Policia e Gjirokastrës: Na sulmuan,por tre i dërguam në spital
Komunikatat e policisë në raste dhune në stadium janë gjithmonë shumë të veçanta, madje me doza të theksuara humori. Pas rastit ku policia vlonjate konstatoi "se gjyqtari nuk kishte motër", një shembull të tillë ka ndjekur edhe policia e Gjirokastrës, e cila dje ka publikuar një komunikatë zyrtare për ngjarjet e ndodhura gjatë ndeshjes Delvina-Saranda. "Ndeshja ka vijuar normalisht deri në dhjetë minutat e fundit, moment ky kur ekipi i Delvinës ka shënuar gol. Në momentin e shënimit të golit tifozët e skuadrës së Delvinës kanë tentuar të hyjnë në fushë duke u hedhur mbi rrjetën e hekurt që rrethon fushën. Në këtë tentativë ata janë penguar nga ana e punonjësve të policisë, por tifozët të ekzaltuar nga shënimi i golit kanë kundërshtuar me veprime të dhunshme punonjësit e policisë, pasi donin të hynin në fushë. Punonjësit e policisë, të detyruar nga kjo situatë, kanë përdorur forcën duke penguar hyrjen në fushë dhe mundësuar zhvillimin normal të ndeshjes. Policia ka shoqëruar për në ambientet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër 5 shtetas. Mes tifozëve që janë konfliktuar me policinë ishte edhe një punonjës policie me detyre oficer policie në Sarandë, pa uniformë, jashtë shërbimit, i cili ka kundërshtuar me dhunë forcat e policisë. Në spitalin civil janë paraqitur tre shtetas të lënduar lehtë (njëri oficer policie). Janë kryer veprimet procedurale dhe materialet në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur dhe të shtetasve të paraqitur në spital, i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për ndjekje në gjendje të lirë për veprën penale të prishjes së rendit dhe kundërshtimit me dhunë të punonjësit të policisë", shkruhet në komunikatën e policisë së Gjirokastrës. Me pak fjalë, policia pranon se ka qenë "e detyruar" të ushtrojë dhunë, dhe se pasojë e saj ishte edhe dëmtimi i tre personave, të cilët përveç "drurit", do të ngarkohen edhe me çështje penale.