Gjukanoviç: Washingtoni s’bëri presion për Kosovën

Kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, ka mohuar se vizita e tij në Washington ka të bëjë me vendosjen marrëdhënieve diplomatike me Kosovën.
Kryeministri malazez ka thënë se askush në Washington nuk ka insistuar për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve fqinje.
Në një intervistë për gazetën serbe "Danas", Gjukanoviç ka deklaruar se Mali i Zi kishte planifikuar vendosjen e marrëdhënieve të plota me Kosovën edhe më herët, por këtë e nuk e ka bërë për shkak të procesit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) në Hagë.
Ai ka shtuar se për Beogradin ishte e rëndësishme që në këtë plan të mos bëhet asgjë, derisa të mos paraqiten argumentet për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës para kësaj gjykate. Por tash kjo fazë ka përfunduar dhe Mali i Zi ka konsideruar se duhet vepruar në pajtim me vendimin të cilin ky shtet e ka marrë para më shumë se një viti.
Kryeministri malazez ka theksuar se në rastin e vendimit për vendosjen e marrëdhënieve me Kosovën kanë mbisunduar vlerësimet se në këtë mënyrë po respektohet realiteti politik, i cili është e pamundur të ndryshohet.
Ndërsa duke i komentuar marrëdhëniet ndërmjet Podgoricës dhe Beogradit, Gjukanoviç ka thënë se problem evident është se një pjesë e opinionit në Serbi ende nuk është i gatshëm të pranojë se Mali i Zi me të vërtetë është i pavarur dhe e zhvillon politikën e tij, në pajtim me vlerësimet e interesave nacionale.