E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beteja për pronën, viktimat në gjyq bashkë me agresorin

 

TIRANE -Ka nisur si një zënkë banale mes dy të rinjve, por ka mjaftuar për të zgjuar konfliktet disavjeçare, baza e të cilave ka qenë gjithashtu një grindje banale mes dy adoleshentëve 15-vjeçarë. Tashmë, katër persona, Fabjan Lame dhe Fadil, Radmir dhe Rasim Xhabafti, anëtarë të dy fiseve Lame dhe Xhabafti, nga fshati Bulticë i Vaqarrit ndodhen të pandehur në një proces të përbashkët, nën akuzat: "vrasje me dashje e mbetur në tentative ndaj dy ose më shumë personave", "armëmbajtje pa leje", "veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës" dhe "vrasje me dashje e mbetur në tentativë". Ngjarja që i dërgoi në bankën e të akuzuarve katër banorët e fshatit Bulticë ndodhi mesditën e 20 prillit të këtij viti, ndërsa kishte si protagonistë dy 21-vjeçarët Fabjan Lamja dhe Radmir Xhabafti. Të ndodhur rastësisht pranë njëri-tjetrit ata kanë nisur të konfliktohen në lidhje me thyerjen e xhamit të një autobusi të linjës, Arbanë-Tiranë. Në grindje e sipër Lamja i ka kujtuar Xhabaftit ngjarjen e 6 viteve më parë, kur ky e kishte rrahur atë. Kjo ngjarje kishte qenë në njëfarë mënyre edhe një shkëndijë për grindje të vazhdueshme midis dy fiseve, të cilët shumë herë kanë pasur konflikte mes tyre. pas shkëmbimit të fjalëve fyese mes tyre, mesditën e 20 prillit të këtij viti, dy 21-vjeçarët janë larguar për në banesat e tyre, njëri me motoçikletë dhe tjetri me makinë, ndërsa në lokal kanë mbetur babai i Fabjanit, Abaz Lamja si dhe Rasim, Fadil e Aqif Xhabafti dhe një person që s'kishte lidhje me konfliktin, Muharrem Nurja. Pak minuta më vonë Fabjan Lamja është kthyer aty i armatosur me "Kallashnikov" dhe sapo ka zbritur nga makina ka qëlluar në brendësi të lokalit, ku kanë mbetur të plagosur 3 kushërinjtë Xhabafti, madje edhe babai i tij. Plumbat nuk kanë kursyer edhe Muharrem Nurjen, i cili nuk kishte asnjë lidhje me palët në konflikt dhe nuk ishte përfshirë në të. Ndërsa Radmir Xhabafti, i cili në fakt ishte shënjestra e plumbave të bashkëmoshatarit të tij kundërshtar ka shpëtuar për mrekulli dhe më pas është larguar me vrap. Pas kësaj, të plagosurit u dërguan në Spitalin Ushtarak ku morën mjekime dhe falë ndërhyrjes së menjëhershme të mjekëve dolën nga rreziku për jetën. Por përfundimi i konfliktit nuk ka qenë i lehtë për organet shtetërore. Të pandehurit, megjithëse të plagosur janë përpjekur të fshehin gjurmët e krimit, duke penguar zbulimin e së vërtetës. Kjo bëri që pas zbardhjes së ngjarjes prokuroria të merrte të pandehur edhe viktimat e breshërisë, të cilët nuk ishin përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë në konfliktin mes dy të rinjve Lamja dhe Xhabafti. Tashmë këta do të përgjigjen për kryerje të veprimeve, që pengojnë zbulimin e së vërtetës, sipas të cilës, nëse gjenden fajtorë nga gjykata, rrezikojnë dënime që mund të shkojnë deri në 3 vjet burg.     fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›