Besnik Hasi: Pas disa vitesh dua të bëhem trajner i parë
Në fundit e këtij sezoni, Besnik Hasi do t‘i japë përfundimisht lamtumirën futbollit të luajtur duke kaluar nga Sërkëll Bryzh te Anderlehti, ku do të jetë zv/trajner në skuadrën më të cilën ka fituar disa trofe. Ish-mesfushori i përfaqësueses shqiptare duket se po përgatitet seriozisht për karrierën e tij të re, përkrah trajnerit Ariel Jakobs, nga i cili pretendon të fitojë më shumë eksperiencë në këtë fushë. Hasi ka bërë të ditur se dëshiron që në të ardhmen të bëhet trajner i parë i një skuadre, por më parë mendon të mësojë sa më shumë në "zanatin" e ri. "Unë shpresoj që Ariel Jakobs të qëndrojë për një kohë të gjatë tek Anderlehti. Do të dëshiroja të mësoja shumë gjëra dhe të mos digjja etapat në këtë punë. Unë kam ambicie që të bëhem trajner i parë, por kjo gjë nuk do të ndodhë për disa vjet", u shpreh Hasi për mediat belge. Ai ka bërë të ditur se do të dëshironte që një tjetër ish-lojtari i Anderlehtit, Iv Vanderhege, t‘i bashkohej stafit teknik të kësaj skuadre. "Nëse do të ishte në dorën time, Vanderhege do të bashkohej menjëherë me stafin teknik tek Anderlehti", deklaroi Besnik Hasi.