Lika: Titullin, per familjen e kuqe te Partizanit

Trajneri i Partizanit, Hasan Lika, e ndjen se është shumë pranë fitimit të titullit të parë si trajner. Gjithsesi ish-trajneri i Teutës tregohet i matur në deklarimet e tij: "Natyrisht që do të bëjmë maksimumin. Është një ndeshje që dëshirojmë ta fitojmë e të shpallemi kampionë".
Lika beson në lojtarin e 12-të, tifozerinë e jashtëzakonshme të kuqe. "Duhet të jemi të ndërgjegjshëm, ata janë një faktor i rëndësishëm. Do të na ndihmojnë shumë".
Trajneri, që e ka shijuar trofeun e fundit të Partizanit, në rolin e ndihmësit të Sulejman Starovës në sezonin 1992-1993, shton: "Do të jetë një titull që më shumë se kushdo tjetër do t'i përkasë familjes së Partizanit, dhe për këtë arsye duhet ta fitojmë patjetër".
Dinamo kryeson me dy pikë më shumë, dhe përvec faktit që ndodhet në krye, blutë e kanë eliminuar Partizanin në cerekfinalen e Kupës së Shqipërisë.
Në ndeshjet e kampionatit dy ekipet kanë ndarë nga një fitore. Lika është i vetëdijshëm: "Është një ndeshje e vështirë, por ne do të japim maksimumin".
Nëse Partizani do të fitojë titullin, atëherë do të barazohet me trofe me Dinamon, nga 16, kur rekordin për kampionate të fituara e mban Tirana: 23 të tilla.