E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beteja Kosovë – Serbi

Pas betejës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (ku fituese doli Kosova), ballafaqimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojë, por tani në hendboll.

Shorti i hedhur të martën nga Federata Evropiane e Hendbollit (EHF) ka përcaktuar që klubi i hendbollit Kastrioti në konkurrencën e femrave të përballet me ekipin serb, Knjaz Milosh, në rrethin e tretë të Cup Winners’ Cup.

Ndeshja e parë do të zhvillohet më 13 ose 14 nëntor, kurse ajo e kthimit më 20 ose 21 nëntor. Por, për shkak të gjendjes së ndjeshme në mes të dy shteteve, këto dy ndeshje mund të zhvillohen në një terren neutral, i cili do të përcaktohej nga EHF-ja.

Mirëpo, si përfaqësuesit e Kastriotit, ashtu edhe ata të Knjaz Miloshit, thonë se nuk do ta kishin problem t’i zhvillonin ndeshjet në Kosovë dhe Serbi, pasi që ata insistojnë që politika të mos përzihet në sport.

Trajneri i Kastriotit, Ismet Jupa, nuk sheh asgjë të keqe që ekipi i tij ta luajë njërën lojë në Ferizaj, e tjetrën në Serbi. Por, ai thotë se ferizajasit do ta pranonin çdo vendim të EHF-së, qoftë edhe ai për të luajtur në terren neutral.

“FHK-ja është e pranuar në EHF-ja, edhe pse me të drejta të kufizuara. Andaj, nuk kemi arsye për të mos luajtur. Është politikë e Federatës besoj, por edhe e klubit tonë që t’i zhvillojmë ndeshjet, qoftë në Serbi, qoftë në terren neutral, kudo. Eh, sa i përket ekipit kundërshtar, është punë e tij a pranon të luajë apo jo”, tha Jupa.

Në anën tjetër, edhe sekretari gjeneral i klubit nga Arandjelovaci, Bojan Nikitoviç, ka thënë se janë të gatshëm t’i masin forcat me hendbollsitet ferizajase.

“Që 12 vjet marrim pjesë në gara ndërkombëtare dhe pavarësisht se vjen në një moment të ndërlikuar politik, Knjaz Milos do të vazhdojë të luajë, pa marrë parasysh kundërshtarin”, ka thënë për Express, Nikitoviç

“Jemi të gatshëm të luajmë, si në Arandjelovac, si në Ferizaj. Do t’i respektojmë të gjitha vendimet e EHF-së dhe Federatës sonë në kuadër të së cilës veprojmë. Ne jemi sportistë dhe merremi me sport, e politikanet le të merren me politikë. Do të mundohemi të jemi mikpritësit më të mirë”, shtoi ai.

Kjo nuk është hera e parë që një klub nga Kosova dhe Serbia përballen në mes veti. Në sezonin 2006/2007 Vëllaznimi në konkurrencën e femrave u përball edhe me klubin Nisa, ku fituan hendbollsitet nga Nishi, në ndeshjen që ishte zhvilluar në terren neutral – Hungari.

Short i vështirë për kosovarët

Shorti ishte mjaft i fortë dhe i pamëshirshëm ndaj KH Besa Famiglia, e cila në rrethin e tretë të Cup Winners’ Cup, gjatë muajit nëntor, takohet me gjigantin e Gjermanisë dhe të hendbollit evropian, Vfl Gumbersbach (vitin e kaluar Kastrioti u eliminua nga kjo skuadër) dhe gjasat i ka të vogla për garat e mëtejme.

Ndërkaq, KH Prishtina (femrat) udhëton në Qipro për të luajtur kundër skuadrës Enosi Neoleas Athienou, për ta zhvilluar ndeshjen e parë në kuadër të EHF Cup më 4/5 shtator, kurse loja e kthimit është paraparë të zhvillohet një javë më vonë në Prishtinë.
Prishtinaset kanë gjasa të mira për t’u kualifikuar për rrethin e dytë, ku do t’i priste në muajin tetor skuadra nga Rusia, HC ‘Kuban’ Krasnodar.

Shorti ishte shumë i volitshëm për KH Kastrioti (meshkujt) pasi me 4/5 shtator, në Luksemburg takohet me skuadrën Dudelang. Kampionët e Kosovës kanë gjasa reale për kualifikim të mëtejmë, derisa në rrethin e dytë do të ballafaqoheshin me skuadrën maqedonase HC Pelsiter 08 nga Manastiri.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›