E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mes dy thikash

Presidenti Fatmir Sejdiu, Kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj dhe Kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa, duket se kanë vendosur ta copëtojnë partinë e Nexhat Dacit - Lidhjen Demokratike të Dardanisë.

Lideri i AAK’së futi nën sqetulla komplet Degën e LDD’së në Kaçanik, të hënën, derisa LDK’ja po përpiqet t’ia shqyejë Nexhat Dacit edhe bastionin e dikurshëm, Degën e Ferizajt, ashtu sikurse edhe Degën e Vitisë. Në të njëjtën kohë, Fatmir Sejdiu dhe Isa Mustafa po mundohen të sjellin në LDK figurat qendrore të LDD’së.

Gjithçka po zhvillohet në kohën kur pakënaqësitë në LDD po shtohen për shkak të rezultateve jo të mira në zgjedhjet e vjetshme lokale dhe për faktin se Nexhat Daci duket i vendosur për ta vazhduar bashkëpunimin me Behgjet Pacollin.

Kjo situatë mund të jetë rrënuese për LDD’në.

Por Nexhat Dacit nuk duket të jetë i shqetësuar.

“LDD’ja nuk është e frikësuar për sjellje të tilla”, ka deklaruar Daci, në një bisedë për Express, të hënën.

Kryetari i LDD’së akuzon LDK’në dhe AAK’në se po shfrytëzojnë mungesën e ligjshmërisë në vend.

“Mendoj se është një turp i madh i këtyre partive që po mundohen ta shfrytëzojnë mungesën e ligjshmërisë në vend për t’i trafikuar mandatet. Ata, në veçanti, iu kanë gjuajtur deputetëve të partive që nuk kanë shërbime informative apo ushtarake të veta”, ka deklaruar Daci.

Ai, më pas, ka sjellë shembuj konkretë.

“Presidenti i Kosovës, i cili mban funksionin e ngrirë të Kryetarit të LDK’së, po i thërret në konsulta sekrete në Presidencë deputetët e LDD’së dhe AKR’së, sepse deputetët e partive të tjera nuk ka kurajo”, ka deklaruar Daci.

Ngjashëm si Sejdiu, sipas Dacit, po vepron edhe Kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa, i cili thuhet se u është afruar disa deputetëve të LDD’së me ofertën që të kalojnë në partinë e tij, LDK.

“Nuk do të kisha dashur të merrem (me Isa Mustafën). Por ka faktografi të gjallë. Është shumë e vërtetë që është marrë me këto gjëra”, ka deklaruar Nexhat Daci.

Kryetari i LDD’së ka dhënë edhe një përgjigje për Ramush Haradinajn, i cili të hënën në një konferencë për media, njoftoi se komplet Dega e LDD’së në Kaçanik ka kaluar në AAK.

“Mendoj se është një e pavërtetë e madhe. E vërteta është se një pjesë e LDD’së para zgjedhjeve ka shkuar në listën e AAK’së për delegatë dhe rrejshëm tash janë paraqitur në AAK se gjoja përfaqësojnë LDD’në”, ka thënë Daci.

“Ata janë larguar para raundit të parë të zgjedhjeve dhe nuk i takojnë fare LDD’së. Nuk është e mirë, sepse mund të priten trafikime të natyrës tjetër dhe në kahe tjetër”, ka shtuar Kryetari i LDD’së.

Nexhat Daci krejt këtë situatë e sheh si tendencë të LDK’së dhe AAK’së që problemet e brendshme të tyre, t’i transmetojnë te partitë e tjera.

“Ato po e shfrytëzojnë një traditë të vjetër që e ka pasur komunizmi, ta eksportojnë atë problem nëpër shtëpitë e tjera”.

Anëtari i Kryesisë së LDD’së, Gani Geci është dëshmitar i takimeve të Isa Mustafës me zyrtarë të LDD’së.

“Isa Mustafën e kam parë vetë në Kuvendin e Kosovës me anëtarë të LDD’së, të cilët po mundohet t’i kthejë në LDK”, ka thënë Geci.

Por, deklaratat e Gani Gecit i ka demantuar Nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri.

“Isa Mustafa absolutisht është i koncentruar në Komunën e Prishtinës në reformimin e administratës lokale”, ka thënë Haziri, për Express.

“LDK’ja në asnjë mënyrë nuk është duke e marrë askënd, përveçse i ka hapur dyert për të gjithë ata që dëshirojnë të kthehen dhe që kanë qenë pjesë e LDK’së”, ka shtuar ai.

Ndryshe, Ramush Haradinaj të hënën e dha lajmin se komplet dega e partisë së Nexhat Dacit në Kaçanik është shuar dhe ka kaluar në AAK.

“Pra, aktivistët që i shihni prezentë nga spektri i djathë politik, kanë vendosur të jenë së bashku dhe ta vazhdojnë aktivitetin politik së bashku”, tha Haradinaj.

Deputeti i LDD’së, Gani Geci tendencës për ta dobësuar LDD’në, i është përgjigjur me akuza të rënda ndaj PDK’së dhe LDK’së.

“Ju e dini se një pjesë e PDK’së kanë orientime marksiste-leniniste dhe disa prej tyre edhe staliniste dhe konform këtyre orientimeve janë sjellë me LDK’në pas lufte”, ka thënë ai.

“Ndërsa LDK’ja pas vdekjes së Presidentit Rugova dhe ardhjes në krye të saj Presidentit aktual, ndaj një pjese të anëtarësisë së vet është sjellë me politikën titiste të diferencimit politik”, ka shtuar ai.

Gani Geci ka shtuar se nuk e ka ndërmend që ta lëshojë LDD’në.

“Atyre që kërcejnë nga një vend në një vend tjetër, te ne në Drenicë u themi karcella”, ka thënë ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›