E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tryeza e Topit përplas PD e PS

 ADI SHKEMBIPartia Demokratike dhe Partia Socialiste përplasen publikisht për tryezën e Presidentit. Pak ditë pas rezolutës së Këshillit të Evropës, i cili përcakton kreun e shtetit si iniciuesin e negociatave mes palëve për daljen nga kriza, dy forcat e mëdha politike, duket se janë ende larg kësaj tryeze. Qëndrimi i PSFillimisht, mesditën e djeshme ishte Partia Socialiste ajo, e cila pasi shprehu gatishmërinë për tu ulur në tryezën e thirrur nga kreu i shtetit, vendosi një kusht të ri, atë të përfaqësimit të dy forcave në nivel kryetarësh. Deputeti i selisë rozë, Et’hem Ruka tha në një konferencë për shtyp se një tryezë me nivel më të ulët nuk do të pranohet as nga kjo forcë, por as nga komuniteti ndërkombëtar. “Kjo tavolinë duhet të ulë përballë zotin Edi Rama, kryetar i PS dhe zotin Sali Berisha, kryetar i PD dhe kryeministër i vendit. Një tavolinë me nivele më të ulëta se drejtuesit e këtyre dy partive nuk do të ishte e pranueshme as për ne, por besojmë as edhe për faktorin ndërkombëtar, madje nuk do t’i shërbente zgjidhjes së krizës, e cila është konfirmuar tashmë edhe ndërkombëtarisht”, tha Ruka. Sipas tij Partia Demokratike, po dëshmon vullnet negativ për pjesëmarrjen në këtë tavolinë dialogu, duke vazhduar kështu të thellojë edhe më shumë krizën politike në vend. Teksa inkurajojnë kreun e shtetit të organizojë këtë tryezë, socialistët konfirmojnë qëndrimin e tyre për të vazhduar protestat. “Partia Socialiste në përgjigje të vullnetit të qindra mijëra shqiptarëve që votuan për të, në javët në vijim do të organizojë më të madhin miting proteste demokratike që është organizuar ndonjëherë në historinë e pluralizmit shqiptar. Ky miting do të ketë vetëm një kërkesë   “Hap kutitë ose largohu””, theksoi më tej Ruka. Reagimi i PDI menjëhershëm ishte reagimi i Partisë Demokratike, e cila akuzoi kreun e opozitës se nuk po lexon siç duhet rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Megjithëse nuk shprehen se në çfarë niveli do të përfaqësohen në një tryezë të organizuar nga kreu i shtetit, demokratët janë të gatshëm të pranojnë Topin si negociator. “Gjithmonë në këtë kontekst, Partia Demokratike thekson gatishmërinë e saj, për të mirëpritur kontributin e Presidentit të Republikës dhe të çdo aktori tjetër, pa asnjë lloj paragjykimi, duke vërejtur se jashtë rrafshit kushtetues, respektimit të shtetit ligjor dhe vendimeve të gjykatave mund të ketë vetëm një dialog shterpë dhe asgjë më shumë se kaq”, theksoi kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, teksa shtoi se kjo forcë mund të ngrejë që të enjten një komision hetimor për zgjedhjet. Zyrtari i lartë i selisë blu tha se kreu i PS-së, Edi Rama po sfidon rekomandimet e Strasburgut duke deklaruar se do ta rrëzojë qeverinë me protesta. “Ne si mazhorancë mbetemi sërish të vendosur për të bashkëpunuar me opozitën, sapo ajo të vendosë të respektojë Kushtetutën e vendit, shtetin ligjor, dhe rregullat e lojës për një vend demokratik. Por ndërkaq, kërcënimeve të vazhdueshme të zotit Edvin Kristaq Rama si dhe aludimeve të tij për vitin 1990, i përgjigjemi shkurt dhe prerë se: ne që përmbysëm etërit, nuk ka sesi të impresionohemi nga bijtë e Bllokut”, përfundoi Patozi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›