Topi, Macura: Kosova në forumet rajonale
Presidenti i vendit, Bamir Topi, këmbëngul për përfshirjen e shtetit të ri të Kosovës në nisma dhe forume të përbashkëta rajonale edhe në fushën e kulturës dhe ruajtjes e evidentimit të vlerave historike e kulturore. Kjo u theksua dje prej tij në takimin me Drejtorin e Përgjithshëm të UNESCO-s, Koichiro Macura. Topi theksoi rëndësinë dhe partneritetin e suksesshëm midis UNESCO-s dhe vendit tonë në fushën e kulturës, por edhe në të gjitha fushat, duke u konkretizuar me projekte në arsim, shkencë, kërkim shkencor etj.
Presidenti Topi nënvizoi se bashkëpunimi midis vendeve të rajonit në këtë kuadër duhet të jetë intensiv, jo vetëm për promovimin e kulturës, por edhe për kthimin e objekteve të trashëgimisë kulturore, që karakterizojnë këtë zonë, në vendet e origjinës së tyre. Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm i UNESCO-s, Koichiro Macura, siguroi mbështetjen e organizatës që ai drejton për të gjitha nismat e projektet e Shqipërisë për promovimin e vlerave arsimore, shkencore e kulturore.