E Enjte, 5 Nëntor 2026

Beteja ligjore Berisha- Alibeaj për drejtimin e PD-së, “Rithemelimi” kërkon shkarkimin e gjyqtares Muça

Beteja ligjore mes palëve në PD, sot ka njohur një zhvillim të ri. Ashtu si edhe në rastin kur njëra palë e drejtuar nga kryetari i grupit parlamentarë të PD-së, dhe kryetar ende në detyrë i kësaj force politike, Alibeaj, kërkoi largimin e gjyqtarit Zhukri nga gjykimi i çështjes dhe hetimin e tij nga SPAK, ashtu sot edhe pala e drejtuar nga Sali Berisha, ka kërkuar hetimin e gjyqtares që pranoi ankimin e Alibeajt për vendimin e gjyqtarit Zhukri.

Madje “Rithemelimi” i Berishës shkon edhe më tej, kërkon shkarkimin e gjyqtares Blerina Muça. Kërkesa i është dërguar Artur Metanit, Inspektor i Lartë i Drejtësisë, si dhe Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, drejtueses Pamela Qirko.

“Rithemelimi” kërkon fillimin e hetimit dhe paraqitjen e kërkesës për marrjen e masës disiplinore pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor të “pezullimit nga detyra” për gjyqtaren Muça, duke kërkuar shkarkimin për shkak të shpërdorimit rëndë të detyrës.

Përmes një vendimi të datës 22 prill, gjyqtarja Muça rihapi çështjen e kontrollit të PD. Ajo pranoi ankimin e Partisë Demokratike, përfaqesuar nga Enkelejd Alibeaj,  kundër vendimit të Agron Zhukrit, që regjistroi ndryshimet Statutore në Partinë Demokratike, sipas Kuvendit të 11 dhjetorit të Sali Berishës. Gjykata e Tiranës pranoi kërkesën e Enkelejd Alibeajt, duke legjitimuar atë si ankues, duke pranuar të drejtën e ankimimit, dhe duke konstatuar që ankimi i paraqitur ka bazë të mjaftueshme për pranim dhe nuk është abuziv dhe i paligjshëm. 

Gjyqtarja Blerina Muça vendosi në Dhomë Këshillimi se PD, përfaqesuar nga Alibeaj, ka të drejtë ta paraqesë ankimin në Apel, të vendimit të Zhukrit. Tashmë, i takon Gjykatës së Apelit të vendosë nëse do të pushojë ankimimin, apo do të kthejë për shqyrtim po në Gjykatën e Tiranës, por me trupë tjetër gjykuese, kërkesë padinë e “Rithemelimit” për regjistrimin e statutit të 11 dhjetorit që Zhukri e vulosi më 25 mars 2022. Nëse vendimi i Zhukrit rrëzohet në apel, Sali Berisha e humbet sërish kontrollin e PD. 

Pasi gjykata pranoi ankimin e Alibeajt, ka ardhur edhe reagimi i Komisionit të Rithemelimit, ku përfaqësuesi ligjor Ivi Kaso, e konsideroi nul vendimin e Gjykatës. Sipas tij, Alibeaj nuk është palë në çështje. I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Gazment Bardhi, i cili thotë se Berisha është me dy standarde, kur i pëlqen vendimi i zbaton, por kur nuk i pëlqen sulmon Gjykatën. Më tej Bardhi thotë se koha kur kërcënoheshin gjykatat dhe gjyqtarët i përkasin së shkuarës.

Përfaqësues ligjorë të Rithemelimit janë shprehur më herët se Enkeleid Alibeajt nuk mund të ankimonte vendimin e Agron Zhukrit, duke qenë se nuk ishte palë në proces. Por gjyqtarja Blerina Muça, vendosi ta pranojë ankimin e palës ankuese, Alibeaj, duke e kaluar për shqyrtim në Gjykatën e Apelit. 

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›