E Diel, 1 Nëntor 2026

Besnik Mustafaj - “Lë politikën nëse në PD prishen zgjedhjet”

 

Besnik Mustafaj, kandidati për kreun e PD-së së Tiranës paralajmëron se do të tërhiqet nga politika, nëse nuk hyn në garë për këtë post si pasojë e prishjes së standardeve zgjedhore. Duke folur në emisionin “Ora e Debatit” të gazetarit Alfred Peza, ish-ministri i Jashtëm akuzon kryetarin aktual të PD-së së Tiranës, Sokol Olldashi për manipulimin e procesit, ndërkohë që thekson se nuk do ta votojnë Topallin si kryetare të kësaj force politike.
Besoni të njëjtën gjë që keni besuar një vit më parë në lidhje me garën për PD-në e Tiranës?
Ka një element të rëndësishëm, që s’mund ta besoj më sepse faktet nuk më lejojnë ta besoj. Kam qenë shumë i sinqertë kur kam shprehur besimin tim se Berisha do të mbante neutralitet ndaj gjithë kandidatëve. Kam arsyetuar pse nuk është në interesin e Berishës dhe të PD-së marrja e njëanësie. Ai e bëri, ka arsyet e tij.
Cilat mund të jenë arsyet?
Unë nuk dua të bëj hamendje. Ai tha është kandidat i shkëlqyer, pra shprehu një vlerësim.
Kishte frikë ai për atë çka mund të sillte gara?
Berisha shprehu një vlerësim. Në vlerësimin e tij Bumçi është një kandidat i shkëlqyer. Unë kam thënë që ai subjektivitetin e tij mund ta shprehte përmes votës së tij. Unë nuk kam asnjë ngarkesë negative ndaj Bumçit dhe ndaj asnjë kandidati. Politika nganjëherë thuhet se është art dhe ndonjëherë se është shkencë. Nëse është art duhet të ketë ritmin e vet, nëse është shkencë duhet të ketë saktësinë e vet. Unë s’kam ndërmend të hap një debat tani, sepse nuk është koha. Unë do ta vazhdoj garën deri sa të bindem se gara nuk ka minimumin e standardeve për të konkurruar.
Është pjesë e standardeve dhe qëndrimi i zotit Berisha?
Është shkelje e standardeve. Por unë ende s’kam bindjen se kjo shkelje e standardeve është aq e rëndë sa zhduk mundësinë e garës. Unë besoj te gara. Qëndrimi im i fundit do të jetë kur të kem listat e atyre, që do votojnë për kreun e PD-së së Tiranës. Pasi të shoh listat e atyre që do votojnë dhe të shoh se deri në çmasë janë demokratët dhe deri në çmasë janë disa vegla të përpunuara nga Sokol Olldashi dhe disa njerëz në qeveri për të deformuar procesin, kur të shoh se masa e atyre veglave që janë aty për të deformuar procesin nuk e dëmton tërësinë e delegatëve demokratë do të rri në garë. Largohem nga gara nëse nuk është ky raport minimal.
Nëse nuk do të ketë garë dhe do ndodh si në Durrës, Fier, etj., do vazhdoni të jeni prapë deputet i PD-së, do kërkoni të jeni në listë për Tiranën, do vazhdoni prapë karrierën tuaj në PD, apo do të ketë qëndrim tjetër tuajin pas kësaj?
Në qoftë se nuk plotësohen minimumi i standardeve siç i mendoj unë standardet dhe siç janë shkruar në statutin e partisë, unë nuk futem në garë dhe nëse unë nuk futem në garë, është shumë e mundur që unë të tërhiqem nga politika të paktën përkohësisht. Qenia deputet nuk është qëllim në vetvete për mua. Do të jetë një vendim që do ta pjek në kokën time, do ta konsultoj me fëmijët e mi dhe gruan time që janë njerëz që nuk mund t’i shmang nga një vendim i tillë, sepse nuk është një vendim i vogël, janë 20 vjet karrierë që mund të ndërpriten, por nuk e përjashtoj fare si mundësi. Është shumë vonë që unë të mbetem figurant. Nëse rri, rri për të luajtur një rol që mendoj se mund ta përmbush.
Keni ndryshuar mënyrën e të bërit karrierë...
Më është bërë disa herë pyetja për marrëdhëniet e mia me Berishën. Kam qenë vazhdimisht vartës i Berishës, asnjëherë epror i tij, kam qenë ambasador i tij kur ishte President, kam qenë këshilltar për marrëdhëniet ndërkombëtare kur ishte në opozitë dhe ministër i Jashtëm kur ishte Kryeministër. Duke qenë se bashkëpunimi ynë mbështetej në dy kolona, një kolonë luajaliteti ndaj liderit dhe në një kolonë miqësia. Ai mund ta prishte miqësinë jo unë. Ai ishte eprori im.
Kishte Topi një grup deputetësh?
Dihet që ka pasur disa deputetë.
Ajo që ka thënë Berisha se kishte tentativa për të krijuar minorancë bllokuese brenda maxhorancës...
Nuk është e vërtetë që e ka përdorur ndonjëherë për këtë qëllim.
Kush ishin ata që tentuan t’u vishnin tentativën për të krijuar këtë grup për të marrë lidershipin që la Topi kur iku në Presidencë?
Mua s’më pëlqen të bëj skenarë.
Eshtë Olldashi një nga ata?
Olldashi është lojtar i vogël, është intrigant i pavlerë. Olldashin e ka përdorur Jozefina, e kanë përdorur disa njerëz të cilët mendonin se kandidimi im i bënte dëm PD-së. Unë jam polemik në këtë rast. Unë nuk po them se zoti Olldashi është hajdut. Unë them se lojën e tij politike e bën si lojtar i vogël.
Si ju duket ambicia e Topallit për t’u bërë kryetare partie?
Më duket e shpërmasur. Unë nuk ia jap votën në qoftë se kandidon. Unë nuk shoh akoma asnjë. Nuk hyn te preokupimet e mia kjo përgjigje. Zotin Basha nuk e kam dëgjuar ndonjëherë që të shpall gjykimin tim. Mendoj se zonja Topalli e perceptoi keq, krejt gabimisht. Nuk ka asnjë rivalitet mes meje dhe zonjës Topalli. E perceptoj sikur unë i prishja punë asaj. Këto lloj veprimesh zakonisht kryhen nga njerëz, që nuk prodhojnë vetë politikë. Zonja Topalli prodhon spektakël, por nuk prodhon politikë. Më thoni një ide politike në gjithë këto vite që dihet se është e zonjës Topalli, që e ka hedhur ajo. Unë këtë e kam si keqardhje për të. Ajo ka zell politik, por nuk ka atë çka i duhet për të qenë lider politik. Fakti që nuk i ka këto, nuk është e aftë të japë ide politike, që i duhen PD-së për të marrë një mandat të dytë dhe që i duhen modernizimit të Shqipërisë. Unë nuk merrem me intrigë, merrem me ata që prodhojnë politikë. Berisha prodhon politikë.
Si e konsideroni shqetësimin e opozitës për pajisjen e qytetarëve me kartat e identitetit?
Unë shoh një pandershmëri të madhe nga ana e opozitës në kritikat që i bën qeverisë. Nuk konstatoj në asnjë thërrime mungesë vullneti nga qeveria për t’i pajisur njerëzit me karta. Berisha për mua luan me një ego të panevojshme dhe jo konstruktive në reagimin ndaj kërkesës së opozitës. Sot kemi rreth 800 mijë pensionistë që pothuajse e marrin falas, gjithë paraplegjikët, romët dhe egjiptianët që e marrin falas, 120 mijë studentë që e marrin me 200 lekë. Berisha e çon deri në këtë çmim, atëherë bëje falas. Do patjetër që të mos ja japë gjithë kërkesën opozitës. Unë jam që ose t’i japë falas ose t’i shesë.
Si e shikoni situatën në këtë pjesë të fushatës, duke parasysh edhe tre sondazhet e fundit...
Ajo çka unë kritikoj te maxhoranca është euforia që shoh te disa ministra se ne e kemi të fituar. Mendoj se është një eufori jo produktive sepse ne 2009 presupozoj një shoqëri shumë më të pjekur, një shoqëri që analizon shumë më tepër sesa 5 vjet.
Nga përvoja që keni çfarë mund ta bëjë humbëse këtë maxhorancë?
Mungesa e një programi. Nëse PD shkon para zgjedhësve vetëm me bilanc, ne nuk arrijmë dot të ngjallim shpresë. Ne duhet të shkojmë me një program. Unë nuk shoh përgatitjet për hartimin e një programi. Ne në 2005 kishim program.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›