Federata e Shahut mbush 75 vjeç
Federata Shqiptare e Shahut do të festojë 75-vjetorin e krijimit të saj. Në programin e hartuar nga drejtuesit e këtij institucioni, aktivitetet dhe festimet janë parashikuar që të startojnë sot (më 13 maj) e të përfundojnë në fund të muajit, më saktësisht në datën 30. "Federata e Shahut feston 75-vjetorin e krijimit të saj dhe në këtë kuadër do të zhvillohen shumë veprimtari kombëtare", bëri të ditur sekretari i përgjithshëm i FSHSH-së, Sabri Bejleri. Nga data 13 deri më 21 maj, do të mbahet kampionati i shkollave të Tiranës. Më 14-24 maj është planifikuar kampionati i seniorëve e në të njëjtën periudhë edhe kampionati i femrave. Ndërsa vetëm në datën 24 maj do organizohet kampionati i "blicit". Aktivitetet e fundit, të parashikuara nga 26 deri më 30 maj janë: promovimi i librit "Historia e Shahut", ekspozitë për "Kompozitorin", Mina Peçi, takim olimpik, Olimpikja e vitit 1970 me Olimpiken e vitit 2000 dhe një simultane me përfaqësuesen e gazetarëve sportivë. Në fund do të zhvillohet ceremonia e mbylljes me shpërndarjen e kupave, diplomave dhe titujve.