E Shtunë, 31 Tetor 2026

FBK ua fal borxhet klubeve

Federata e Basketbollit e Kosovës u tregua zemërgjerë për skuadrat e saj. Kjo pasi të shtunën delegatët e Kuvendit të saj morën vendim që t’u falen mbi 24 mijë euro borxh klubeve. Por, kreu i basketbollit kosovar, Fatmir Gashi, u bëri thirrje klubeve që tash e tutje me kohë t’i kryejnë obligimet ndaj shtëpisë së basketbollit kosovar. Nga Express më 28 gusht 2011 në ora 11:51

Të shtunën në Prishtinë është mbajtur Kuvendi i Punës i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), në të cilin të pranishëm ishin 31 delegatë nga 39 sa i ka gjithsej.

Ky kuvend doli të jetë mjaft i favorshëm për klubet kosovare. Kjo pasi delegatët morën vendim që klubeve kosovare t’u falen të gjitha borxhet e tyre ndaj shtëpisë së basketbollit kosovar, që kapin shifrën e 24 mijë e 278 euro.

Kështu, skuadrat kosovare fillimin e edicionit të ri mund ta presin më të qeta. Por, kryetari i FBK-së, Fatmir Gashi - i cili edhe vetë votoi ‘pro’ shlyerjes së borxheve – u ka bërë thirrje klubeve që tash e tutje me kohë t’i kryejnë të gjitha obligimet ndaj shtëpisë së basketbollit.

“Më mirë është të shlyejmë borxhet dhe të shikojmë nga e ardhmja. Kjo nuk nënkupton se tani klubet të mos paguajnë obligimet e tyre, por përkundrazi, me këtë rast duhet të vetëdijesohen dhe në të ardhmen me kohë t’i kryejnë obligimet”, ka thënë Gashi.

Njëherësh, Gashi raportoi rreth punën njëvjeçare të FBK-së, derisa delegatët e votuan procesverbalin nga mbledhja e kaluar, aprovuan raportin e punës, financiar dhe atë të komisarit të garave. Kuvendarët bënë edhe disa ndryshime normative në statutin e FBK-së, duke e shuar kështu Drejtoratin Superligës dhe si rrjedhojë e kësaj, delegatët e votuan edhe një anëtari të ri të bordit, Pal Sylaj.

Kurse Emilia Rexhepi është emëruar nënkryetare e re e FBK-së, në vend të Miomir Dashiqit, i cili pati ndërruar jetë kohë më parë. Ndërkohë, edhe në edicionin e ri, Hajrullah Rexhepi do ta kryejë funksionin e komisarit të garave për Superligë, Ligën e Parë dhe Ligën e Parë të femrave.

Ky kuvend në fund ka dalë me një deklaratë, nëpërmjet të cilës ka rikujtuar se edhe basketbolli, sikurse të gjitha sportet tjera në Kosovë, është në situatë të rëndë financiare.

Delegatët e Kuvendit të FBK-së e shohin të domosdoshëm intervenimin e institucioneve shtetërore të Kosovës për ta shpëtuar basketbollin dhe sportin kosovar në përgjithësi. Nëpërmjet kësaj deklarate, Kuvendi i FBK-së u ka bërë thirrje institucioneve më të larta shtetërore ta përshpejtojnë procesin e rregullimit të infrastrukturës ligjore.

Kuvendi i FBK-së është i zhgënjyer edhe me tretmanin që po ia bën Kosovës FIBA.
“Getoizimi mbi 20 vjeçar e ka bërë të veten. Ky nuk mund të quhet asgjë tjetër
pos aparteid apo racizëm në kundërshtim me kartën olimpike dhe të gjitha konventat
ndërkombëtare. Nuk e dimë pse pengon rinia jonë të luajë me të gjithë dhe si të gjithë
të tjerët. Këtë nuk e ka bërë as nacizmi në kohën e Luftës së Dytë Botërore e që nuk
e ka penguar pjesëmarrjen në gara të shtetit, racës apo fesë...”, thuhet pos tjerash në këtë deklaratë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›