Beteja e pikës së bardhë: Dinamo - Partizani 7-2

Kur kanë mbetur edhe vetëm 90 minuta për të përcaktuar ekipin kampion, ia vlen të bëjmë një udhëtim drejt pikës së bardhë, ku pa dyshim në fokus janë penalltitë e akorduara nga gjyqtarët për Dinamon e Partizanin, dy rivalët e mëdha për titull.
Statistikat flasin: 7 penallti për Dinamon, kundrejt 2 penalltive të dhëna për Partizanin. Edhe një detaj tjetër: kundër Dinamos janë dhënë 3 penallti, kundër Partizanit 2 të tilla, ku njëra, ajo e akorduar Tiranës, është humbur nga Klodian Duro.
Penalltinë e parë Dinamo e morri qysh në javën e parë, kur Sebino Plaku e shndërroi në gol në minutën e 87-të në fitoren 4-0 kundër Besëlidhjes.
Partizani do ta gjente atë në javën e 5-të, kur Gjergji Muzaka realizoi me penallti në fitoren 4-0 kundër Teutës. Muzaka do të vihet sërish para pikës së bardhë në fitoren 2-1 kundër Kastriotit në javën e 15-të, kur mesfushori sulmues i të kuqve realizoi golin me vlerë trepikëshe në minutën e 90-të.
Sebino Plaku nuk gaboi për Dinamon në fitoren më të thellë sezonale: 7-0 kundër Skënderbeut, në javën e 17-të.
Ish-sulmuesi i Apolonisë u transferua në Norvegji dhe, te pika e bardhë u shfaq kroati Pero Pejic, i cili realizoi në fitoren 3-1 kundër Skënderbeut në javën e 23-të.
Penalltitë marrin tërësisht ngjyra blu në javët në vazhdim: Bekim Kuli realizon në minutën e 93-të në fitoren 2-1 të Dinamos kundër Teutës (java 25). Sërish kavajasi realizon në fitoren 6-0 kundër Flamurtarit në javën e 27-të.
Kuli shndërrohet në një specialist i pagabueshëm nga pika e bardhë: nga gjashtë gola, katër janë shënuar prej nga pika e bardhë. Realizoi golin e fitores 2-1 ndaj Tiranës në javën e 30-të dhe sërish kundër Besës (2-0) në javën e 31-të.