka një përbërje të ekuilibruar uji dhe yndyre. Poret janë mesatare.
Lëkura e yndyrshme: Ka një teksturë të trashë. Zakonisht zonat yndyrore shkëlqejne. Fytyra e yndyrshme rezulton nga ekzistenca e gjëndrave dhjamore hiperaktive, yndyra shkakton mbajtjen e qelizave të vdekura në folikujt e qimeve. Poret janë më të mëdha.
Lëkura e thatë: Ka një teksturë të ashpër. Nuk ka zona të ndritshme, në të kundërt lëkura duket e fjetur. Poret janë zakonisht të vogla sepse sasia e yndyrës është e pakët. Me kalimin e moshës, lëkura e thatë është e prirur të krijojë rrudha.
Lëkura e kombinuar: Është një përzierje midis zonave të thata e të yndyrshme në shkallë të ndryshme. Zakonisht zona T, (balli, hunda dhe mjekra) janë të yndyrshme, ndërsa mollzat dhe qafa janë të thata.
Maskat
Për ta mbrojtur lëkurën tuaj nga efektet anësore të preparateve të ndryshme artificiale të cilat i ofrojnë prodhuesit, ja disa këshilla natyrale për kujdesin ndaj fytyrës suaj.
Maskë për ngritje të natyrshme
Rrihni mirë të bardhën e vesë, vendoseni në fytyrë dhe le të qëndrojë 15 minuta. Pastaj lajeni fytyrën me ujë pak të ngrohtë, dhe lyeni lëkurën me krem hidratues. Efektet e këtij trajtimi vërehen menjëherë dy orë pas larjes së fytyrës, mirëpo nëse këtë e përsëritni disa javë, rezultatet do të jenë të përhershme.
Maskë për lëkurë të thatë
Rrihni mirë një ve të plotë, dhe vendoseni në fytyrë. Kur të thahet e leni dhjetë minuta të shfaq efektin e vet në lëkurën e fytyrës suaj. Pastaj lani fytyrën me ujë të ftohtë dhe e lyeni me vaj bajameje ose me vaj ulliri.
Tretësirë uthulle kundër akneve
Në një litër ujë të vluar, të ftohur, shtoni një lugë uthulle të mollës. Me një pambuk vendoseni tretësirën në fytyrë çdo natë para se të flini dhe skuqja do të pakësohet nga dita e dytë, po ashtu to të zvogëlohet edhe numri i akneve. Ndërsa nëse kjo nuk ka sukses atëherë duhet ta vizitoni dermatologun.
Majdanozi i largon mitiserat
Majdanozin e imtësuar mirë vendoseni në vendin ku keni mitisere. Pastaj me ujë të nxehtë lajeni fytyrën, me qëllim që lëngu i majdanozit të depërtojë thellë në lëkurë. Pastaj shumë lehtë do të mund ta largoni mitiserin me ndihmën e një pambuku.
Maskë nga mjalti
Disa lugë mjalti i ngrohni dhe i përzieni me një lugë lëngu të limonit. Pasi t’i keni përzier disa minuta, i leni që të ftohen. Vendosni në fytyrë dhe i leni të qëndrojnë 10-15 minuta. Pas kësaj kohe, fytyrën lajeni me ujë të ftohtë.
Aknet do të zhduken menjëherë nga fytyra, nëse i lyeni disa herë brenda ditës me një pambuk të lagur në lëngun e limonit. Të njëjtën gjë përsëriteni disa herë brenda ditës, derisa aknia të tërhiqet.
Maska nga avokado për lëkurë të thatë
Përzieni dy lugë mjaltë me ca avokado të shtrydhur, një lugë uthulle të mollës, tri lugë vaj ulliri dhe tri lugë të ndonjë kremi i cili ka pH-faktorin neutral. Mbajeni këtë maskë në fytyrë 20 minuta dhe pastaj lajeni me ujë të vakët. Në këtë mënyrë lëkura fiton lagështi të posaçme, bëhet e njomë, ndërsa acidet esenciale të avokados ndihmojnë në përtëritjen e indit lëkuror.
Maskë për lëkurë të yndyrshme dhe format tjera të lëkurës
Një lugë tharmi të freskët me dy lugë nga gjethet mendër, të zbutura në ujë, dhe dy lugë të ndonjë kremi me pH-faktorin neutral, vendosini në fytyrë dhe i leni të qëndrojnë 15 minuta, pastaj fytyrën e lani me ujë të vakët. Në fund vendoseni kremin të cilën zakonisht e përdorni.
Maskë nga dredhëzat
Përzieni disa dredhëza dhe vendosini në fytyrë. Pas 10 minutash largojeni maskën. Fytyrën lajeni, në fillim me ujë të nxehtë, pastaj me ujë të ftohtë dhe lyejeni me vaj nga bajamja ose me vaj ulliri. Kjo maskë rekomandohet vetëm për ata të cilët nuk janë alergjik në dredhëza.
Maskë përkëdhelëse
Përzieni dy lugë nga lëvozhga e grimcuar e limonit, dy lugë mielli të misrit, gjashtë lugë bajame të grimcuara dhe dy deri tri lugë ujë. Maskën vendoseni në fytyrë dhe bëni masazh të butë me lëvizje rrethore për disa minuta. Lajeni fytyrën me ujë të vakët dhe fshijeni me peshqir të butë dhe në fund vendosni krem hidratues.
8 sekrete për të qenë të bukur
Për të qenë të bukur asnjëherë nuk duhet të lini gjithçka në dorë në natyrës dhe është e nevojshme që edhe ju të kujdeseni për veten tuaj. Receta për të arritur është shumë e thjeshtë: ushtrime dhe mesazhe çdo ditë. Dita duhet të nisë e qetë dhe të mbyllet duke qenë të çlodhur. Rezultati? Lëkurë e freskët dhe e shkëlqyeshme gjatë gjithë ditës.
4 sekretet e ditës
gjithçka varet nga mënyra se si zgjoheni. Nëse dita juaj nis në mënyrë të këndshme, do të jeni e mbushur me energji dhe kështu lëkura juaj do të ketë një pamje më të bukur dhe të tonifikuar. Për të arritur këtë mjafton vetëm pak kujdes.
1. Një zgjim i qetë
Vendosi dy alarme zgjimi me një distancë kohore 10 minuta nga njëra-tjetra. Kjo është koha që i duhet trupit për të kaluar butësisht nga gjendja e gjumit në zgjim. Pranë shtratit mbani një gotë me ujë për t’i hedhur disa pika ujë fytyrës, në qafë dhe te krahët. Kjo do t’ju japë një ndjesi freskie dhe do të ndihmojë edhe lëkurën të zgjohet. Më pas, pini një gotë ujë para se të keni ngrënë mëngjes, pasi kjo do t’ju ndihmojë të pastroni organizmin nga toksina e akumuluara.
2. Bëni pak gjimnastikë
Ngrihuni nga shtrati ngadalë dhe pa u sforcuar. Kur të jen ngritur në këmbë hapni krahët duke i larguar ato sa më shumë të jetë e mundur. Më pas drejtoi lart, mbi kokë, sikur doni të kapni diçka që është shumë lart jush. Qëndroni kështu për 20 sekonda dhe më pas çlodhuni. Ky ushtrim do t’ju ndihmojë të largoni mpirjen e trupit, të çtendosni shpinën dhe kurrizin si dhe të tërhiqni sa më shumë të jetë e mundur shtyllën kurrizore.
3. Frymëmarrja
Hapni dritaret për të lejuar ajrin e pastër në futet në dhomë. Ndërkohë rrotulloni krahët e mbledhur në mënyrë që të çtendosen shpatullat. Mbi kokë vendosni një peshqir dhe qëndroni në këtë pozicion, duke marrë frymë dhe e nxjerrë atë qetësisht të paktën 2 minuta. Gjatë dushit ujit duhet të hapet në maksimum në mënyrë që të bjerë mbi lëkurën tuaj me forcë. Këshillohet që të mos laheni me ujë të nxehtë. Sa më i freskët të jetë aq më shumë tonifikon lëkurën e trupit. Pak esencë eukalipti, e derdhur në vaskë apo në banjë, do t’ju ndihmonte të merrnit frymë më lirshëm.
4. Përdorni kremrat
Pas dushit fshihuni me një peshqir të ashpër, duke e fërkuar lëkurën me forcë, në mënyrë që të ndihmoni qarkullimin e gjakut. Pasi të fshiheni masazhoni trupin me një krem hidratues apo me një esencë aromatike. në këtë mënyrë do të keni një zgjim të këndshëm, do të jeni gati për ditën e gjatë dhe lëkura juaj do të jetë e freskët dhe e shkëlqyeshme.
4 sekretet e mbrëmjes
1. Banjë çlodhëse
Pas ditës së gjatë të punës është shumë e nevojshme të bëni një banjë çlodhëse, shumë e rëndësishme për të gjithë trupin. Mund të zgjidhni një pushim të gjatë në vaskë apo një dush të shpejtë. Sido që të jetë preferenca juaj asnjë ditë nuk duket të hiqni dorë nga dushi pas pune.
2. Masazh për barkun
Masazhoni barkun përreth kërthizës me lëvizje në formë rrethore të paktën për 2 minuta. Këtë gjë mund ta bëni ndërsa jeni duke u larë në vaskë apo në dush. Ky është masazhi që femrat aziatike u bëjnë fëmijëve të tyre për të pushuar së qari si dhe për t'i ndihmuar të flenë shpejt.
3. Masazh për kokën
Pasi të keni larë dhe shpëlarë mirë kokën masazhoni rrënjët e flokëve duke kruar lëkurën e kokës me shumë delikatesë. Më pas, tërhiqini flokët lehtë dhe pas pak nisni sërish masazhin. Kjo është një teknikë indiane që ka një efekt të jashtëzakonshëm për çlodhjen e menjëhershme të të gjithë trupit.
4. Një çaj qetësues
Para se të shtriheni këshillohet të pini një çaj të ngrohtë më bazë bimësh. Pasi çaji të jetë gati hidhni një lugë mjaltë dhe lëreni të ëmbëlsohet për pesë minuta, më pas është gati për t’u pirë. çaji në mbrëmje është qetësuesi ideal për t'u çlodhur.
Faqja 19
Si ta ruajmë sa më gjatë ngjyrën e plazhit
Pasi mbarojnë pushimet i vetmi kujtim që na mbetet është ngjyra që kemi marrë dhe si çdo vit ideja se dhe ngjyra do të largohet na trishton paksa. Ja disa këshilla për të qenë “të zeza” në një kohë sa më të gjatë.
1-Fjala kyç është: hidratim. Për këtë vazhdoni të hani shumë fruta dhe perime dhe të pini të paktën një litër e gjysmë ujë çdo ditë për të hidratuar nga brenda lëkurën tuaj.
2-Kur bëni banjë lëreni menjanë sapunin e zakonshëm dhe përdorni produkte të veçanta që e hidratojnë në maksimum lëkurën si për shëmbull vajrat.
3 - Në qoftë se ju ripet lëkura mos hezitoni që ta fërkoni gjatë larjes për të larguar qelizat e vdekura. Ndryshe nga ajo që mendohet nuk do të heqë ngjyrën e lëkurës suaj por do ta bëjë atë të ndritshme. Për këtë mund të përdorni dhe një peshqir të njomur, paksa të ashpër.
4 - Kujtohuni që ta hidratoni gjithmonë lëkurën në mbrëmje dhe në mëngjes dhe pas çdo dushi që bëni. Janë të këshillueshme kremrat hidratues dhe kremrat pas diellit që në të njëjtën kohë dhe e freskojnë lëkurën.
5 - Fytyra meriton një trajtim special. Trajtojeni fytyrën me produkte deklikate dhe aplikoni rregullisht (dhe çdo dy ditë në qoftë se është e mundur) maska ushqyese.
6 - Në qoftë se në lëkurë fillojnë t’ju shfaqen disa njolla më të errta se sa pjesa tjetër (janë shenja që ngjyra që keni marrë gjatë pushimeve po largohet) aplikoni në këto zona një krem zbardhues.
Dieta e nxirjes
Kur qëndrojmë në diell në fund të fundit dëshirojmë vetëm dy gjëra: të nxihemi dhe të ruajmë lëkurën tonë nga efektet dëmtuese të rrezeve ultraviolet. Hapi i parë për të realizuar këto dy kërkesa është një dietë ushqyese e duhur.
Për të favorizuar nxirjen rekomandohen frutat dhe perimet me ngjyrë të verdhë, portokalli dhe jeshile të errët, kjo për arsye sepse përmbajnë betakarotinë, substancë që stimulon formimin e melaninës dhe që na jep ngjyrën çokollatë aq të preferuar dhe në të njëjtën kohë mbron lëkurën tonë. Për të mbrojtur rrënjësisht lëkurën dhe për të parandaluar plakjen e parakohshme duhet të merren vitaminat A, C, E dhe seleni, metal që rinovon qelizat e lëkurës dhe organizmin tonë. Por para se të filloni një dietë të përcaktuar, ja disa rregulla të përgjithshme që mund t’ju vijnë në ndihmë: Mundohuni të pini të paktën një litër ujë në ditë; Evitoni pirjen e alkoolit gjatë ditës sidomos në qoftë se jeni në diell; Zvogloni përdorimin e kripës; Edhe në qoftë se doni të dobësoheni, mos hiqni dorë nga vaji i ullirit apo nga vajra të tjerë, sepse janë të nevojshëm për organizmin, për ta ndihmuar në asimilimin e betakarotinës.
Dieta që duhet të ndiqni ditë pas dite
Mëngjesi (për çdo ditë)
Një gotë qumësht të skremuar ose një gotë kos me fruta, pa yndyrë.
Katër biskota me pak marmalatë ose katër lugë me cornflakes.
Dita e parë
Dreka: Makarona të pregatitura me vaj ulliri, hudhra, majdanoz, piper, speca, kripë.
Spinaq të zier të pregatitur me vaj ulliri dhe limon.
Pasditja: 3 kajsi
Darka: Lakër e gatuar me vaj ulliri, një panine, sallatë me fruta, qershi, kajsi, pjeshkë dhe një banane.
Dita e dytë
Dreka: Makarona me domate të gatuara me vaj ulliri, domate borzilok, hudhra, kripë dhe pak djathë të shkrirë, karrota të grira të përziera me lëng limoni.
Pasditja: dy feta ananas.
Darka: Mish të bardhë pule gatuar me vaj ulliri, sallatë me lakër dhe karrota të përziera me lëng limoni, një panine, një frut.
Dita e tretë
Dreka:Makarona të pregatitura me vaj ulliri, domate, hudhra, kripë, speca të grirë, sallatë me lakër, karrota dhe fasule.
Pasditja: Tre kajsi.
Darka: Djathë të bardhë, sallatë me domate, një panine, një akullore me fruta.
Dita e katërt
Dreka: Spageti me ton të pregatitura me: ton, vaj ulliri, majdanoz, hudhra, kripë, piper. Speca të verdhë dhe të gjelbër të pjekur. Pasditja: Një dardhë të madhe
Darka: Troftë e mbledhur e pregatitur me: domate, vaj ulliri, limon, kripë, piper. Sallatë me karrota të grira, një grepfrut.
Dita e pestë
Sallatë me oriz të pregatitur me: karrota, bizele, domate të freskëta, speca, vaj ulliri, kripë. Barëra të ziera të përziera me lëng limoni
Pasditja: Një sallatë frutash me qershi, pjeshkë, kajsi, e përzier me lëng limoni.
Darka: Pica Margerita, lakër e përzier me domate dhe vaj ulliri, dy kivi.
Dita e gjashtë
Dreka: Makarona me perime të pregatitura me: vaj ulliri, hudhra, karrota, kunguj, kripë, domate, majdanoz, piper.
Perime sipas dëshirës të pjegura në grilë.
Pasditja: Një banane.
Darka: Një spec të mbushur me oriz dhe perime, sallatë me domatë të përzier me vaj ulliri, një panine.
Dita e shtatë
Dreka: Supë me perime, sallatë me karrota, domate dhe lakër të përzier me vaj ulliri.
Pasditja: 4 kajsi.
Darka: Peshk i pjekur në grilë me limon dhe vaj ulliri, spinaq i zier me lëng limoni, një panine, një banane.
Pas djegies nga dielli
Nëse njeriu është djegur nga rrezet e dielli, nuk mbetet shumë për të bërë. Këshillohet që në këtë fazë, për t´u mbrojtur nga kanceri i lëkurës i shkaktuar nga marrja e tepruar e rrezeve të diellit, të mirren hape vaji peshku ose të lyhet lëkura me vaj ulliri. Sipas një studimi të bërë nga Universiteti Mbretëror i Liverpool-it ka dalur se nëse mirret dhjetë miligram vaj peshku në ditë për tre muaj me rradhë, lëkura merr një mbrojtje të brendshme përkundër veprime dëmtuese të diellit. Disa studiues mendojnë se gjithashtu marrja e vitaminave C dhe E mund të ndihmojë lëkurën të marrë veten. Kur njeriu është djegur, duhet të presë një javë që lëkura të marrë veten përpara se të marrë përsëri rreze dielli. Një ngushëllim për ata që janë djegur është ai që nuk është vetëm djegia e çastit ajo që çon drejt kancerit në lëkurë. Besohet që ka të bëjë edhe me sasinë e rrezeve ultravioletë të cilave u nështrohet trupi ynë. Por me rëndësi në sa më sipër është edhe sasia e përgjithshme e rrezeve të cilave trupi yni i nënshtrohet përgjatë jetës. Prandaj nuk duhet tepruar me marrje rrezesh dielli.
31 Maj 2008