Besnik Çela: “Maqedonia në Shkodër, si Rusia”

Albania-sport - Ekipi Kombëtar A është përpara ndeshje testuese me Maqedonisë, një takim ndërkombëtar që është vlerësuar shumë nga trajneri Oto Baric, që i ka lejuar vetes edhe luksin e thirrjes së katër "fytyrave" të reja. "Është një ndeshje e rëndësishme, pasi dhe trajneri Baric do të bejë testimin e fundit të skuadrës përpara takimit me Slloveninë. Ekipi do të akomodohet në një nga hotelet e grupit Mak-Albania në Golem të Kavajës, pasi në rezidencën e përhershme të ekipit Kombëtar shqiptar do të vendoset ekipi maqedonas", u shpreh shefi i Sektorit të Ekipeve Kombëtare, Besnik Cela, për Albania-sport.com.
Stërvitjet në "Tofik Jashari"
"Ekipi ynë pas mbërritjes të të gjithë lojtarëve do të zhvilloje stërvitjet të hënë dhe të martën në stadiumin "Tofik Jashari" në Shijak. Janë marrë të gjitha masat qe gjithcka të jetë normale, dhe për këtë ka qenë në Golem e Shijak edhe sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Roland Mici", shton Cela, që thekson se paraditen e ditës së mërkurë ekipi do të udhëtojë drejt Shkodrës.
Mungesa e përvojës
"Në Loro Borici puna vazhdon me intesitet. Sekretari Medja na informon vazhdimisht për ecurinë e punimeve", saktëson shefi i Sektorit të Ekipeve Kombëtare. "Janë disa sistemime në fushë, në tribuna, në atë VIP dhe në boksin e gazetarëve shqiptarë dhe maqedonas. Klubit të Vllaznisë i mungon përvoja për organizimin e ndeshjeve ndërkombëtare dhe ndihma e FSHF-së është e nevojshme, që në ndeshjen kundër Sllovenisë të organizojmë një ndeshje perfekte".
Cmime të pranueshme
Cela ripohoi edhe cmimin e biletave për ndeshjen miqësore Shqipëri-Maqedoni, që do të kenë cmimet e zakonshme të ndeshjeve të kampionatit shqiptar. "Kjo është një praktikë e njohur e FSHF-së, që e ka aplikuar edhe në ndeshjet e tjera jashtë Tiranës, kur bëhet fjalë për takime të U-21 si në Lushnjë dhe Elbasan" sqaron Cela. "Kjo është dhe një politikë e FSHF-së për të patur sa më shumë tifozë në stadium"
Kujtimi i bukur me Rusinë
"Shkodra nuk është zgjedhur rastësisht, jo vetëm se aty kemi fituar me Rusinë 3-1, por kjo përbën edhe një vizon të ri të presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, zotit Armand Duka, për të mos i lënë ballafaqimet ndërkombëtare vetëm pronë të një qyteti. Edhe ndeshja kundër Luksmburgut do të luhet në qytetin e Elbasanit. Kjo është praktikë ndërkombëtare. Një arsye tjetër është se ndeshja me Slloveninë është delikate, dhe tifozeria e zjarrtë do të luajë një ndikim të madh në arritjen e një rezultati pozitiv. Tifozeria, ose lojtari i 12-të, do të influencojë si në fitoren 3-1 me Rusinë", argumenton Cela.
Mbërritja e lojtarëve
Sulmuesi Edmond Kapllani ka mbërritur në Shqipëri nga Gjermania. Bashkë me durrsakun ka ardhur edhe Elvin Beqiri nga Ukraina. Në orët e mesditës mbërriti edhe Erjon Bogdani nga Italia pas pezullimit të kampionatit italian. Pjesa tjetër vijnë ditën e henë, si Igli Tare< Besnik Hasi, Arjan Beqaj, Altin Haxhi, apo Lala do të vijnë nesër. Kristi Vangjeli, Jahmir Hyka, Migen Memelli do të vijnë ditën e hënë paradite. I fundit që vjen është Lorik Cana, pasi Marseja do të luajë në mbremjen e së dielës.