Moçka, të shtunën portieri vëzhgohet nga Ajaksi

Të shtunën në javën e fundit të Kategorisë Superiore, ndërsa në kryeqytet do të luftohet për titullin kampion, në Vlorë në takimin Flamurtari-Elbasani, portieri i talentuar vlonjat Shpëtim Mocka do të vëzhgohet nga një trajner portierësh, më cilësinë e verifikuesit, përpara se lojtari i Shpresave të meritojë një provë te Ajaksi i Amsterdamit.
Informacionet e grumbulluara për 18-vjecarin, një e ardhme e sigurt e katërkëndëshit kuqezi, janë vlerësuar në Holandë, ku kanë mbërritur edhe disa pamje filmike të portierit.
Arben Kasolli, një trajner moshash te Ajaksi, do të kryejë edhe rolin e të dërguarit të klubit legjendar portokalli. Kasolli punon si skauter portierësh, dhe që stërvit një numër të madh portierësh në Akadeninë e Johan Krujfit në Holandë, do të shoqërohet nga menaxheri Mario Cenolli, i cili punon për agjencinë e transferimit të lojtarëve "Vata Vizion Football Managament", një nga më autoritarët në tregun shqiptar dhe me lidhje të shumta ndërkombëtare në menaxhimin e talenteve të reja.
Kjo agjenci në muajin janar realizoi transferimin në Bullgari të dy lojtarëve: mbrojtësit Klodian Semina te Belasica Petric dhe sulmuesit të Partizanit, Enco Malindi te Slavia e Sofjes.