Kërkohej për vrasje, kapet 49-vjeçari
BURREL - Një 49-vjeçar i akuzuar për vrasje u arrestua nga policia e Korçës në bashkëpunim me efektivat e komisariatit të policisë Burrel. Abaz Murrani, 49 vjeç, lindur në Macukull të Matit dhe banues në Kamëz-Tiranë u ndalua teksa vinte nga Greqia për në atdhe. Ndalimi i këtij shtetasi erdhi pasi Prokuroria e Matit, më 26 mars të vitit të shkuar kishte lëshuar një urdhër-ndalimi për të, me akuzën e "vrasjes me paramendim dhe në bashkëpunim". Ngjarja zë fill në verën e vitit 1997, kur shtetasi Dilaver Klosi, atëherë në moshën e adoleshencës i merr jetën kunatës së tij, Nurie Klosi, nënë e 7 fëmijëve, pas një zënke banale. Autori i ngjarjes pretendonte se Nurija i kishte mbytur një gjel deti dhe ky i fundit e kishte goditur kunatën me një gurë kokës, ç'ka i shkaktoi vdekjen asaj. Nuria ishte motra e Abaz Murranit dhe sipas policisë ky person merr hak duke vrarë vjehrrin e motrës, pra babanë e autorit të ngjarjes së rëndë kriminale. Më 22 tetor të vitit 1997, sipas akuzës, Murrani së bashku me një person tjetër të dyshuar i zënë pritë shtetasit Shaqir Klosi në Qershizë të Urakës. Në vitin 1998 kjo ngjarje është pezulluar për moszbulim autori. Pas kryerjes së disa veprimeve të tjera dhe grumbullimit të dhënave të reja në mars të vitit të kaluar është shfuqizuar vendimi i pezullimit dhe ka nisur çështja penale nr.132 datë 10.12.1998. Policia tha se punon intensivisht për kapjen e autorit tjetër të ngjarjes, njeri i afërm i Murranit. Abaz Murrani është shprehur se gjithçka ia ka lënë në dorë organeve të drejtësisë dhe se nuk është ai autori i vrasjes së Shaqir Klosit. h.p