E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beteja për Kopilin

Në qoftë se shqiptarët dhe serbët i urrejnë heronjtë e njeri tjetrit, kur bëhet fjalë për Millosh Kopiliqin (mbiemri i të cilit gjendet në forma të ndryshme si Kopili, Kobila, Obiliq, Kopiliq, Kobilic, rrënja e të cilit mund ta ketë një fjalë të vjetër ballkanike – kopil, fëmijë bastard) atëherë puna qëndron ndryshe. Ai është i vetmi hero që adhurohet nga të dyja palët. Madje të dy popujt pretendojnë se heroi, për të cilin thuhet se e ka vrarë Sulltan Muratin, është i tyre.

Shqiptarët thonë se ai ka qenë shqiptar nga fshati Kopiliq i Drenicës, ndërsa serbët e adhurojnë si hero kombëtar dhe e kanë përdorur si instrument për të dëshmuar kinse autenticitetin e tyre në këto troje. Dikotomia e tillë e ka provokuar edhe studiuesen Anna Di Lellio, e cila sapo e ka botuar edhe në gjuhën shqipe librin e saj “Beteja e Kosovës 1389, epos shqiptar”, i cili është botuar në shqip nga Edicioni “Zëri”.

Shkrimtari Mehmet Kraja, i cili është edhe redaktor i botimit në shqip, në promovim të librit, që u mbajt të enjten në Bibliotekën Kombëtare, tha se Beteja e Kosovës e vitit 1389, si rrallë ndonjë ngjarje tjetër e historisë, ka qenë një nga ato ngjarjet kthesa në hapësirën ballkanike, e cila ka prodhuar të tilla pasoja pothuajse të parehabilitueshme edhe sot e kësaj dite. Kraja pohoi se kjo ka qenë ngjarje që ka mbajtur Ballkanin të trazuar për më shumë se gjashtë shekuj, ndërsa kosovarëve ua ka nxirë jetën për shumë qindvjeçarë. “Shikuar nga aspekti historik, Beteja e Kosovës e vitit 1389 ka shumë paqartësi, të cilat nuk kanë arritur të ndryshohen sot e kësaj dite. Mjafton të themi se tyrbja e Sulltan Muratit në Mazgit, ku supozohet se janë varrosur rropullitë e Sulltanit, ndërsa trupi i tij i balsamosur është varrosur në Edrene në shekullin XIX, kurse përmendorja e Gazimestanit, ku supozohet se është zhvilluar beteja, është e vitit 1954”, u shpreh Kraja.

Duke ndodhur në një kohë të errët për Ballkanin dhe për Evropën, Kraja shtoi se kjo ngjarje kthese e historisë dhe e përplasjes së civilizimeve në një hapësirë si kjo, ku mitet dhe legjendat bashkëjetojnë me përditshmërinë, ka qenë e pritshme që nga një ndodhi reale të sendërgjohet në produktet më imagjinative siç janë mitet, legjendat dhe eposi popullor.

Sipas Krajës, deri këtu rruga që ka ndjekur kjo ngjarje historike është krejt e natyrshme dhe e ngjashme me ngjarjet e tilla në mbarë historinë e njerëzimit. Mirëpo, siç u shpreh ai, ndodhi që në shekullin XIX, në periudhën e rizgjimit kombëtar të ballkanasve, Beteja e Kosovës e vitit 1389 bëri rrugën më të panatyrshme për një ngjarje historike, nga legjendat zbriti në faqet e shkruara të historisë dhe të programit nacional serb.

“Që atëherë, pra për dy shekuj më radhë, Beteja e Kosovës ka prodhuar vetëm tragjedi dhe fatkeqësi të njëpasnjëshme për Kosovën. Në një rrethanë të tillë, shqiptarët nuk krijuan mitin e tyre për Betejën e Kosovës dhe as për Kosovën si tokë e premtuar sepse ata jetonin në Kosovë dhe njeriu për nga natyra nuk sheh ëndërr atë që e ka por atë që nuk e ka. Ndërkaq, në kohë të vona shqiptarët u përpoqën të shpjegonin se Beteja e Kosovës ka qenë një epope tragjike për gjithë popujt e Ballkanit dhe se në atë betejë morën pjesë edhe shqiptarët me prijësit e tyre Balshën dhe Muzakën”, tha Kraja.

Duke folur për librin, Kraja tha se libri i Anna di Lellio-s në mënyrë të argumentuar tërheq vëmendjen se krahas eposit serb ekziston edhe një epos shqiptar për atë ngjarje të largët të vitit 1389.

Ndërkaq, autorja e librit, Anna di Lellio tha se synimi kryesor i botimit të librit në gjuhën angleze ka qenë që audienca e gjerë të njihet me eposin shqiptar. Ajo tregoi se libri është botuar tani edhe në gjuhën serbe në Beograd. Duke treguar për idenë që i kishte ardhur asaj për ta shkruar këtë libër, Di Lellio u shpreh se ajo i ka ardhur derisa po pinte kafe bashkë me Robert Elsie-n dhe Bejtullah Destanin.

“Ideja për të shkruar këtë libër me ka ardhur derisa po pija kafe në Londër me Robert Elsie-n dhe Bejtullah Destanin dhe pasi që isha duke punuar rreth një projekti për Adem Jasharin dhe traditën e rezistencës në Drenicë ua përmenda atyre se më kishte rënë në dorë një libër nga Ahmet Qeriqi mbi Milosh Kopiliqin. Kështu që mësova për Kopiliqin dhe mendova se ishte një histori interesante për ta hulumtuar dhe pyetja që më udhëhoqi ishte pse shqiptarët besojnë se heroi, kalorësi që e vrau Sulltanin ishte shqiptar”, tha Di Lellio.

Libri “Beteja e Kosovës 1389, epos shqiptar” është i ndarë në dy pjesë. Në pjesën e parë përfshihet studimi i autores mbi Betejën e Kosovës dhe figurën e Millosh Kopiliqit, ndërsa pjesa e dytë përmban tetë variante shqipe të këngës për Betejën e Kosovës.

Kush është Anna di Lellio?

Ana di Lellio është ligjëruese për çështjet ndërkombëtare në New York School University në New York dhe në Institutin Kosovar të Gazetarisë dhe Komunikimit në Prishtinë. Ajo ka doktoruar në sociologji në Universitetin Kolumbia në SHBA. Gjatë periudhës së UNMIK-ut, në Kosovë për një kohë ishte komisioneve për media. Edhe pas kësaj periudhe ajo mbeti e lidhur ngushtë me Kosovën dhe problemet e saj, shpesh duke u shfaqur në edicione të ndryshme në rolin e gazetares dhe të analistes politike. Është redaktore e botimit “Rasti i Kosovës: Rruga drejt pavarësisë”, me parathënie të Ismail Kadaresë.

Vlerësime rreth librit

“Anna di Lellio na ka dhënë një depërtim të rrallë në një gojëdhënë alternativë – shqiptare – të Betejës së Kosovës. Ky botim i vlefshëm, me përkthim preciz, i redaktuar dhe i komentuar, paraqet një punë të bërë me dashuri, e cila njëkohësisht është e një rëndësie të veçantë për dijetarët e së kaluarës ballkanike.”

Ivo Banac, profesor i historisë në Universitetin e Jellit

“Një botim madhështor me një përkthim të rrjedhshëm, të afërt dhe elokuent. ‘Beteja e Kosovës 1389’ është një sintezë e shkathtë në dobi të folkloristëve, antropologëve, osmanologëve dhe të gjithë atyre që janë të interesuar për zhvillimet e historisë bashkëkohore.”

Harry Norris, profesor emeritus, SOAS, Universiteti i Londrës

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›