Grumbullimi i Kombëtares në Antalia, zbardhen “legjionarët”

Albania-sport (AS) -Një variant i ekipit Kombëtar A, ose më saktë versioni "B" i përfaqësueses kuqezezë, do të zhvillojë një trajning dhjetë ditor në Antalia të Turqisë. Ende nuk është përcaktuar një listë e saktë e kandidatëve që do të marrin pjesë në këtë grumbullim, por disa emra tashmë janë në mendjen e kroatit. "Sigurisht që do të marrin pjesë lojtarët më të mirë të kampionatit shqiptar, por edhe futbollistë që aktivizohen në kampionatet e huaja", -pohoi shefi i Sektorit të Ekipeve Kombëtare, Besik Cela për Albania-sport. "Në grumbullimin e fillimdhjetorit të muajit të kaluar, nga data 4-7 dhjetor 2006, morrën pjesë një numër i madh lojtarësh kandidatë për të plotësuar ekipin Shpresa dhe atë Kombëtar, të cilët zhvilluan stërvitje dhe u ndoqën me shumë vëmendje si nga trajneri i ekipit Kombëtar, Oto Baric, ashtu dhe nga ai i Shpresave, Artan Bushati. Ata lojtarë që ia dolën me aftësitë e tyre të bindnin dy trajnerët do të jenë pjesë e delegacionit të ekipit Kombëtar në grumbullimin e Antalias", - saktësoi Besni Cela. "Emrat? Mund të përmend emra të tillë si Anton Dedaj i NK Osijek (Kroaci), Jeton Arifi i Sant Pauli (Gjermani), Blerim Rustemaj i Borussia Munchen Gladbach II (Gjermani), Leutrim Neziraj i Karlsruher SC II (Gjermani), Mërgim Mavraj i Darmstadt (Gjermani), Saimir Ujkani i RSC Anderlecht (Belgjikë) si dhe Shpëtim Hasani që luan në Suedi me FC Kalmar. Ne kemi nisur kërkesat tona në drejtim të klubeve të tyre dhe presim përgjigjen pozitive ose jo të drejtuesve të klubeve", -përfundoi Besnik Cela.