E Shtunë, 31 Tetor 2026

Betega: I nderuar që Juve më kërkoi sërish

Roberto Betega ka dhënë dje konferencën e parë për shtyp që pas vendimit për t’u rikthyer te Juventusi si drejtues i lartë. Presidenti Zhan Klod Blank e zgjodhi atë për të përforcuar rolin e dirigjencës dhe për të pasur një komunikim më të mirë mes krerëve të klubit dhe trajnerit çiro Ferrara e stafit. “Kam përgjegjësi të mëdha, por nuk kam asnjë dyshim në lidhje me zgjedhjen time, - u shpreh Betega. – Unë mendoj për të mirën e Juventusit dhe e them hapur se ky i tanishmi nuk është Juventusi i vërtetë. Juvja e vërtetë ishte 3 muaj më parë, kështu që duhet kuptuar përse ndodhi kjo rënie”, u shpreh më tej ai. Në lidhje me rikthimin në klubin bardhezi, ai nuk kishte asnjë dyshim: “Jam i nderuar që Juve mendoi për mua në këto momente, nuk është një rikthim, pasi raportet e mia me këtë klub nuk ishin ndërprerë asnjëherë. Nuk kam menduar kurrë të shkoj në një klub tjetër, sepse Juventusi është realizimi i disa ëndrrave të mia dhe nuk njoh alternativë tjetër. Në këto momente ka disa probleme që duhen zgjidhur, jam gati të kontribuoj”. Betega sqaroi edhe epokën e Calciopolit, kur ai formonte Triadën së bashku me Moxhin e Xhiraudon. “Nuk kam patur kurrë vullnetin të flas tepër. Kritikat e Xhon Elkan për mënyrën si drejtohej klubi atëherë? E kuptoj inxhinierin, ai duhet t’i thoshte atë fjalë. Por, sido që të jetë, ne titujt i fituam në fushë. Ndodhi ajo që ndodhi, por tani dua të shoh nga e ardhmja, më lini të eci përpara”, deklaroi Roberto Betega. (e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›