E Shtunë, 31 Tetor 2026

Betancourt, dita e parë në liri

Autori i Lajmit: red.
Ish-kandidatja presidenciale në Kolumbi, Ingrid Betancourt, e cila mbahej peng nga rebelët majtistë që prej gjashtë vjetësh, ka mbërritur në një bazë ushtarake në Bogota, pasi u lirua në një operacion të ushtrisë kolumbiane. Ajo dukej mirë dhe kishte veshur rroba ushtarake.
Ajo falenderoi trupat e ushtrisë për operacionin e lirimit të pengjeve, të cilin e quajti të përsosur. "Ushtarët dukeshin si rebelë të Farcut. Ata flisnin si rebelët dhe disa prej tyre kishin bluza me imazhin e Che Guevarës. Hipëm në helikopter me shumë vështirësi, sepse ata na lidhën duart dhe këmbët. Papritur ata i asgjësuan rebelët dhe komandanti i operacionit na tha se ishim të lirë", tha Ingrid Betancourt.
Zonjusha Betancourt, e cila ka edhe nënshtetësi franceze ishte ndër 15 pengjet e liruara, tre prej të cilëve shtetas amerikanë. Ajo ishte rrëmbyer gjatë fushatës presidenciale në vitin 2002. Disa nga pengjet që mbërritën në Bogota u liruan pasi u mbajtën për më shumë se dhjetë vjet.
Presidenti Bush e falenderoi homologun e tij kolumbian, Alvaro Uribe, për lirimin e ish-kandidates presidenciale Ingrid Betancourt dhe pengjeve të tjera. Ai e quajti zotin Uribe udhëheqës të fortë.
Zotin Uribe e vlerësoi lart edhe presidenti francez Nicholas Sarkozi, i cili e kishte shndërruar lirimin e zonjushës Betancourt në prioritet të politikës së jashtme.
Zoti Sarkozy iu bëri thirrje rebelëve të FARC-ut që t i jepnin fund asaj që ai e quajti luftë absurde.
Në një fjalim televiziv presidenti Alvaro Uribe falenderoi ushtrinë për këtë operacion që, siç u shpreh ai, ishte kryer pa asnjë të shtënë arme.
Ai iu bëri thirrje rebelëve që t i lironin pengjet e tjera dhe të pranonin ftesën e qeverisë kolumbiane për vendosjen e paqes.
Ky operacion i pazakontë për lirimin e pengjeve tregoi qëndrimin e ashpër të presidentit kolumbian Alvaro Uribe ndaj gurerilasve të majtë, të cilët i patën vrarë edhe të atin.
Ky lajm është publikuar: 04/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›