E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përforcim i rëndësishëm

Kushtrim Lushtaku konsiderohet si përforcim i madh nga drejtuesit e klubit suedez Orebro, të cilët janë ndarë të kënaqur me atë që 21-vjeçari tregoi në prova. Sulmuesi kosovar pëlqen lojën të cilën e aplikon Orebro, dhe beson se do të përshtatet në ekipin e ri. Nga Express më 03 mars 2011 në ora 12:16

Provat e suksesshme e kanë shpërblyer të martën me kontratë Kushtrim Lushtakun. Sulmuesi kosovar ka nënshkruar kontratë dyvjeçare me Orebron, udhëheqësit e së cilit u bindën me kualitetin që posedon 21-vjeçari.

Zyrtarët e klubit suedez kanë vetëm fjalë të mira për ish-futbollistin e Munchen 1860, të cilin e konsiderojnë si përforcim të rëndësishëm dhe të fundit në kampanjën e tyre parasezonale.

“Kushtrimi na la përshtypje të mira, si person dhe si futbollist. Nuk mund të presësh më shumë sesa që tregoi ai në periudhën sa qëndroi në prova këtu. Me këtë përforcim, ne do ta kompletojmë ekipin për sezonin e ardhshëm”, ka thënë drejtori sportiv i Orebros, Lennart Sjogren për uebfaqen suedeze na.se.

Pëlqimi ishte reciprok. Edhe Lushtaku kishte mbetur i impresionuar me kushtet dhe me shokët e rinj të kësaj skuadre. Dështimi i përkohshëm i kësaj marrëveshjeje e kishte prekur thellë futbollistin drenicas, i cili tash ndihet i qetë.

“Menjëherë më ka pëlqyer mënyra se si luante Orebro. Loja ofanzive më përshtatet mjaft mirë mua”, tha ish-futbollisti i Drenicës.

Lushtaku kishte kontratë me Munchenin 1860 edhe gjashtë muaj, por shkëputja e kontratës me klubin gjerman nuk ishte e kushtueshme për Orebron. Kështu së paku thotë Sjogren. “E kemi arritur një marrëveshje që u shkon për shtati të gjitha palëve”, bëri të ditur ai.

Sipas Sjogrenit, Lushtaku në Orebro do të luajë sulmues krahu. Futbollisti kosovar do t’i bashkohet Orebros javën tjetër, në përgatitjet që kjo skuadër do t’i kryejë në Turqi. Ditë më parë, me Orebron nënshkroi edhe sulmuesi tjetër kosovar, Valdet Rama, i cili arriti nga Hannover. Në Orebro luan edhe futbollisti kosovar, Denis Abdullahi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›