Turizmi, Topi, vizitë në Mal të Zi
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, u nis dje drejt Malit të Zi për të marrë pjesë në Forumin Rajonal për Korridorët Kulturorë në Evropën Juglindore “Administrimi i Shumëllojshmërisë Kulturore dhe Promovimi për qëllime turistike”, i cili do të zhvillohet në datat 3-4 qershor 2009, në qytetin e vjetër turistik Cetinjë. Në këtë forum të tetë krerëve të shteteve të Evropës Juglindore do të marrin pjesë krerë shtetesh të Kroacisë, Maqedonisë, Bosnje-Hercegovinës, Serbisë etj., të cilët do të priten nga Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviç. Në forum do të jenë gjithashtu të pranishëm Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Terry Davis dhe Drejtori i Përgjithshëm i UNESCO-s, Koichiro Macura. Presidenti Topi do të mbajë fjalën në një nga sesionet plenare të forumit, ku do të përshëndesë organizimin e këtij aktiviteti të dobishëm për rajonin e Ballkanit, si dhe do të vlerësojë rëndësinë që ka për rajonin tonë promovimi i vlerave kulturore e turistike në mbarë Evropën. Gjatë punimeve të forumit, të organizuar nga UNESCO, - organizata më e madhe ndërkombëtare e angazhuar në sektorët e edukimit, shkencës dhe kulturës, - do të diskutohet për bashkëpunimin rajonal, politik, arsimor e kulturor mes vendeve të Evropës Juglindore. Gjithashtu, pjesëmarrësit do të diskutojnë për kontributin e UNESCO-s në rajon, Shqipëri e Kosovë etj. Pritet që Presidenti Topi të zhvillojë edhe takime dypalëshe me Presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanoviç dhe me homologë e drejtues të tjerë të lartë, pjesëmarrës në forum. Takimet dypalëshe të drejtuesve dhe delegacioneve zyrtare respektive do të përqendrohen në zgjerimin dhe thellimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit të ndërsjellë në kuadër të aspiratës integruese të vendeve tona në Bashkimin Evropian, si dhe të frymës së miqësisë dhe bashkëpunimit të mëtejshëm konstruktiv rajonal.