E Shtunë, 31 Tetor 2026

Besoja te ylli i fatit tim, ëndrra ime ishte Amerika

31/07/2009  Historia e 81-vjeçarit, Nexhat Xhaçi, dënuar me 12 vjet burg

Korçë- Nexhat Xhaçi, tashmë 81 vjeç, banor i qytetit të Korçës, tepër i plakur dhe i lodhur krejtësisht nga jeta, tregon historinë e jetës së tij se si u dënua me 12 vjet burg vetëm pse kishte menduar të shkonte në Amerikë. Që nga dita e parë e daljes nga burgu kanë kaluar shumë vjet, por ai edhe sot e kësaj dite vazhdon të pyesë: “Me ç’të drejtë ma rrëmbyen rininë”. Ai besonte te ylli i fatit të tij, por a ekzistonin yjet e shqiptarëve në atë kohë. Të gjitha këto na i tregon Nexhat Xhaçi përmes një histori të dhimbshme…

I besoja yllit të fatit tim

“Unë i besoja yllit të fatit tim, do të shkoja në Amerikë”. Me këtë shprehje e nis tregimin e jetës së tij, Nexhat Xhaçi, 81 vjeç. “I besoja deri në çmenduri. Ngrihesha dhe flija me të njëjtën ëndërr: një ditë do të përfundoja në Amerikë. Se çfarë ditë do të ishte ajo nuk e kisha vendosur akoma, por e dija që do të ishte shumë e shpejt. Ndoshta pas 10 ditësh do të merrja rrugën e gjatë të udhëtimit. Megjithatë ky ishte sekreti i vetëm i jetës time. Këtë sekret nuk do t’ia tregoja askujt. Nuk ia kisha treguan as babait tim, Ibrahimit, por as nënës time, Sabiresë, të cilët i doja shumë fort. Nuk pata guxim t’i thosha ndonjë gjë as motrës, Dritës, sepse e dija që ajo do të niste të qante dhe nuk do të pushonte për asnjë çast. Edhe vëllait, Osmanit, nuk i tregova asnjëherë për yllin e fatit tim. E dija shumë mirë, nëse do t’i tregoja, im vëlla do të qëndronte i heshtur, do të trishtohej dhe do të përpiqej të mos më thoshte asnjë fjalë. Ndaj ky ishte sekreti im dhe unë nuk do t’ia tregoja askujt. Kisha vendosur të lija qytetin tim të vogël të lindjes, Bilishtin dhe një ditë pas mesnate do të nisesha drejt kufirit. Kisha menduar të udhëtoja gjithë natën, kisha llogaritur të gjitha shtigjet ku do të kaloja, madje edhe përrenjtë që do të kapërceja, me qëllim që ushtarët e kufirit të mos më shihnin.

Imagjinata

“Nganjëherë më dukej sikur ushtarët do të më dilnin përpara dhe do të më thoshin: “Ndaaal”! Nëse do të më ndodhte kështu, kisha ndërmend të mos qëndroja. Mundet që ata të më qëllonin edhe me automatik, por unë sërish nuk do të ndalesha. I besoja yllit të fatit tim dhe do të bëja ashtu siç e kishte shkruar ai. Në raste të tilla e mendoja veten të vdekur buzë përroit me trupin të prerë nga plumbat dhe i rrethuar nga gjaku. Nëse do të ndodhte kështu, nuk e di se çfarë do të bënte nëna, babai, vëllai dhe motra e vetme Drita. Nuk e dija nëse do t’ua jepnin trupin tim për ta varrosur në varrezat e Bilishtit ose jo; nuk e dija nëse gjithë familjen do të internonin diku, larg nga Bilishti, por unë sërish i besoja yllit të fatit tim. Arratisja ishte vendimi im. Sa herë mendoja për vrasjen time, më dukej vetëm një shaka dhe asgjë tjetër. Nuk i besoja vrasjes, sepse unë e njihja kaq shumë mirë vendin sa askush veç meje nuk e njihte, dhe aq më pak ushtarët që kishin ardhur nga rrethe të tjera. Isha i sigurt që do ta kaloja piramidën dhe do të ndalesha në Greqi. Aty do t’u kërkoja të më nisnin drejt Amerikës dhe pas kësaj ëndrra ime do të quhej e realizuar. Në atë kohë isha vetëm 28 vjeç, ishte viti 1956”.

Pse do të arratisesha

“Kisha vendosur të arratisesha sepse nuk mundja të qëndroja më aty. Gjithë ditën punoja në fermë dhe në fund të ditës nuk merrja më shumë se 5 lekë për ditë pune. Buka nuk na mjaftonte asnjëherë. Që të gjithë ishim në mjerim të plotë. Kur na vinte ndonjë mik në shtëpi, nuk kishim çfarë t’i vinim ne sofër. Buka që kishim marrë në furrë na kishte mbaruar pa e marrë mirë. Që të merrje një bukë tjetër ishte e pamundur. Shitësja e bukës në raste të tilla të përgjigjej: “Sapo e more racionin tënd, nuk mundem të të jap një bukë tjetër”. Kur gjendeshim në rrethana të tilla, brenga, ankthi, uria nuk kishin të sosur. Vëreja nënë time se përpiqej të sajonte diçka për mikun e ardhur. Gjithnjë ajo gjente pak miell të fshehur nëpër shtëpi, pak kripë dhe një gotë raki. Vetëm në çaste të tilla mua fillonte të më qeshte buza. “Ia hodhëm turpit edhe kësaj radhe”, mendoja. Ja për të gjitha këto doja të ikja larg nga Bilishti dhe të ndalesha në Amerikë, atje ku bota ishte e lirë dhe ku njerëzit nuk vuanin për bukën e gojës. Në çaste të tilla më dukej sikur kisha mbërritur atje. E përfytyroja veten time duke punuar në një nga fabrikat e atij shteti, pastaj duke marrë rrogën time të pare, e cila do të ishte një tufë e madhe dollarësh. Gjithë të ardhurat e mia do t’ua dërgoja prindërve të mi në Bilisht. Edhe nëse do të ishin trishtuar me ikjen time, kur të merrnin lekët, ndoshta do të thoshin: “Bëri mirë që iku…” “Ishte djalë i zoti ai…” “Ja nuk e shikoni, ai djalë na shpëtoi nga varfëria…” “Tani le të vijnë gjithë miqtë e ta festojm녔. Ndërsa i mendoja të gjitha këto, vazhdoja ta mbaja sekret ëndrrën time, sepse po t’u tregoja, askush nuk do të më linte të ikja. Babai dhe nëna do të më luteshin: “Nexhat, mos ik…” “Nexhat, mos ik…”. “Nexhat mos ik…” Këto do të ishin fjalët dhe lutjet e prindërve, të motrës dhe të vëllait. E dija që nga lutjet e tyre përgjëruese edhe mund të thyhesha, edhe mund të mos ikja, prandaj kisha vendosur të mos i tregoja askujt, përveç vetes time. Megjithatë asnjë sekret nuk u mbajtka dot për vete”.

Dalja e sekretit

“Jo, sekreti nuk u mbajtka dot. Ndoshta ngaqë me atë ëndërr ngrihesha dhe gdhihesha çdo ditë, ndoshta ngaqë çdo çast dhe minutë e mbaja mendjen atje, tek Amerika. Kjo gjë më ndodhte edhe kur punoja, edhe kur flija, edhe kur isha me shokët. Gjithnjë qëndroja i heshtur, sepse mendjen e kisha vetëm atje, te Amerika. Në një çast të tillë nuk u përmbajta dot më. Sekretin tim ia tregova një shokut tim. Nuk i thashë se kisha ndërmend që të arratisesha, por thjeshtë i shfaq një mendim. “Besoj se në Amerikë njerëzit jetojnë mire”, i thashë. “Nëse dikush shkon atje, u shpëton njëherë e përgjithmonë halleve”. Shoku im nuk foli, qëndroi i heshtur. Ndoshta ishte në një mendje me mua, ndoshta jo, por unë jam i sigurt që edhe ai mendonte ashtu si mua, por nuk mundej të ma thoshte. Nuk mund të them se ishte ai që më spiunoi, sepse po të më kishte spiunuar ai, do ta kisha edhe dëshmitar në gjyq, por ai nuk ishte. Nuk e di sesi sekreti im kishte marrë dhenë dhe kishte mbërritur në dyert e Degës së Punëve të Brendshme. Ndoshta e dinin të gjithë, por vetëm unë nuk e dija që sekreti im kishte dalë. Mbi të gjitha nuk besoja se mund të më arrestonin për ata pak fjalë që kisha shprehur. Në fund të fundit unë nuk kisha thënë që do të arratisesha, vetëm që mendoja se në Amerikë njerëzit jetonin më mirë. Vetëm kaq”.

Ata nuk mund të më arrestonin

‘Ata nuk do të më arrestonin, sepse unë nuk kisha ndonjë shkollë të madhe, nuk kisha qenë ndonjëherë profesor, as nuk kisha studiuar ndonjëherë jashtë shtetit, kisha mbaruar vetëm shkollën fillore në qytetin e Bilishtit dhe asgjë më shumë. Nuk isha gjë tjetër veçse një bujk. Veç kësaj ne nuk kishim qenë as kulakë dhe as ballistë… Gjatë luftës kishim parë vetëm punën tonë… Edhe për të gjitha këto arsye ata nuk mund të më arrestonin, sepse nuk mund të dyshonin tek mua. Në të vërtetë ne si familje nuk e donim regjimin që kishte ardhur në fuqi, nuk e donim, sepse nuk kishim bukë, nuk prisnim dot mikun. Në mbrëmje kur mblidheshim të gjithë bashkë, pyesnim njëri-tjetrin: “Kur do të bjerë vallë kjo qeveri”. Kishte lajme se qeveria do të përmbysej shpejt, por kësaj asnjëherë nuk i dihej. Arrestimet po bëheshin gjithnjë e më të shpeshta. Edhe të binte edhe të mos binte qeveria, unë e kisha vendosur, nuk do të prisja gjatë, javën që vinte do të arratisesha”.

Përgatitjet për arratisje

“Vendosa të përcillesha me miqtë e mi. Fillimisht do të shkoja në Korçë te një miku im, pastaj do të shkoja te daja, Adi Sadikaj, në Pogradec, më pas te miqtë e tjerë, por pa u thënë asgjë edhe atyre se unë kisha ardhur të përcillesha. Gjithçka do të bëhej sikur të ishte e rastësishme. Vonë do ta kuptonin pse kisha shkuar tek të gjithë njerëzit e mi. Me këtë mendim u nisa për në Korçë, por me të mbërritur në këtë qytet, sapo zbrita nga autobuzi më doli përpara një polic. “Ju jeni Nexhat Xhaçi”, më pyeti ai. “Unë jam”, iu përgjigja”. “Do të vish me mua në degë se kemi pak punë me ty”, më tha polici. Të them të drejtën as u tremba fare. Kushedi përse më donin ata, se nuk mund ta kishin marrë vesh që unë do të arratisesha. Bashkë me policin hymë në degë, por me të hyrë atje më hodhën prangat, pastaj u hap një derë dhe më futën në qeli. Pak më pas hyri një tjetër, i cili më vështroi gjatë në fytyrë, më qëlloi me grushta dhe iku… Nuk po merrja vesh se ç’po ndodhte. Nëpër korridore kishte zëra, sikur në Degën e Punëve të Brendshme të kishte rënë zjarri. Nuk kaloi shumë, kur në qelinë time hyri një tjetër. Edhe ai bëri të njëjtën gjë: si më kishte vështruar mirë më goditi dhe pastaj më tha: “Dëgjo Xhaçi, si të tregosh, si të mos tregosh, vendin në burg e ke… Ndërsa mbeta vetëm, mendova: “Thua ta kenë marrë vesh këta”?!. “Jo, thashë me vete, kushedi më ke më ngatërrojnë dhe për çfarë më ngatërrojnë”. Pasi kishin kaluar disa orë erdhi hetuesi. Më pyeti: “Nexhat duam të dimë nga ty, kishe plan të arratiseshe apo jo”. U mendova vetëm pak, pastaj i thashë: “Nuk kam menduar kurrë të arratisem. Unë jetoj mirë në Bilisht, punoj në fermë dhe marrë goxha lekë”. “Sa lekë merr”, tha ai. “150 lekë në muaj i thashë, por punon edhe babai, punon edhe motra edhe vëllai. Në të vërtetë punonim që të gjithë, por që të gjithë bashkë nuk i merrnim as 150 lekë në muaj. “Mirë, tha ai, por më e mira është që ju të tregoni, sepse si të tregosh, si mos tregosh, ne i dimë që të gjitha, t’i do të shkosh në burg. Nëse tregon do të kesh lehtësira, nëse nuk tregon do të kalbesh në burg”. “Nuk kam pasur plane të tilla”, ia ktheva, por pas kësaj mora një goditje tjetër. pas një çasti kisha mbetur sërish vetëm”.

Të tregoj apo të hesht

“Nisa të mendja se çfarë duhej të bëja. Nëse nuk do të tregosh, më kishte thënë hetuesi, do të kalbesh në burg, nëse tregon do të kesh lehtësira. “Sado lehtësi të mos kem mendova, po të tregoj, ndoshta diçka edhe mund të më falin…” “Përse të mos tregoj…”?! “Unë nuk do të marr më qafë njerëz të tjerë, vetë e kisha vendosur dhe vetë do ta vuaja burgun…”. “Në fund të fundit, sa do të më dënojnë, sepse unë as tentova të arratisesha dhe as më zunë duke u arratisur… vetëm sa e kisha menduar…”. Në të vërtetë vetëm për këtë gjë më vinte keq. Të më kishin kapur atje në kufi do t’ua bëja hallall të gjitha, sepse më kishin kapur dhe nuk kisha ç’të bëja, por të më arrestonin vetëm pse e kisha menduar një gjë të tillë, këtë nuk e duroja dot. Më vinte t’i bija murit me kokë. Çfarë t’u bëja tani! Nëse do të isha nisur drejt kufirit, ata nuk do të më zinin kurrë dhe për këtë isha i bindur. Edhe nëse do të më vrisnin, nuk do të pendohesha as gjatë çasteve të fundit të jetës time. Nuk po merrja dot një vendim; të tregoja apo të heshtja. Duket se edhe ata më lanë një kohë të gjatë që të mendohesha. Më në fund e vendosa. Do t’u flisja drejt. Lë të bëhet çfarë të bëhet, por edhe rrahjet e herëpashershme ishin të padurueshme. Edhe të kalbesha në burg për gjithë jetën do të kishte qenë e pakuptimshme”.

Sa mund të më dënojnë

“Sa mund të më dënojnë, nëse tregoj të vërtetën”, mendova. Pastaj nisa të përfytyroja zërin e gjykatësit: “Nexhat Xhaçi, do të më thoshte ai, dënohesh me 2 vjet burg, sepse kishe menduar që të arratiseshe dhe të shkoje në Amerikë. “Thua të më dënojnë dy vjet”, pyesja veten. “Por ata mund të dënojnë edhe më shumë”. Përsëri zëri i gjykatësit: “Nexhat Xhaci, dënohesh me 3 vjet burg”. Edhe tre vjet nuk ishin pak, por do t’i përballoja. Për mua nuk kishte mbetur tjetër rrugë, por mund të më dënonin edhe më shumë… Sa vjet vallë…? Nëse gjykatësi do të thoshte: Nexhat Xhaçi je dënuar me 4 vjet burg, kjo do të kishte qenë tepër dërrmuese për mua. Katër ishin shumë… Pavarësisht nga të gjitha këto, vendosa të tregoja”.

Trego të kesh lehtësira

“Kur erdhi hetuesi ia thashë që të gjitha: si kisha menduar të kaloja kufirin, si do të ndalesha së pari në Greqi dhe pastaj do të kërkoja atje, që të më nisnin drejt Amerikës. Kur të kisha filluar punë, nëse do të mundesha, do të dërgoja lekë edhe ne Bilisht që prindërit e mi të jetonin mirë. Meqenëse kisha vendosur t’i tregoja të gjitha, i thashë që edhe buka nuk na dilte, edhe mikun nuk kishim me se ta prisnim. Ai më dëgjoi me vëmendje gjithë tregimin tim dhe pas kësaj duke ulëritur: Qe-e-e-n, më goditi sërish mbi nofull. Kur kisha përfunduar së treguari të gjitha, mendova se kisha shpëtuar, por nuk kishte qenë kështu. Pas kësaj filluan tmerret e mia. Pyetjet e tyre nuk kishin të mbaruar. “Më kë do të arratiseshe…”? “Kush të priste atje…”? “Përse nuk doje të qëndroje në Greqi…”? “ Kush të tha se duhet të mbërrije në Amerik녔? “Nga kush e more këtë urdhër…”? Pyetjet e tyre nuk kishin të mbaruar. Më pyesnin gjithë ditën, por më pyesnin edhe gjithë natën. Sa shtrihesha për të fjetur më thoshin: Çohu”!. Nuk kam për t’i harruar kurrë ato tre muaj e gjymsm të hetuesisë. Unë nuk kisha çfarë t’u tregoja tjetër, ua kisha thënë të gjitha, por ata besonin se unë isha një thes me sekrete për ata. Hetuesi vinte dhe ikte. Sa herë që nuk nxirrte ndonjë gjë të re nga mua, nxihej në fytyrë dhe bëhej vrer. Mesa dukej kishte marrë urdhër që të më zbërthente totalisht. Fakeqësia e tij ishte se unë nuk kisha gjë tjetër për të thënë. Ndoshta për këtë arsye dërguan në Korçë një hetues nga Ministria e Punëve të Brendshme. Ai ishte një tmerr i vërtetë. E niste me tortura dhe e përfundonte me tortura. Më bënte të njëtat pyetje, por përgjigjet e mia ishin gjithnjë të njëjta. Doja të arratisesha sepse nuk kishim bukë në shtëpi, sepse nuk kishim me se ta prisnim mikun…:

Vendimi i gjykatës

“Pas tre muajve e gjysmë dola para gjykatës ushtarake. Kjo më çuditi edhe me shumë. Unë nuk kisha qenë ndonjëherë as kapter dhe as gjeneral. Prisja sa do të dënohesha. Atë kohë sapo kisha mbushur 28 vjeç. Uroja që të mos më dënonin më shumë se katër vjet… Unë ua kisha treguar të gjitha. Arratisjen veçse sa e kisha menduar. Gjyqi u bë me dyer të mbyllura. Nga njerëzit e mi kishin lejuar të merrte pjesë vetëm nëna dhe daja, Adi Sadikaj që banonte në Pogradec. Në fund, gjykatësi dha vendimin: “Nexhat Xhaçi dënohet me 12 vjet burg”. Sa…?! 2 apo 12 vjet burg?! Salla e gjyqit m’u rrotullua disa herë rreth kokës, pastaj m’u duk sikur u shemb tavani dhe gjithçka u rrëzua mbi mua. “Nexhat Xhaçi dënohet me 12 vjet burg, sepse kishte tentuar të arratisej, sepse kishte synuar të tradhtonte atdheun…” Nuk po kuptoja asgjë. Unë vërtet do të arratisesha, por kur të përmbysej regjimi do të kthehesha përsëri në Shqipëri… Vështrova një çast nga nëna ime dhe nga daja im. Ata as qanin, as flisnin, asgjë. Qëndronin si të ngrirë si dy statuja, me vështrimin hedhur mbi mua, sikur donin të më thoshin diçka por nuk mundeshin…”

Burgu

“Megjithatë tashmë nuk kishte asnjë dilemë. Isha dënuar me 12 vjet burg. Më çuan në burgun e Korçës. Atje gjeta edhe 70 të tjerë. Vetëm një orë na nxirrnin në një oborr tepër të vogël, ku çmpinim këmbët dhe pastaj na futnin sërish në burg. Kështu iku jeta ime. Më pas më çuan në Tiranë, në Thumanë, në Laç dhe së fundi në Rubik. Në atë kohë na çonin në punë, në ndërtim ose për të hapur kanale. Zhyteshim gjithë ditën deri në brez mes ujit. Ishin 12 vjet, jo pak. Më në fund pashë që dera e burgut po hapej. U nisa që atë ditë drejt Korçës. Më të mbërritur në Pogradec u ktheva te daja. Ai sa më pa, më hodhi duart në qafë dhe nuk e mbajti dot veten. Qëndrova atje vetëm për pak. “Do të nisem për në Bilisht, i thashë se më ka marrë malli për familjen”. Ndërsa unë isha nisur, daja i kishte lajmëruar që unë kisha dalë nga burgu. Nëna kishte dalë përpara shtëpisë dhe priste, më priste atje babai dhe motra dhe vëllai. Që së largu, pashë nënën që po vraponte drejt meje, pas saj edhe motra. Babai qëndronte te shkallët e shtëpisë bashkë me vëllanë. Nuk kam për të harruar kurrë atë ditë. Mes nesh nuk kishte çmallje. Por edhe pse dola nga burgu sërish e kalova jetën në mjerim. Jetonim në një shtëpi të vogël, ndërsa nuk donin të na jepnin as punë. Gjithë pjesa tjetër e jetës kaloi zi e më zi. Motra u martua në Mborje te një familje ish-kulaku, te fisi Vença. Edhe unë mora për grua një vajzë të atij fisi, bijën e Qamil Vençës. Deri në vitet 1990 nuk e di sesi mundëm të jetonim. Pas këtij viti gjithçka ndryshoi krejtësisht. Nipi im, Fiqri Vença më bleu një shtëpi në Korçë dhe që prej shumë vitesh unë dhe bashkëshortja, Dilavisi jetojmë fundin e jetës tonë. Shtëpinë që kisha në Bilisht ia dhurova vëllait tim Osmanit. Gjithsesi ylli i fatit tim nuk mundi të ndriçonte rrugën time…” Jam i sigurt se ata që po vijnë pas nesh do të kenë një yll të ndritshëm…”. Me këto fjalë i jep fund tregimit të tij, Nexhat Xhaçi, tashmë 81- vjeç, por që çdo ditë e tij ka qenë e humbur…

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›