E Diel, 1 Nëntor 2026

Republikanet camet e legalistet prezantojne kandidatet

Fatmir Mediu vijoi fushatën në Fushë Krujë, në mbështetje të kandidatit të “Aleancës për qytetarin”, Bilal Stafuka. Ai shprehu besim se duke votuar Stafukën dhe kandidatët republikanë për këshilltarë, qytetarët e Fushë-Krujës do të kenë një administrim model të qytetit.

“Shqiptarët kërkojnë Evropën. Shqiptarët duan mbi çdo gjë familjen e tyre, qytetin e tyre. Duan Shqipërinë dhe Shqipëria dhe Fushë-Kruja qëndron mbi çdo individ. Më 8 maj, ju ftoj të votoni partinë Republikane”- tha kreu i PR-së, Fatmir Mediu.

Ai u ndal edhe tek opozita duke e akuzuar si pengesë në proceset integruese të vendit, dhe sipas tij, rruga që propagandon Edi Rama është kundër interesave të vendit.

Partia e çamëve prezantoi kandidatin e saj për kryetar bashkie në Rrogozhinë dhe Patos. Kryetari i saj Shpëtim Idrizi, në Patos kërkoi mbështetje për kandidatin Dilaver Kamberaj, pasi ai do të sjellë ndryshimin në këtë qytet

“Keni zgjedhur njeriun konsensual, Dilaver Kamberin. Votoni njeriun e parë të Patosit, votoni njeriun që ka në zemër Shqipërinë dhe Patosin”- tha Shpëtim Idrizi, kryetar i PDIU.

Ndërsa në Rrogozhinë ai kërkoi votën për kandidatin Ndriçim Dushku.

"Angazhohem para jush që me fitoren e Ndriçim Dushkut, unë do të jem deputeti tjetër i Rrogozhinës, për të mbështetur çdo projekt të tij, bashkë me maxhorancën”- përfundoi Idrizi.

Edhe kryetari i partisë Lëvizja e Legalitetit, Ekrem Spahiu prezantoi kandidatët e “Aleancës për qytetarin” në rrethin e Matit në një tubim në pallatin e kulturës në Burrel.

“Ne rezultojmë fitues në të gjitha njësitë vendore jo vetëm në rrethin e Matit, por në të gjithë qarkun e Dibrës”- tha Spahiu.

Në rrethin e Matit legalistët kanë tre kandidatë, ndër të cilët,  Skënder Lleshin për bashkinë Burrel.

Taulanta Boja

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›