E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beteja e Vlores Kollozi perballe Gjikes

Vlora e sotme nuk është ajo që kemi ëndërruar për të jetuar me fëmijët tanë. Kandidati i PD-së për kreun e bashkisë, Ardian Kollozi, në një takim me shoqatat që veprojnë në qytet është shprehur se Vlora është zhvilluar pa një plan dhe në mënyrë kaotike.

“Jemi të vendosur që bashkarisht të garojmë për të fituar zgjedhjet e 8 majit në bashkinë e Vlorës. Të gjithë bashkarisht, kryetarë të këtyre partive, por edhe opinioni publik vlonjat ka arritur në përfundimin se modeli i qeverisjes së këtyre 8 viteve në bashkinë e Vlorës nuk është i duhuri”- tha Kollozi.

Ndërsa gjatë inspektimit të punimeve për rikonstruksionin e rrugëve në lagjen “28 nëntori”, kreu aktual i bashkisë dhe kandidati i PS-së, Shpëtim Gjika ka theksuar vazhdimin e realizimit të projekteve të nisura.

“Unë shtroj rrugë, kandidati tjetër ecën nëpër këto rrugë. Unë punoj ditën, ai lëviz natën. Unë takoj qytetarë, ai bën presion mbi qytetarët. Në fund të fundit, ne jemi në Vlorë dhe qyteti as shitet e as blihet. Vlora gjykon, vlerëson dhe voton jo atë që premton, por atë që punon vërtetë për qytetarët”- tha Gjika. 

Të dy kandidatët për drejtimin e qytetit bregdetar në takimet elektorale kanë premtuar investime në vazhdimësi në funksion të përmirësimit të infrastrukturës së qytetit të Vlorës.

Festim Llanaj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›