E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matematika, 115 teste të dyshuara për kopje

Autori i Lajmit: red.
KOPOTED: Më pak teste me kopje se dy maturat e para
Provimi i matematikës ka hequr mënjanë 115 teste të cilat dyshoheshin për kopjim. Pas verifikimit, vetëm shtatë teste janë penalizuar komplet. Nga 115 teste të verifikuara, të rregullta rezultuan 109, teste që rezultuan me përgjigje tërësisht të njëjta 4, teste me disa përgjigje të njëjta 0 dhe teste me probleme teknike 3. Pas përfundimit të provimit të detyruar Matematikë, të Maturës Shtetërore 2008, KOPOTED-i, komisioni i MASH për shqyrtimin e testeve të dyshuara për kopjim, ka verifikuar, ashtu si edhe KOPOTED i gjuhë-letërsisë një numër shumë më të vogël testesh me probleme se në Maturat 2006 dhe 2007. Nga gjithsej 31.959 nxënës që morën pjesë në provimin e matematikës nuk iu njoh rezultati 6 nxënësve, të cilët kishin përgjigje të njëjta apo pjesërisht të njëjta. Ndërkohë është marrë masa “Vërejtje me paralajmërim” për 1 administrator nga rreth 2.000 që mbikëqyrën nxënësit. Në këto rezultate besohet të kenë ndikuar edhe shkëmbimi i mësuesve midis rretheve, që u aplikua këtë vit për herë të parë, (p.sh mësues nga Pogradeci adminstruan në Devoll dhe mësues nga Elbasani administruan në Gramsh.) por edhe “ngatërrimi” i renditjes së kërkesave (pyetjeve), pra pyetjet ishin të njëjta, por renditja e tyre në teste ishte e ndryshme, për të zvogëluar mundësitë e kopjimit. Gjithashtu numri më i vogël i testeve të dyshuar për kopjim, zvogëlimi i problemeve teknike, numri më i vogël i masave të marra ndaj administratorëve të provimit, në vitin e tretë të Maturës Shtetërore, në krahasim me dy vitet e para të saj, tregon rritjen e korrektesës nga ana e administratorëve, një menaxhim më të mirë të procesit të provimit, por edhe një ndërgjegjësim nga ana e nxënësve në lidhje me zbatimin e rregullave për zhvillimin korrekt të provimit, duke ulur nga viti në vit raportin e testeve plotësisht dhe pjesërisht të kopjuara. KOPOTED ka konsideruar si teste të rregullta ato teste që nuk kanë pasur probleme të karakterit teknik dhe që nuk kanë rezultuar të jenë plotësisht apo pjesërisht me përgjigje të njëjta (të kopjuara) në zhvillimin e tyre. Teste të parregullta apo teste që kanë rezultuar me një përgjigje të kopjuar, janë konsideruar ato teste, të cilat kanë pasur një ose disa pyetje të testit me zhvillim të njëjtë. Teste që kanë rezultuar me probleme teknike janë konsideruar testet p.sh. ku janë rrethuar të gjitha alternativat, kanë pasur shenja dalluese (në test), janë shkruar me disa ngjyra.

Ky lajm është publikuar: 04/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›