Meidani: Regjistrimi me fe e etni na dëmton me fqinjët
ADI SHKEMBIIsh Presidenti Rexhep Meidani dhe historiani Pëllumb Xhufi kundërshtojnë projektin e qeverisë për regjistrimin e popullsisë mbi baza etnike dhe fetare. Në një tryezë të organizuar nga G99, politikanë dhe shoqëria civile kanë argumentuar nismën e fundit, e cila pritet të nisë zbatimin nga janari i vitit të ardhshëm. Sipas ish kreut të Shtetit, etnia dhe feja, dy elementë të pyetësorit mbi të cilin po zhvillohet debati publik, nuk duhet të përfshihen në variantin përfundimtar. “Në detyrën e Presidentit të Republikës në atë kohë nuk kishte asnjë hezitim për heqjen e elementëve fetarë dhe etnikë nga regjistrimi për shumë arsye dhe për këto arsye unë gjykoj përsëri se regjistrimi i popullsisë mbi baza fetare dhe etnike, nuk i shërben të vërtetës, por mund ta dëmtojë të vërtetën dhe ngre shqetësime jo vetëm mes shqiptarëve, por edhe me vendet fqinje”, theksoi Meidani. Duke kundërshtuar regjistrimin mbi bazën e fesë, ish kreu i shtetit solli shembullin e familjes së tij, ku ai vetë është mysliman suni dhe bashkëshortja ortodokse. Sipas tij problemi qëndron te përcaktimi i fesë së fëmijëve. “Për sa i përket elementit tjetër, atë të përkatësisë etnike, alternativat janë: 1. shqiptarë, 2. grekë. 3. maqedonas, romë, malazezë, vlleh, egjiptian dhe të tjera. Përmbajtja e deklarimeve duhet të jetë e dokumentuar, me regjistra dhe dokument zyrtarë dhe vetëm në raste të veçanta, mund t’i shmangen realitetit”, theksoi Meidani. Ndërkohë ish deputeti dhe historiani, Pëllumb Xhufi shprehet se pyetësori mund të rrëzohet nga Gjykata Kushtetuese, pasi ai bie ndesh me ligjin themeltar të shtetit. “Unë parashikoj se në rast se një regjistrim i tillë do të ndiqte rrugën e tij të përcaktuar nga qeveria dhe dikush do ta ankimonte në gjykatën Kushtetuese, atëherë edhe kjo nismë do të përfundonte si ato nismat e fundit të qeverisë. Sepse unë gjykoj se ky regjistrim bie në kundërshtim me ligjin e brendshëm dhe në radhë të parë me Kushtetutën e vendit, ka përplasje me nene të veçanta, por edhe me vetë frymën e saj”, theksoi Xhufi. Sipas tij “kjo bëhet me presion, është hera e tretë në historinë e shtetit shqiptar, që Shqipërisë i kërkohet që të bëhet një regjistrim i popullsisë për të përcaktuar etnicitetin e saj, në bazë të një vetëdeklarimi të thjeshtë. Dhe në të gjitha rastet kjo është kërkuar nga qeveria greke, sepse vetëm atyre ju intereson një statistikë e tillë në vendin tonë”.