E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedonia mes heshtjes zgjedhore dhe etheve të votimit

Partitë kryesore: VMRO-DPMNE dhe “Dielli, koalicion për në Europë”. Cërvenkovski bën thirrje për zgjedhje korrekte dhe demokratike

Maqedonia ndodhet në prag të zgjedhjeve të përkohshme. Sot hyri në fuqi heshtja zgjedhore dhe partitë politike kanë ia prezantuar elektoratit gjatë fushatës 20-ditore programet e tyre. Fushata u shoqërua me tensionim të situatës sidomos ndërmjet partive shqiptare, PDSH dhe BDI, të cilat hodhën akuza ndaj njëra-tjetrës. Dy partitë kryesore për të cilat do të votohet janë: Partia VMRO-DPMNE e kryeministrit në largim Nikolla Gruevski, e cila ka krijuar koalicionin me 18 parti të tjera më të vogla me moton “Për një Maqedoni më të mirë” dhe blloku i dytë i partive maqedonase në këto zgjedhje, nën moton “Dielli, koalicion për në Europë”, i cili përbëhet nga tetë parti dhe drejtohet nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë. Koalicioni i parë ku bën pjesë edhe partia shqiptare PDSH e kryesuar nga Menduh Thaçi është angazhuar për mirëqenie sociale dhe ekonomike, për zvogëlimin e numrit të të papunëve si dhe nxitjen e investimeve nga jashtë përmes krijimit të zonave të lira tregtare dhe duke mundësuar lehtësime ligjore për investitorët e huaj. VMRO-DPMNE ka theksuar se çështja më e ndjeshme për popullin maqedonas, zgjidhja e kontestit me Greqinë fqinje rreth emrit kushtetues të Maqedonisë, mund të zgjidhet vetëm me referendum. Koalicioni tjetër i kryesuar nga Radmilla Sheqerinska është shprehur kundër idesë për mbajtjen e referendumit pasi ai do të ngadalësonte edhe më shumë procesin e integrimit të vendit. Kontesti i emrit me Greqinë sipas Sheqerinskës është i zgjidhshëm dhe kjo mund të arrihet vetëm nëpërmjet bisedimeve. Dështimin e Maqedonisë për anëtarësimin në NATO ajo e shpjegon me faktin se vendi nuk përmbushi asnjë nga kriteret reale të cilat u kërkuan nga aleanca dhe BE-ja. Sheqerinska nuk përjashton mundësinë e formimit të qeverisë së pakicës edhe me partitë shqiptare, me të vetmin qëllim që të kompensohet, siç thotë, koha e humbur. Zgjidhja e çështjes së emrit është edhe një ndër synimet e VMRO-DPMNE-së. Zyrtari i lartë i kësaj partie, ministër aktual i Punëve të Jashtme, Antonio Milloshovski është shprehur se Maqedonia është e gatshme që të zgjidhë këtë çështje, por jo në dëm të interesave kombëtare të popullit maqedonas. Sipas tij, Greqia nuk ka të drejtë ta detyrojë Maqedoninë që të ndryshojë emrin kushtetues, ashtu siç nuk kanë të drejtë as politikanët në Maqedoni që të ndërmarrin një vendim të këtillë pa bekimin e popullit. Presidenti maqedonas Branko Cërvenkovski u bëri thirrje liderëve dhe udhëheqësve të partive politike për zgjedhje të lira dhe demokratike duke përmendur incidentet që kanë shoqëruar fushatën parazgjedhore. Thirrje kryetari i shtetit u bëri edhe qytetarëve që masivisht të dalin në zgjedhje dhe të shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike. Zgjedhjet do të zhvillohen sipas modelit proporcional në gjashtë zona elektorale dhe do të vëzhgohen nga 464 vëzhgues të huaj dhe 5811 vëzhgues vendorë. Shqiptarët konkurrojnë në katër zona elektorale, ndërsa më e madhja është zona e gjashtë e cila përfshin Tetovën, Gostivarin dhe një pjesë të Kërçovës.

31 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›