E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beteja per Tripolin avancojne kryengritesit

Kryengritja që nisi më 17 shkurt në Libi, po i afrohet fundit, ndërsa forcat antiqeveritare i janë afruar Tripolit, pas përparimit të luftimeve në tre fronte me synimin e vetëm, marrjen e kryeqytetit. Kështu njoftohet nga  kryengritësit që luftojnë për rrëzimin e regjimit 41-vjeçar të kolonel Moammar Gadaffit, të cilët kanë arritur të marrin nën kontroll qytete të rëndësishme që e kanë izoluar Tripolin. Forcat proqeveritare vazhdojnë të jenë të fuqishme në kryeqytet, ndërsa vetë kolonel Gadaffi në një mesazh audio pas luftimeve të ashpra në periferi të Tripolit një natë më parë, ka thënë se  besnikët e tij i kanë eleminuar minjtë, siç i cilësoi ai kryengritësit.

Shpërthime dhe shkëmbime zjarri janë dëgjuar në disa pjesë të kryeqytetit, ndërsa një zëdhënës i kryengritësve i tha BBC-së se edhe Tripoli ka nisur të ngrejë krye kundër Gadaffit. Edhe korrespondentët e huaj në Tripoli konfirmojnë protesta dhe shkëmbime zjarri në veri dhe lindje të qytetit, sidomos në distriktin Taxhura, ku më herët, ka pasur edhe një përpjekje për kryengritje ndaj Gadaffit, por që u shtyp nga forcat e tij. Abdel Hafiz Ghoga, zëvendëskryetar i Këshillit Kombëtar të Tranzicionit i tha agjencisë Reuters se ora zero tashmë ka nisur, dhe kryengritja ka përfshirë edhe Tripolin. “Eshtë një plan i parapërgatitur”, tha ai. Zëdhënësi i qeverisë, Musa Ibrahim i përgënjeshtroi këto informacione.

Orët e fundit kanë qenë dramatike, ndërsa pritet një finale për luftimet që zgjasin prej shumë muajsh. Kryengritësit vunë nën kontroll qytetin e ZLitanit, dhe atë të Zauajas. Gjithsesi forcat besnike të Gadaffit u përgjigjën fuqishëm në Brega duke mos lejuar përparimin e kryengrtitjes atje.

Juli Prifti

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›