Beteja e tretë
-490x320.jpg)
Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike Kosovës, të hënën, kanë nisur fushatën elektorale në Prizren dhe Lipjan - për herë të tretë, brenda tre muajve.
Gjatë pesë ditëve të ardhshme, këto parti do të mundohen t’i bindin qytetarët e këtyre dy komunave që të votojnë për kandidatët e tyre më 31 janar.
Kandidati i PDK’së për Kryetar të Prizrenit, Ramadan Muja çeli fushatën e tij duke vizituar disa fabrika në qytet.
“Ju lus që të dilni pasivisht, qytetarë të nderuar të Komunës së Prizrenit, për të votuar edhe një herë, për të shfrytëzuar të drejtën e juaj ligjore dhe qytetarë për të zgjedhur të preferuarin tuaj”, tha Muja.
“Unë e di se është bërë e mërzitshme për të hyrë për herë të tretë brenda dy muaj e gjysmë në zgjedhje, por ja që ka vendosur politika, kështu mund të gëzojmë fitoren, sikurse edhe në të dy herët e tjera, të mëparshme”, shtoi ai.
Rivali i Ramadan Mujës, ndërkaq, Hanefi Muharremi i LDK’së, ka nisur fushatën e tij përmes një konference për media, ku ka lëshuar akuza të forta.
“Një pushtet i cili nuk i përfill as rregullat, as ligjin dhe nuk është transparent. Ju e dini që ne përgatitemi për fushatë, ata vazhdimisht hapin tenderë, tenderë pa mbulesë, pa rregullat që i kërkon tenderi që të kenë edhe zotimet e mjeteve, vetëm e vetëm t’i joshin qytetarët që ata të votojnë për Partinë Demokratike, respektivisht për koalicionin që e ka. Ne si parti dhe si koalicion, Lidhja për Prizrenin, jemi të gatshëm që gjatë mandatit të ardhshëm të respektojmë ligjin, të jemi transparentë dhe të luftojmë korrupsionin”, ka theksuar Muharremi.
Ai ka dhënë premtime edhe për komunitetet, sidomos boshnjakëve dhe turqve se do t’i kenë të gjitha përparësitë në krahasim me këto dy vjet që nuk i kanë pasur.
Muharremi ka deklaruar se disponimi i qytetarëve është për të ndërruar këtë qeverisje.
Ndryshe, Muharremi mendohet se do të dëmtohet në këtë raund për shkak se AKR’ja pritet që të martën të nënshkruajë marrëveshje me PDK’në. Partia e Behgjet Pacollit, në garën e balotazhit kishte mbështetur kandidatin e LDK’së, por tash pritet që ta mbështesë kandidatin e PDK’së. Megjithëkëtë, Henefi Muharremi ende e konsideron si të qëndrueshme marrëveshje me AKR’në, pasi që me vendimin e Kryesisë së AKR’së që të prishet koalicioni me LDK’në, nuk janë pajtuar një pjesë e udhëheqjes së degës së kësaj partie.
PDK’ja dhe LDK’ja nisën fushatën elektorale edhe në Lipjan.
PDK’ja, mesnatën e së dielës, ka vendosur në qytet posterë të Kryetarit aktual të Lipjanit, Shukri Buja, me sloganin “Ne fitojmë prapë”.
Të hënën, në konferencën për media, Buja ka vlerësuar se ky do të jetë konfirmimi i tretë i tij si Kryetar i Lipjanit.
“Akuza ka pasur edhe për Gjilanin dhe u hetuan dhe u verifikuan votat dhe s’po i pranojnë prapë. Akuza ka pasur edhe në Lipjan, edhe pse shumë mirë dihet kush janë vjedhësit, sepse pa u ankuar askush në Komisionin e Ankesave, është anuluar një vendvotim dhe ai vendvotim është Smallusha, ku hapur ka vjedhur Xhelal Krasniqi, me emër e mbiemër, është nën hetime dhe është nip i Imri Ahmetit. Ai është anuluar për shkak të vjedhjeve. Nuk ka ndonjë qendër të votimit, në të cilin ka mundur të verifikohet vjedhja e votave, ndërsa hapur është vjedhur në Smallushë dhe kjo është verifikuar edhe me anulimin e Smallushës qysh ditën e votimit”, ka thënë Buja.
LDK’ja në Lipjan, ndërkaq, ka zgjedhur mënyrën që përmes të rinjve ta nisë dhe ta zhvillojë fushatën pesëditore.
Nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri ka thënë se ky rivotim do të jetë i garantuar, ngase do të ketë më shumë policë dhe vëzhgues, sidomos në ato qendra të votimit ku ka pasur vjedhje të votave dhe grushte.
“Ky rivotim na detyron që të punojmë këto pesë ditë për të shpjeguar në Lipjan shtëpi për shtëpi, njeri për njeri, që dalja në votim dhe vota për Imri Ahmetin në Lipjan është vota e cila garanton transparencë, funksionalitet, qeverisje të mirë lokale dhe mbi të gjitha, dialog dhe hapje të dyerve për qytetarët. Kjo na dallon në qeverisje, me qeverisjen aktuale, qeverisjen në shkuarje në Lipjan, me qeverisjen e cila prej frikës së vullnetit të qytetarëve na ka skandalizuar disa herë në Lipjan, fatkeqësisht”, ka thënë Haziri.
Duke besuar në fitoren e LDK’së në Lipjan, ai ka thënë se Haziri çdo rritje e LDK’së nënkupton perëndim për qeverinë aktuale.
“Mos harroni se LDK’ja është në qeverisje për interes të shtetit, por nuk është e domosdoshme dhe nuk është e thënë që LDK’ja duhet të rrijë vazhdimisht në atë vend për hir të shtetit, sepse fundja punët e mëdha të shtetit janë kryer dhe nuk jemi vetëm ne ata që duhet ta mbajmë këtë interes kapital dhe do të vlerësojmë kujdesshëm a kemi nevojë a s’kemi nevojë. Realisht është koha e mirë për vlerësime të drejta. Pas rivotimit, do të vlerësojmë shumë drejt për pozitën tonë dhe rolin tonë në të ardhmen e afërt”, ka thënë ai.