E Shtunë, 31 Tetor 2026

Besnik Çela: “2007-a, vit i ngjeshur ndërkombëtar”

Albania-sport (AS)- Tashmë është zyrtarizuar miqësorja me pëfaqësuesen maqedonase, takim që do të luhët në Tiranë, më 7 shkurt 2006. FSHF vuajti jo pak për të mos përsëritur dështimin e 15 nëntorit të vitit të kaluar, kur për arsye financiare u anulua miqësorja me Kongon, takim ky i programuar për t'u zhvilluar në Londër. Shefi i Sektorit të Ekipeve Kombëtare, Besik Cela, pohoi për Albania-sport, se arritja e marrëveshjes me Maqedoninë nuk ishte vetëm një vullnet i federatës maqedonase. "Nuk është e vërtetë që Maqedonia u shfaq rastësisht, - saktësoi Cela. "Ne u kishim dërguar disa kohë më parë ftesën për një miqësore, por për shkaqe te ndryshme objektive apo dhe subjektive të palës maqedonase, nuk kishim arritur më parë një akord", këmbënguli shefi i Sektorit të Ekipeve Kombëtare, Besik Cela.
Zoti Cela, janar-shkurti mund të konsiderohet një muaj i "artë" i takimeve ndërkombëtare në Federatën Shqiptare të Futbollit. Sa e "ngjeshur" është axhenda?
-Federata Shqiptare e Futbollit ka marrë masa të plota organizative për aktivitetet ndërkombëtare, zyrtare apo miqësore me ekipet e ndryshme kombëtare, qoftë me U-17, U-19, U-21 por mbi të gjitha me ekipin Kombëtar A. Sektori i Ekipeve Kombëtare, të cilin unë e drejtoj është duke punuar me përkushtim për organizimin e ndeshjeve, sic është ndeshja e 17 janarit midis ekipit Kombëtar Shpresa me atë të Turqisë, takim që do të luhet në Stamboll. Më datën 6 shkurt, ekipi U-21 do të zhvillojë një tjetër ndeshje miqësore me homologët e tyre grekë në Athinë. Më datën 7 shkurt, përfaqësuesja jonë U-17 do të përballet me U-17 të Turqisë. Sigurisht, që kryendeshja është takimi miqësor ndërkombëtar i 7 shkurtit midis Shqipërisë dhe Maqedonisë. Vendi dhe stadiumi ku do të luhet do të përcaktohet shumë shpejt, brenda fillimi të javës së ardhshme. Ajo që dëshiroj të theksoj është fakti, se do të luhet në atë stadium ko do të luhet edhe ndeshja zyrtare e 24 shkurtit me Slloveninë: në Tiranë, Shkodër apo në Elbasan.
-Duket se ndeshja miqësore me Maqedonisë është një "dhuratë" e fqinjëve tanë?
- Nuk është e vërtetë që Maqedonia u shfaq rastësisht. Ne u kishim dërguar disa kohë më parë ftesën për një miqësore, por për shkaqe te ndryshme objektive apo dhe subjektive të palës maqedonase, nuk kishim arritur më parë një akord. Sic e dini në u kishim bërë ftesë disa federatave: Maqedonisë, Bosnjës, Andorës, Lihteshtejnit, San Marinos, Qipros, Maltës. FSHF-ja ra parimisht dakort edhe me Bosnjë-Hercogovinën, por për arsye të kushteve financiare të vendosura nga pala boshnjake, miqësorja u anulua. Ajo që është me e rendësishme është dhe fakti se trajneri Baric ka mbetur shumë i kënaqur. Ne kontaktuam të enjten me Oton. Ai shprehu falënderimin për arritjen e marrëveshjes për ndeshjen e datës 7 shkurt, duke shtuar se me trajnerin e Maqedonisë, sllovenin Katanec, e lidhte një miqësi e vjetër.
- Brenda këtij viti ka disa data të lira nga FIFA...
- Po është e vërtetë. Ne kemi nisur punën qysh tani për të siguruar një tjetër ndeshje miqësore me ekipin Kombëtar A, në datën e lirë të 22 gushtit. Jemi të bindur se do të gjejmë një tjetër kundërshtar për këtë datë. Dua t'iu kujtoj se vitin e kaluar, më 16 gusht 2006, luajtëm kundër San Marinos, që përkoi edhe me ndeshjen e parë të Shqipërisë nën drejtimin e trajnerit kroat Oto Baric. Është e natyrshme që për ekipin kombëtar do të përpiqemi të gjejmë një kundërshtar të një niveli të kënaqshëm.
- Po për ekipet e tjera kombëtare?
- Përsa i përket ndeshjeve tjera të ekipeve U-17 (trajner Shpëtim Duro), U-19 (trajner Ramadan Shehu) dhe U-21 (trajner Artan Bushati), po negociojmë edhe me federata të tjera, sic janë ato të Bullgarisë, Rumanisë, Maqedonisë, Malit të Zi, nga Kosova kemi marrë konfirmimin për zhvillimin e ndeshjeve miqësore, dhe jemi në fazën e përcaktimit të datave. Parimisht kemi rënë edhe me Malin e Zi, madje kjo mund të konsiderohet edhe e konfirmuar.
- Është e dukshme përkujdesja presidentit të FSHF-së, zoti Armand Duka përkundrejt ekipeve kombëtare.
- Kjo është dicka e natyrshme, pasi dhe ekipet përfaqësuese varen direkt prej tij. Ky përkushtim i tij, nuk lë mënjanë edhe detyrimet e tij si drejtues i institucionit ndaj veprimtarive të tjera futbollistike në Shqipëri. Presidenti Duka ka miratuar plan-kalendarin e aktiviteve ndërkombëtare të paraqitura nga sektori i Ekipeve Kombëtare. Zoti Duka bën gjithcka që i shërben futbollit.
- Zoti Cela, zotëroni një përvojë të cmuar në organizimin me sukses të aktiviteteve ndërkombëtare. Sa influencon pozitivisht prania juaj?
- Eksperienca është e dorës së parë në këtë drejtim, pasi dhe stafet e federatave të huaja me të cilat bashkëpunojmë në mbarëvajtjen e aktiviteteve e kërkon këtë. Në këtë punë duhet të jesh sistematik, si në korespodencat dhe në marrëdhëniet me federatat homologe, bëhet e mundur e gjitha kjo. Dua të theksoj edhe faktin, se kam një mbështetje të plotë si nga presidenti i FSHF-së (Armand Duka) ashtu edhe nga sekretari i përgjithshëm (Roland Mici).
Intervistoi: Dash Frashëri

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›