E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muahmet Dragusha “divorc” nga Trepça ’89

Nga Ejup LLUMNICA

Kanë përfunduar pa sukses bisedimet mes futbollistit të përfaqësues së Kosovës, Muhamet Dragusha dhe skuadrës së Trepcës '89. Dragusha, i cili stinorin kishte shkuar në skuadrën mitrovicasve nga KEK-u, me marrëveshje për 6 muaj i ndihmoi Trepcës '89 që periudhën e parë ta përmbyllë në vendin e 3-të me vetëm një pikë më pak se lideri, Prishtina. "Me Trepcën '89 bisedimet e zhvilluara deri më tash kanë rezultuar pa sukses. Kushtet që i kam kërkuar nuk janë plotësuar, kështu që edhe nuk kemi mundur të merremi vesh", tha për "Iliria Post" Dragusha. Gjithsesi duhet theksuar se paraqitjet e mira në stinorin vjeshtor të këtij mesfushori të talentuar, kanë bërë që interesimi për të të jetë shumë i madh. Ofertë shumë serioze deri më tani i ka bërë skuadra Hysi nga Podujeva, gjë të cilën e konfirmoi edhe vetë futbollisti. Megjithatë, primare për Dragushën momentalisht është kalimi në futbollin ndërkombëtar, gjë e cila mund të ndodhë shumë lehtë, pasi për të janë të interesuar disa skuadra nga Shqipëria, ndërkohë që ai shpreson të luajë për ndonjë skuadër evropiane.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›