Imami: Ligj i ri për hapjen e dosjeve
Ministri i Mbrojtjes Arben Imami deklaron se do të zbatojë vendimin e Kushtetueses për paktin për kufirin detar ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë, por për ligjin e lustracionit (Dosjet) qeveria do të hartojë një ligj të ri. I pyetur në lidhje me dy standardet e maxhorancës në lidhje me vendimet e Gjykatës më supreme në Shqipëri, Imami theksoi se “janë dy çështje qartësisht të dallueshme”. “Lustracioni, është një çështje me karakter të theksuar politik për të cilin maxhoranca ka pasur një angazhim serioz dhe të plotë për të cilën ka bindjen e saj dhe për të cilën ajo do të luftojë. Kurse në një marrëveshje ndërkombëtare qeveria është një aktor ashtu sikurse janë aktorë, Presidenti, Parlamenti, Gjykata Kushtetuese dhe në këtë rast kur flet gjykata të tjerët heshtin” theksoi Imami. Për çështjen e marrëveshjes së kufirit detar me fqinjin jugor, Imami shprehet se “Do ta shikojmë se nuk e kemi parë akoma vendimin, të shohim se çfarë është pjesë formale dhe çfarë është pjesë jo formale dhe pastaj mbi bazën e detyrave që mund të ngrihen për një grup të ri apo për çdo lloj rinegocimi ne do të mendohemi të plotësojmë detyrat tona”. Këto komente Imami i bëri pas miratimit të bërë nga komisioni parlamentar i Sigurisë të kontratës për blerjen e 5 helikopterëve ushtarakë nga ana e qeverisë shqiptare me një vlerë 78,6 milionë euro.