Enkelejda Shkoza, një koncert bamirësie në Tiranë
Alma Mile
Sytë e gjelbër i lotojnë herë-herë. Të qenit nënë e bën më të ndjeshme. Mexosopranoja Enkelejda Shkoza, një nga zërat shqiptarë operistikë më përfaqësues në Evropë, vjen të këndojë në Tiranë, pas 13 vjetësh. Çka e bindi më së shumti ishte një koncert bamirësie, për fëmijët në nevojë. Ka kënduar në skenat më të mëdha të Evropës, por përballë publikut të saj, ndihet më e emocionuar se kurrë.
Ç'do të thotë për ju të vini pas kaq shumë vitesh e të këndoni në Tiranë?
Vetëm ideja që do vija të këndoja këtu, më bëri të dridhesha. Dua të jap maksimumin tim. Më ndodh të jem e emocionuar kur bëj recitale, apo role në opera, por asnjëherë kështu. Kjo sepse do përballem me njerëzit e mi, me publikun tim. Duhet t'i kënaq dhe t'u paraqitem në mënyrën më të mirë të mundshme.
Çfarë jua mbushi mendjen?
Shtysa kryesore ishte kur mësova qëllimin e këtij koncerti. Mu duk gjëja më e bukur dhe më fisnike për t'u bërë. Përpara fëmijëve dorëzohem gjithmonë. Unë jam nënë vetë tashmë, kam një fëmijë të vogël, i cili është me fat dhe nuk i mungon asgjë, por ka edhe shumë të tjerë në nevojë dhe ne duhet t'i ndihmojmë patjetër. Fitova siguri kur u njoha me orkestrën. E njoh Arben Skënderin si një instrumentist shumë të zotin dhe nuk është pak për një këngëtare të vihet përballë një orkestre të vlefshme. Një arsye tjetër e mirë, është teatri. E kam ndjekur qysh e vogël dhe për mua është një nder të ngjitem në atë skenë ku kanë aktruar, ku kanë ecur aktorët tanë më të mirë. Dhe kjo më bën krenare që të mund të them që kam kënduar në këtë skenë!
E ndjekim nga larg karrierën tuaj, e cila po ecën mjaft mirë, si keni arritur deri këtu?
Është çështje fati, këmbënguljeje, talenti, që kam luajtur në Paris, Vjenë, Londër në skenat më të mëdha evropiane. Për fat më ka ecur mirë, por edhe unë i kam kushtuar seriozitetin e duhur. Fillimet në çdo fushë janë të vështira. Jemi nisur nga zeroja, vetëm me zërin tonë, por fatmirësisht edhe me një bagazh jo të vogël, që kemi marrë në shkollë, së cilës unë i jam shumë mirënjohëse, sepse në të morëm një përgatitje komplekse. Kemi mësuar si të aktronim e të kërcenim në skenë. Unë mbarova edhe konservatorin "Verdi" në Itali, por aty u habitën nga njohuritë, që kisha marrë këtu dhe nga sasia e lëndëve, që ne bënim në shkollë. Kemi qenë ballë hapur përpara një publiku shumë kërkues.
Ju jeni mexosoprano, ndërsa duket se bota vërtitet rreth sopranove...
Sopranot nuk mund të bëjnë pa ne. Ne jemi të dashurat, që u marrim burrat, apo vjehrrat e këqija. Karmenin nuk mund ta luajë një soprano. Për ne ka menduar Verdi, Rosini, Donixeti, Vagneri, pra nuk na mungojnë rolet.
Përse nuk keni ardhur më parë, ju kanë munguar ftesat?
Asnjëherë nuk më kanë munguar ftesat. Gatishmëria ka qenë maksimale, si nga ana e Zhani Cikos, Zana Çelës, etj. Por nuk kam mundur të vij për çështje kalendari, por shpresoj që në një të nesërme të bëj diçka më komplekse siç është opera.
Cili do të ishte roli "ideal" që do t'ju risillte në Tiranë?
Do të kisha dashur të ishte Karmeni. Ma kanë propozuar edhe më parë, por them se do të vijë dita që ta realizoj edhe këtu. Është një rol që më pëlqen në mënyrë të veçantë. Sigurisht ka edhe role të tjera, por kjo varet gjithnjë nga politikat që ndiqen, koha, etj.
Sa jeni në kontakt me artistët e tjerë jashtë vendit?
Jam në kontakt të vazhdueshëm me artistë shqiptarë. Sa herë që shkoj në Vjenë takoj Saimir Pirgun, një i ri, plot entuziazëm dhe i talentuar, me Inva Mulën më ka rënë rasti të luaj, madje në të njëjtën vepër një vit më parë. Në orkestra të mëdha evropiane kam takuar shumë shqiptarë dhe nga sa kam mësuar nga dirigjentët janë ndër instrumentistët më të mirë. Gëzohem pa masë kur ata ngrihen e thonë: Enkelejda edhe unë jam shqiptar!
Po shtohen shqiptarët që po bëjnë karrierë jashtë, duket se kombësia shqiptare, nuk përbën më një "fobi"...
Jo, jo, aspak. Një këngëtar duhet të ngjitet në skenë e të këndojë. Nuk ka rëndësi kombësia, mjafton që të jesh i aftë. Nëse bën punën atëherë të marrin, në të kundërt, jo. Nuk e di se çfarë ndodh pas kuintave. Gjithnjë nga preferenca e pëlqime të ndryshme. Unë bëj, atë që di të bëj më mirë, më tej...
Të qenit nënë, ju ka distancuar ndopak nga skena?
Në fillim po. Më duhet të shkoja në Kanada, për të luajtur "Normën", isha 4-muajshe në Xhojsin. Nuk mund ta merrja në mes të dimrit në Kanada, ku bën një i ftohtë i tmerrshëm. Nuk jam bërë pishman fare. Kjo është periudha më e bukur, ajo më ka pasuruar jetën.
Do të donit të ndiqte rrugën tuaj?
Tashmë ka filluar të më ndjekë. Vjen pranë pianos, kur studioj dhe më thotë: mami tani pusho, sepse do të këndoj unë, nuk këndohet kështu, bëhet kështu... Është vetëm 4 vjeç, por është piper.
Në ndihmë të fëmijëve
Orkestra e dhomës, "Camerata e Tiranës" organizon sot koncertin "Gala" në vigjilje të Krishtlindjeve. Janë të ftuar mexosopranoja Enkelejda Shkoza dhe dirigjenti francez Jean Michel Ferran. Koncerti zhvillohet në bashkëpunim me fondacionin Fëmijët shqiptarë "Domenick Scaglione" dhe kujdesin e veçantë të znj. Liri Berisha. Të ardhurat e kësaj mbrëmjeje, që do të zhvillohet në sallën e Teatrit Kombëtar do të shkojnë për bamirësi, në ndihmë të fëmijëve në nevojë. Çmimi i biletës është 2500 lekë. Në programin e koncertit janë përfshirë pjesë nga Mozart, Rosini, Grieg, Bize, etj., që do të interpretohen nga mexosopranoja, në shoqërinë e orkestrës së dhomës, me drejtor artistik, violonçelistin, Arben Skënderi.