E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dyshimet e Haradinajt

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka shprehur dyshimet e tij për kapacitetet e Qeverisë aktuale për implementimin e Strategjisë që synon rikthimin e ligjshmërisë në Veri të vendit.

Të hënën, gjatë një konferencë për media, tha se është jetike për shtetin e ri që të ketë kontroll në çdo pjesë të tij.

Deklaratat e Liderit të AAK’së vijnë pasi që Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Pieter Feith tha se Strategjia për Veriun do të diskutohet edhe me Beogradin zyrtar.
Sipas Haradinajt, Beogradi nuk ka pse të përzihet në këtë çështje, nëse Prishtina është e aftë ta realizojë këtë plan.

“Nuk ka nevojë, nëse Kosova i ka aftësitë e veta, sepse bëhet fjalë për territor të Kosovës. Ndërsa aftësitë zbatuese të Prishtinës janë të mangëta, atëherë me siguri ata të tjerët do ta kenë influencën ose rolin e vet”, tha ai.

“Pra, do të ishte me rëndësi që Prishtina zyrtare të ketë aftësitë e veta në zbatues të ligjshmërisë në Veri”, shtoi Haradinaj.

Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, Pieter Feith ka deklaruar të dielën se zbatimi i Strategjisë për integrimin e pjesës Veriore të Kosovës në sistemin kosovar, nuk nënkupton zgjidhje të imponuar dhe as përdorim të forcës.

Në këtë pikë pajtohet edhe Ramush Haradinaj.

“Nuk mendojmë që ka nevojë për forcë, por zbatimi i ligjit është i nevojshëm në Veri”, tha Kryetari i AAK’së.

“Kjo strategji e shpallur tash, mendoj që ka me i pasë sfidat e veta, meqenëse kemi thënë çdoherë se zbatimi është me rëndësi. Një plan sado i mirë në letër, pa një fuqi ekzekutive mund të ketë vështirësitë e veta në zbatim”, tha ai.

Rreth Strategjisë për Veriun ka diskutuar të hënën edhe Kryesia Qendrore e Lidhjes Demokratike të Dardanisë.

Kryesia e LDD’së i ka quajtur deklaratat e Qeverisë së Kosovës rreth planit strategjik të qeverisjes së vendit, si të pavërteta.

“Ky plan vjen përfundimisht si ndihmë nga ICO’ja për qeverisjen e vendit, pasi që kjo e fundit përfundimisht ka dështuar në zbatimin e Kushtetutës, si dhe vazhdon të punojë ad hoc, duke na lënë të kuptojmë se zhvillimi i vendit me këtë qeverisje është i pamundshëm, në bazë të mungesës së kapaciteteve profesionale, të cilat po vazhdojnë ta rëndojnë jetën e qytetarit të Republikës së Kosovës”, thuhet në një komunikatë të LDD’së.

Plani i ICO’së nuk është plan i BE’së

Në Bruksel të hënën është zhvilluar takimi i parë i rregullt i ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian, të cilin e kryesoi Përfaqësuesja e Lartë e BE’së për Punë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton.
Zyrtarë të Presidencës spanjolle të BE’së kanë thënë për BBC’në se do t’ia bëjnë të qartë Ministrit të Jashtëm serb, Vuk Jeremic, që nga Serbia presin një bashkëpunim më të mirë e më të ngushtë me EULEX’in.
Ndërkaq, nga ana tjetër, ata kanë theksuar se Plani për Veriun i Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO) dhe të autoriteteve në Prishtinë, “fare nuk është plan i BE’së". Ata gjithashtu thonë se as UNMIK’u nuk është konsultuar fare për këtë plan dhe se “është distancuar”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›