E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paudhësitë e Zonjës Shnajder

Ka ngelur sërish jetime përgjigjja sesi u përzgjodh ky film, pa kaluar më parë fazën e shqyrtimit nga një komision, pas heshtjes së QKK-së dhe MTKRS-së

Nga kampi i Milkanëve nuk ka më trishtim, por vetëm buzëqeshje. Filmi “Trishtimi i Zonjës Shnajder”, me regji të Pirro dhe Eno Milkanit, është kandidat për çmimin “Oskar”, në kategorinë e filmave në gjuhë të huaj (filmat jo në gjuhën angleze). Përkrah lajmit të mirë, që padyshim na lumturon të gjithëve, ngelen ende hije dyshimi mbi mënyrën se nga kush është përzgjedhur ky film. Në kohën kur të gjithë prisnin një sqarim, regjisori Pirro Milkani mendoi ta anashkalonte me barsoleta korçare, por nuk ia doli dot mbanë. Kështu, “i detyruar” të prekte një temë kaq delikate, ai u shpreh se çështja në fjalë nuk ishte kompetencë e tij, edhe pse ekzistonte një dokument që provonte një gjë të tillë. “Detyra ime është që të dorëzoja një dosje komplete me dokumente dhe duke ndjekur të gjitha procedurat strikte të kërkuara nga organizatorët. Ndërkohë, që nuk ka pasur filma të tjerë shqiptarë që kanë aplikuar, pasi ka një afat kohor të caktuar. Por ka edhe filma që nuk kanë aplikuar, i referohem këtu filmit “Koha e kometës”, i cili premierën e kishte më vonë se afatet e caktuara nga Akademia e Çmimeve “Oskar”. Unë çova filmin tim dhe nuk më interesojnë të tjerët. Shkoni dhe pyetni në QKK ”, tha prerë Milkani. Paudhësitë e “Zonjës Shnajder” vijnë një ditë pas heshtjes shurdhuese nga bordi i Qendrës Ndërkombëtare Kinematografike, të cilët pretendojnë se nuk ka qenë pjesë e këtij procesi. Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe MTKRS-ja. Për sa u përket procedurave të ndjekura për t’u pranuar në Akademinë e Çmimeve “Oskar”, regjisori shprehet: “Filmi është përkthyer në anglisht, për t’u vlerësuar nga një komision, ku merrnin pjesë 100 specialistë. Një nga kriteret ishte që titrat të ishin në anglisht dhe me germa të verdha, pasi atje shohin edhe detajet”, tha regjisori. Nga ana tjetër, ai sqaroi faktin se filmi konkurron për Shqipërinë, pavarësisht se është një bashkëprodhim shqiptaro-çek. “Dua ta theksoj një gjë të tillë, pasi ditët e fundit mediat çeke po bëjnë festë, duke e quajtur si prodhim të vetin, por nuk mund të quhet i tillë, kur regjia, skenari dhe shumë komponentë të tjerë janë realizuar nga emra shqiptarë”. Në festivalin ndërkombëtar të filmit në “Karlovi-Vari”, (Çeki), filmi i Milkanëve, “Trishtimi i Zonjës Shnajder”, u shfaq në seksionin e filmit komercial. Në shfaqje ndodhej edhe shefja e zyrës së çmimeve “Oskar”, Torene Svitil, e cila sugjeroi që “Trishtimi...” të merrte pjesë në konkurrimin për çmimin “Oskar” në edicionin e 81-të. Presidenti i shoqërisë ndërkombëtare “TPE”, (Tele Produzioni Elettroniche), Gianfranco Luizzi, u shpreh: “Me shumë dëshirë kam punuar për ta prezantuar filmin në festivale ndërkombëtarë të ndryshëm, për më tepër, për të realizuar distribucionin e filmit në të gjithë botën, pasi tregu i shpërndarjes së filmit në botë nuk është shumë i lehtë, veçanërisht për një film shqiptar”. “Shkoni dhe pyetni në QKK”! “Trishtimi i zonjës Shnajder” u shfaq në datat 14-22 tetor dhe në edicionin e 29-të ndërkombëtar të Filmit Mesdhetar në Valencia, (Spanjë), me ftesë të organizatorëve, në seksionin kryesor, ku juria ndërkombëtare e vlerësoi “Trishtimin e zonjës Shnajder” me “Çmimin Special” të saj. Por filmi është pritur mjaft ngrohtë edhe në festivalin e Tranit, në Itali, ku u nderua me “Targen” të jurisë. Filmi është bashkëprodhimi i parë shqiptaro-çek, realizuar nga Milkanët bashkëproducentë, me të cilët bashkëpunoi edhe çekja Jana Tomsoven, ndërsa skenari i tij është shkruar nga Radek Shofr dhe Pirro Milkani. Filmi është xhiruar në Çeki. Në rolet kryesore interpretojnë aktorja çeke Anna Geslerova dhe Kreshnik Xhelilaj, student i dramës në Akademinë e Arteve në Tiranë, ndërsa në role të tjera aktorë çekë, sllovakë, shqiptarë dhe italianë, si Violeta Manushi, Niko Kanxheri, Ondrej Moravec, Kamil Kollarik, Bara Shqepanova, Tomash Topfer, Michele Placido, Paolo Buglioni, Arta Dobroshi etj.

 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›