Zyrtare: Skela-Askoli, lamturmirë me mirëkuptim

Albania-Sport (AS) - Përfundoi më një dështim të paparishikuar aventura e parë dhe mesa duket dhe e vetme e Ervin Skelës në Serinë A italiane (mesfushori shqiptar nënshkroi më 9 shtator 2006). Skuadra e Askolit ka bërë tashmë zyrtare dhe divorcin paqësor të italo-shqiptarit 30-vjecar me klubin bardhezi, per te cilin luajti vetem 325 minuta. Madje në notën zyrtare ka dhe një urim, ku shoqëria italiane i dëshiron suksese sportistit. Largimi i Ervin Skelës është bërë i ditur qysh me ardhjen e trajnerit të ri Soneti, i cili nuk e aktivizoi në asnjë takim lojtarin e Kombëtares shqiptare. Skela nuk është ndryshimi i vetëm te Askoli. Skuadra që renditet e fundit në Serinë A tashmë ka drejtor të ri të përfgjitshëm Felice Pulici si dhe drejtor të ri sportiv, Pierluigi Di Santo.
Pak ditë më parë Kickers Offenbah, skuadra gjermane e Bundesliga 2 pohoi se mund të hiqte dorë nga fantazisti shqiptar, për aq kohë sa Skela do të ishte nën kontratë me skuadrën italiane te Serisë A. Drejtori sportiv i Kickers, Mikael Dëmgen, pohoi se ekipi i tij ka nevojë për dy përforcime përpara se skuadra të niset të dielën (7 janar 2007) për një fazë përgatitore një javore në Espona të Spanjës. "Përsa kohë ai (Skela) është nën kontratë, nuk është në planet tona, ne nuk dëshirojmë të paguajmë për kartonin e lejekalimit", citohet Demgen nga kicker.de. Kickers ka një ndeshje miqësore kundër Marbela (Liga e 3-të spanjolle), më 9 janar 2007. Tashmë që kartoni i Skelës është në parametra zero, vlonjati i ka të gjitha mundësitë për qenë pjesë e skuadrës gjermane.
Sipas burimeve të gazetave të tjera gjermane dhe ato të internetit, drejtuesit e Kickers dhe të Edhe Mainc 05, skuadra që renditet e fundit në Bundesliga 1, kanë shprehur interesimin për lojtarin e kombëtares shqiptare. Por dhe nga Greqia, ka lajme për 30 vjecarin Skela. Është klubi grek i Apollon Kalamarja, ku luan edhe Alban Bushi, që ka bërë të ditur interesimin e tij për ish-lojtarin e Arminia Bielefeld. Në listën greke është shtuar edhe PAOK.
Administratori i vetëm i klubit italian të Serisë A, Askolit, Roberto Beninji kohë më parë kërkoi mirëkuptimin dhe tifozëve për gabimet e kryera gjatë fushatës të blerjeve të verës, të cilat zyrtari i lartë i klubit bardhezi, i konsideron të riparushme. Dhe një nga gabimet e merkatos së Askolit, vlerësohet edhe blerja e futbollistit shqiptar Ervin Skela, për të cilin kondsideratat po shkojnë në drejtimin e kundërt. Skela u vlerësua si i padobishëm, madje po merret si shembulli më i keq, që nuk duhet të përsëritet më.