E Shtunë, 31 Tetor 2026

Besnikët e Baselit

Vëllezërit Taulant e Granit Xhaka i kanë qëndruar besnikë skuadrës së tyre, Basel. Talentët kosovarë e kanë vazhduar kontratën me kampionin zviceran deri në vitin 2015. Ata ndihen shumë të gëzuar me këtë fakt dhe mbesin me shpresë se do të luajnë në vazhdimësi me këtë ekip. Nga Express më 03 mars 2011 në ora 12:18

Taulant e Granit Xhaka e kanë vazhduar kontratën e tyre me klubin zviceran Basel deri në verën e vitit 2015. Kështu, kampioni zviceran do t’i ketë në gjirin e vet për një kohë të gjatë talentët e mëdhenj të futbollit helvetik.

Në një intervistë dhënë uebfaqes zyrtare të Baselit, futbollistët e rinj kosovarë kanë folur për rëndësinë e rinovimit të kontratës dhe për objektivat e tyre të radhës. “Kjo do të thotë shumë për mua. Vazhdimi i kontratës heq çdo dyshim. Më duket se Basel llogarit te ne, për projektin e tij të së ardhmes”, theksoi Taulanti, 19 vjeç.

“E njëjta vlen edhe për mua. Jemi këtu në Basel, ku kemi një trajner që koncentrohet te lojtarët e rinj. Kjo është një shenjë tjetër e mirë për të gjithë lojtarët e rinj. Këtu e ke rastin të punosh shumë për këtë dhe që të kesh ambicie”, vazhdoi Graniti, 18 vjeç.

Njëzëri, të dy vëllezërit e kanë pranuar se trajneri Thorsten Fink luajti rol të rëndësishëm në vendimin e tyre, për ta vazhduar bashkëpunimin me Baselin. Ata thonë se ndihen mirë që janë pjesë e ekipit të parë të Baselit, ku iu pëlqen ambienti, stadiumi dhe kushtet mjaft të mira që ofrohen aty.

“Jemi rritur këtu, kemi familjen dhe shoqërinë, kështu që ndihemi jashtëzakonisht komodë”, tha Taulanti, i cili fundjavën që shkoi e zhvilloi ndeshjen e parë në Superligën zvicerane këtë sezon, kundër Luzernit. Ai është ndier i emocionuar për këtë fakt.

Kurse, vëllai i tij i vogël, Graniti, është bërë pjesë e rëndësishme e klubit kuqekaltër. Graniti insiston se është herët që ta vazhdojë karrierën në ndonjë kampionat më të fortë evropian, prandaj e nënshkroi kontratën e re me klubin aktual, pa menduar dy herë.

Graniti ndihet mirë që vëllai i tij debutoi këtë sezon në elitën e futbollit zviceran. Ai shpreson se Taulanti do të luajë edhe ndeshjet e ardhshme, pasi që vlerëson se vëllai i tij i madh mund të kontribuojë te Baseli.

Rreth objektivave të ardhshëm, Graniti pohon se do t’i pëlqente të luajë në vazhdimësi me Baselin, me të cilin këtë sezon luajti 16 ndeshje zyrtare, dhe ta japë maksimumin e tij, kur trajneri llogarit në të.

Edhe për Taulantin vlen e njëjta gjë. Ai do të luftojë për të fituar minutazh më të madh, derisa shton se mezi pret që të luajë në stadiumin e Baselit, St. Jakob-Park.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›