E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kartat” si pjesë e politikës paszgjedhor të Ramës



Nga Nebil Çika

Kapja pas “problemit” të kartave të identitetit po e përforcon gjithnjë e më shumë bindjen e publikut se ky moment përbën një skenar të qartë të PS-së për justifikimin e humbjes në zgjedhjet e 28 qershorit. Z. Rama ka angazhuar një pjesë të mirë të stafit të tij politik e mediatik të amplifikojë këtë problem me synimin e qartë për ta përdorur si alibi paszgjedhore. Çështja e kartave të identitetit nuk duket se ka lidhje me zgjedhjet, pavarësisht se akuzat e z. Rama drejtohen kundër qeverisë. Jo vetëm kjo, por e gjithë strategjia politike aktuale e Ramës është përzgjedhur në funksion të luftës për pushtet brenda PS-së dhe krejt të majtës, luftë që pritet të ashpërsohet menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare. E kemi përsëritur disa herë faktin që z. Rama me moskandidimin e tij për deputet ka deklaruar “de fakto” humbjen e zgjedhjeve duke iu përkushtuar projektit të tij kryesor, kontrollit të PS-së dhe krejt të majtës shqiptare. Ditët e fundit janë shtuar zërat për gjoja shtyrjen e ditës se zgjedhjeve apo prishjen e tyre nga PS-ja, gjë që në kushtet aktuale duket sa e pamundur aq edhe e rrezikshme për vetë lidershipin e PS-së. Nga retorika në fushatë mund të vihet re qartësisht një lloj kujdesi i zotit Rama për të mos u përplasur direkt me Berishën, një mesazh i qartë i synimit të tij politiko-elektoral. Duket sikur ka një komunikim në distancë mes dy lidershipeve që reflektohet edhe në qëndrimet publike apo deklaratat elektorale. Bindja e Berishës për një fitore plebishitare të tij në këto zgjedhje ka pa dyshim edhe suportin e jashtëzakonshëm të moskandidimit të Ramës dhe të bërit politikë prej tij në “gjysmëfushën” e PS-së, siç është rasti i justifikimit me alibinë e kartave të identitetit si pjesë e projektit paszgjedhor. Është fakt i njohur në ambientet zyrtare të së majtës e më gjerë se vëmendja politike e lidershipit, por edhe e faktorëve të tjerë politikë të saj është e përqendruar tek zhvillimet postelektorale. Kampet apo klanet politike po përgatiten për një përplasje ndoshta nga më të mëdhatë në historinë e PS-së, në epiqendër të së cilës pritet të jetë Edi Rama. Janë përgatitur të gjithë skenarët, nga mundësia e rrëzimit me votë të Ramës e deri tek mundësia për një ndarje tjetër të partisë. Por nuk janë vetëm kundërshtarët e Ramës që bëjnë plane. Qenia në krye të PS-së, por edhe të Bashkisë së Tiranës i ka dhënë mundësi z. Rama të jetë më superior në përgatitjen për përplasjen me kundërshtaret e tij brenda së majtës. Fakti që forumet partiake dhe lista e kandidatëve për deputet janë përgatitur prej Ramës, i jep atij një revansh momental të dukshëm. Mirëpo situata paszgjedhore mund të zvogëlojë kreditet apo mundësitë politike të Ramës, sidomos nëse ai nuk sajon një alibi apo justifikim për humbjen e zgjedhjeve. Kontrolli mbi forumet dhe grupin parlamentar mund të rezultojë i pamjaftueshëm për të përballuar kundërofensivën politike të paralajmëruar nga ish-kryetari Nano ende me kredite të forta në anëtarësinë dhe bazën konservatore të PS-së. Pozita e Ramës bëhet kritike në kushtet e humbjes së zgjedhjeve, gjë që detyron një skenar apo përpjekje të tij për të shmangur apo zbutur përgjegjësinë personale të kësaj humbjeje. Rama është detyruar të llogarisë edhe mundësinë e kthimit kundër tij të stekave të vjetra të PS-së, Ruçit, Dokles, Xhafës, Finos etje., gjë që shprehet tek përpjekjet e tij për tkurrjen e pushtetit të tyre në PS. Por ai ka llogaritur edhe rrezikun dhe presionin e vazhdueshëm të Ilir Metës. Po ta shohim me kujdes, në çdo takim elektoral të PS-së, si edhe në atë të hapjes në Q. S., del dikush që sulmon Metën dhe LSI-në. Z. Meta është pritet të jetë një faktor i rëndësishëm në humbjen e paralajmëruar të PS-së në 28 qershor. Duke mos e fshehur ambicien për të qenë shefi i së majtës shqiptare, ai përbën një kërcenim potencial për z. Rama. Një aleancë e mundshme e paralajmëruar e Metës me Nanon dhe kundërshtarëve të tjerë të deklaruar apo të padeklaruar të Ramës tek e majta, duket se përbën problemin më serioz, më real të tij në këto zgjedhje. Z. Rama po mundohet me sforcim të përmbajë veten në daljet publike në këtë fushate. Përkundër dhunës verbale, si mënyra origjinale e tij në drejtimin e PS-së dhe në përgjithësi në marrëdhënie me vartësit “urtësia” e tij publike si dhe fushatave të ashpra të mëparshme , mospërballja drejtpërdrejt dhe kujdesi për të mos e sulmuar drejtpërdrejt Berishën, nënkupton mundësinë e një “pakti”, mbase edhe në distancë midis tyre. Si përfundim, dua të theksoj se nuk besoj se ka shqiptar normal të mos këtë dyshuar ndonjëherë në faktin se Rama nuk ka as mundësi, por as edhe synim t’i fitojë këto zgjedhje. Duket qarte se mandati qeverisës, të paktën në këto zgjedhje, nuk është as projekt e as synim i tij, gjë që e ka degjeneruar fushatën në atë që thamë në fillim: gjetjen e një justifikimi apo alibie për humbjen e zgjedhjeve. Ka pak gjasa të gjejë një të tillë të besueshme, por na duhet të presim edhe një muaj, duke shpresuar të arrijë ta kontrollojë veten për të mos përfunduar në ndonjë skenar që mund të tentojë prishjen e standardit të zgjedhjeve, për të cilat ka përvojë të bollshme edhe si parti, por edhe si person. Gjithsesi, periudha pas zgjedhore në PS pritet të jetë sa interesante, aq edhe e paparashikueshme, gjë që ka arritur të tërheqë, që tani, vëmendjen e publikut.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›