E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot, Dita e Pavarësisë në Shtetet e Bashkuara

Autori i Lajmit: red.
4 korrik të vitit 1776, 56 përfaqësues të 13 kolonive britanike të Amerikës Veriore nënshkruan deklaratën e Pavarësisë

Sot është 4 korriku, Dita e Pavarësisë në Shtetet e Bashkuara. Më 4 korrik të vitit 1776, 56 përfaqësues të 13 kolonive britanike të Amerikës Veriore, deklaruan, se me autoritetin e popullit, ata po krijonin një komb të ri. Ata nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë.
Do të duheshin edhe 6 vjet të tjerë luftë me Britaninë, në atë kohë fuqia më e madhe ushtarake e botës, para se të fitohej pavarësia e Amerikës nga ai vend. Më 1782, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin ende larg bashkimit. Ato ishin në fakt, një konferderatë e paqëndrueshme, me një qeveri qendrore të dobët. Fuqinë e vërtetë e kishin qeveritë e sheteve të ndryshme.
Deklarata e Pavarësisë
Ky dokument u hartua kryesisht nga 32-vjeçari, Thomas Jefferson. Njëra pjesë e deklaratës përmbante një listë ankesash kundër mbretit George i Tretë dhe Parlamentit të Anglisë. Pjesa tjetër e Deklaratës, përmbante thelbin e idesë mbi lirinë amerikane, mbi të drejtat e natyrshme që kanë njerëzit. “Ne besojmë se këto të drejta janë të natyrshme, se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, se krijuesi u ka dhënë atyre disa të drejta të patjetërsueshme, si jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë. Se për të siguruar këto të drejta, njerëzit krijojnë qeveri, të cilat i marrin fuqitë e tyre me pëlqimin e të qeverisurve. Se sa herë që një formë qeverisjeje i minon këto qëllime, është e drejta e popullit ta ndryshojë apo ta heqë atë” tha Jeffersoni. Deklarata e Pavarësisë shihet si një nga dokumentet më të rëndësishme në historinë e Shteteve të Bashkuara. Dokumenti tjetër është Kushtetuta. Në Shtetet e Bashkuara, 4 korriku festohet çdo vit si ditë kombëtare, Dita e Pavarësisë.
Pak histori
Më 4 korrik të vitit 1826, mori fund një nga miqësitë më të gjata dhe më të rëndësishme në historinë amerikane, ajo midis Thomas Jeffersonit, autorit kryesor të Deklaratës së Pavarësisë, dhe John Adamsit, mbështetësit të zjarrtë të pavarësisë. Ata vdiqën vetëm disa orë njëri pas tjetrit, pikërisht në 50-vjetorin e nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë. Jeffersoni vdiq në shtëpinë e tij në Monticello të shtetit Virginia, kurse Adamsi në Quincy të shtetit Massachusetts. 82 vjeçari Jefferson ishte i sëmurë rëndë dhe luftoi me vdekjen deri pas mesnatës në 4 korrikut. Ndërsa 90-vjeçari Adams, i cili nuk ishte në dijeni për vdekjen e mikut të tij, thuhet se shqiptoi këto fjalë të fundit “Jeffersoni është ende gjallë”. Ata ishin njohur gjatë konventës së vitit 1776, e cila çoi në vendimin e kolonive britanike të Amerikës për të shpallur pavarësinë nga Anglia. Në vitet e para pas krijimit të Shteteve të Bashkuara, Jeffersoni dhe Adamsi nuk ishin gjithmonë dakord për çështjet e ndryshme politike, por mbajtën një korrespondencë të vazhdueshme për problemet e kohës. Historianët edhe sot i studiojnë dhe i admirojnë letrat e shumta që shkëmbyen ata me njëri-tjetrin.
Ky lajm është publikuar: 04/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›